Demensia digjitale dhe media në Kosovë

23 gusht 2017 10:32

Tanimë media po kalon në format elektronike duke mos i dhënë kuptim arkivit dhe ruajtjes së materialeve sikurse disa dekada më parë. Digjitalizimi që po ndodh nuk ka efekt vetëm në aspektin teknologjik, por ndikon median dhe lajmet si pjesa më e rëndësishme e qëllimit të medias edhe në aspektin ideologjik dhe profesional. Por a funksionon audienca dhe shoqëria në përgjigje ndaj lajmit dhe produkteve mediale edhe tani sikurse para disa dekadave dhe si ndikon ky digjitalizim i mediave në memorien kolektive të shoqërisë në përgjithësi?

Së pari duhet sqaruar se ndikimi i mediave sa vjen e po zbehet në Kosovë dhe kjo në parim është pasojë e joprofesionalizmit të mediave dhe e mbulimit sipërfaqësor të ngjarjeve duke u fokusuar vetëm në aspektin protokollar të lajmeve (shih Andresen 2015) dhe kështu duke e ndjekur agjendën politike në vend se të krijojnë agjendë politike. Ndikimi i mediave gjithashtu është si rezultat i kërkesës për shpejtësi marramendëse të publikimit të lajmit. Kjo vërehet edhe në shumicën e portaleve në raste kur gazetarët listat e ndryshme të kandidaturave politike nga përtesa për t’i shkruar përsëri emrat e lëshuar në publik nga informuesit qëi  fotografojnë këto lista, e publikojnë fotografinë dhe teksti i lajmit shumë rrallë tejkalon disa rreshta. Pastaj arsye tjera për zbehjen e besimit në lajme të mediave të reja është edhe mosverifikimi i lajmeve. Shumë rrallë, gazetarët i kushtojnë kujdes lajmit të vërtetë, por publikojnë lajme të  “stilit të faqeve rozë” edhe kur është fjala për afera korruptive, skandale, raportime në zgjedhje, raportime nga gjykatat dhe forma të tjera të lajmeve. Shembulli i fundit i gjetjes së emrit të kryetarit të Mitrovicës në një listë të studentëve të diplomuar, i bërë lajm fare në fund, tregonte me një fjali se kryetari ka bashkëpunim me kolegjin në fjalë në fusha të ndryshme duke përfshirë edhe se studentët e kësaj shkolle kanë marrëveshje të kryejnë praktika pune në Komunën e Mitrovicës. Në fakt, shumë pak iu dha rëndësi këtij aspekti të lajmit dhe lajmi u shpërnda si “diplomimi i kryetarit” dhe reagimet në media sociale ishin vetëm në këtë aspekt.

Fatkeqësisht lajmet e tilla përfundojnë në arkivën e pafund dhe gjasat që të rishikohen nga media janë po aq sa dalja nga realiteti virtual në Matrix (film produksion i Hollywoodit për realitetin virtual dhe jetën paralele në disa realitete). Harresa digjitale është tanimë edhe më e shprehur sesa harresa reale e para disa dekadave. Përderisa në vitet 90-ta, një ndër dëshmitë e pranuara në institucionet dhe gjykatat nga shtetet evropiane për Kosovën ishin shkrimet e Bujkut, Kohës Ditore dhe mediave të tjera gjysmë formale; sot shkrimet dhe skandalet e raportuara nga portalet dhe mediat në Kosovë nuk kanë kredibilitetin as të gazetarëve të të njëjtave redaksi, se lëre më të publikut dhe më gjerë.

Demensia është një version i sëmundjes së Alzheimerit që karakterizohet me  konfuzion, keqorientim, humbje të memories deri në “humbje të mendjes” ndërsa ‘demensia digjitale’ është term i iniciuar nga neuropsikiatri gjerman Manfred Spitzer, i cili e përdor këtë term që të përshkruajë një përdorim të tepërt të teknologjisë – rezultat i së cilës është humbja e aftësive njohëse. Në këtë kontekst, përdorimi shumë i madh i teknologjisë në Kosovë, në kombinim me edukimin e dobët me pothuajse pa mendim kritik, ka bërë të humbim edhe pak atë “aftësi njohëse” që kishim duke marrë parasysh edhe volumin e materialit që e marrim dhe në vend se të merremi me problemet që raportohen në media. Ky kombinim zakonisht, bën që lexuesit të hedhim pas shpine secilin raport pa e analizuar dhe menduar në mënyre kritike, sepse kemi raportime të tjera që presin në radhë për t’u lexuar.

Pra, mundësia teknologjike është e lartë ndërsa edukimi medial është shumë i ulët. Në njërën anë, i gjithë Ballkani ka një depërtim të lartë të internetit në shtëpi dhe popullatë por Kosova, sipas Asociacionit për Teknologji Informative dhe Komunikim ka një depërtim të internetit deri në 84.8 % në shtëpi ndërsa në bazë të përdoruesve rreth 76.6%. Në Kosovë ka mesatarisht 9 rrjete interneti (wi-fi) për secilin kilometër të rrugëve regjionale. Ndërsa në anën tjetër edukimi medial pothuajse nuk ekziston në shkolla. Para disa viteve “edukimi medial” ka filluar të jepet si lëndë vetëm në nivelin universitar.

Kjo vlen për Ballkanin në përgjithësi, kështu duke e jetësuar thënien e pakonfirmuar të Churchill-it se “Ballkani prodhon më shumë histori se ç’mund të konsumojë” dhe posaçërisht për Kosovën, se media e Kosovës prodhon më shumë histori sesa ç’mund të konsumojë shoqëria e saj. Demensia digjitale është sëmundja që ka kapluar shoqërinë tonë ku skandalet, korrupsioni, aferat, dështimet, sukseset dhe atribuimet tjera pozitive apo negative harrohen si të mos ndodhin, nëse nuk janë për kohë të gjatë në “agjendën e portaleve”, që së paku në zgjedhjet e fundit kanë treguar se edhe mund të vendosin fituesin e zgjedhjeve.

Afërsisht, demensia digjitale i dha indikacionet e para gjatë zgjedhjeve të parakohshme në komunën e Drenasit, por edhe në zgjedhjet nacionale. Në zgjedhjet në Komunën e Drenasit, indikacioni i parë ishte ‘humorizimi i lajmeve’ për kandidatët për kryetar komune dhe në veçanti me rastin e Ramiz Lladrovcit kur tha se “Forca e bën fuqinë o Adriatik” dhe e tërë fushata në media pastaj u fokusua në këtë fragment derisa edhe Lladrovci e shfrytëzonte këtë “slogan” në media sociale. Kjo bëri të harrohen temat e rëndësishme nga fushata siç është ekonomia, politika, varfëria, punësimi, luftimi i korrupsionit, planet strategjike, investimet kapitale, politikat kadrovike dhe të tjera. Demensia digjitale edhe një herë gllabëroi të gjitha këto aspekte të cilat do të duhej të raportoheshin dhe mbahen mend pak më shumë sesa qesëndia publike e mediave me slloganin anomik të lindur pa ndonjë plan.

Demensia digjitale si fenomen i ri po kaplon edhe Kosovën në aspekte të tjera të produkteve mediale. Keqpërdorimet nga sektori privat dhe shkelja flagrante e të drejtave të punëtorëve, korrupsioni në nivelin lokal të qeverisjes, abuzimet në Qendrën Klinike dhe Universitare dhe kushtet e tmerrshme në shëndetësi, si dhe temat e rëndësishme për qytetarin e rëndomtë mbijetojnë sa flluska e sapunit në mediat digjitale dhe pastaj i përpin demensia digjitale e kohës.

Mungesa e edukimit medial në shkolla fillore dhe të mesme kontribuon shumë në aspektin e demensias digjitale dhe e bën audiencën edhe më jokritike, përtace dhe në fund edhe të painformuar drejt për të marrë vendime. Pjesëmarrja politike pa informim të drejtë sjell një idiokraci tragjike për demokracinë e re si është Kosova.  

23 gusht 2017
10:32

Abit Hoxha