Serbia dhe Kosova: Politika e krizës dhe kriza në politikë - Çfarë na shërben satira?

Përmes kësaj iniciative, në Sbunker dhe New Social Initiative (NSI) do t'i shohim së bashku marrëdhëniet brenda rajonit dhe Kosovës në mënyra të reja, e në veçanti do t’i analizojmë çështjet aktuale politike, ekonomike e sociale që janë pjesë e procesit të normalizimit të marrëdhënieve.

03 prill 2017 10:07

Duke i ndjekur ngjarjet politike në Kosovë dhe Serbi, nuk mund të them se bëhet fjalë për jetë politikë apo politika të ngjashme; apo që modus operandi i elitave është i ngjashëm; ajo që në botë tani po njihet si periudha e “post-vërtetës”, këtu ka qenë duke u zhvilluar me vite. Në këtë periudhë, nxitja e emocioneve dhe trillimeve të mëdha ka shumë më shumë ndikim në formësimin e opinionit publik sesa faktet objektive. Problemi rritet kur gënjeshtrat e bëjnë sistemin politik edhe më disfunksional, dhe i jep mundësinë lulëzimit të politikave populliste.

Në Ballkan ka vite që jemi dëshmitarë të asaj që më së miri mund të përshkruhet si “politikë e krizës”. Elitat politike i mashtrojnë audiencat për t’ua tërhequr vëmendjen nga problemet e mëdha me të cilat shoqëritë po përballen, dhe i përdorin ngjarjet e caktuara si fluturake për ta kontrolluar diskursin publik dhe për ta çmontuar debatin mbi çështjet që kanë më shumë rëndësi.  

Gjatë muajve të fundit në marrëdhëniet midis Beogradit dhe Prishtinës jemi përballur pikërisht me këtë dukuri – se çështje si treni, muri e demarkacioni, janë krijuar artificialisht me qëllim të udhëheqjes me politika simbolike, që do të thotë se këto çështje po përdoren për të manipuluar opinionin publik.

Performanca të tilla politike vetëm sa u shërbejnë liderëve nacionalistë nga të dyja anët që të vazhdojnë me politikat e tyre të zakonshme, të maskuara me petkun e mbrojtjes së interesave kombëtare, përderisa i përdorin burimet e shtetit dhe të shoqërisë për krijimin e pasurisë personale. Partiokracia dhe klientelizmi – karakteristika kyçe të këtij sistemi – janë mjaft të ngjashme si në Kosovë, edhe në Serbi. Parakushti për të fituar një punë është të kesh kartën e një partie në pushtet, përderisa mediat e kontrolluara nga pushteti prodhojnë imazhe false të progresit socio-ekonomik, të cilat, në mungesë të mendimit kritik, mundësojnë qëndrimin në pushtet të këtyre elitave politike. Në këtë mënyrë, në njërën anë është Kosova plot me përralla të progresit ekonomik dhe rëndësisë së autostradës më të shtrentjë në botë, përderisa në anën tjetër qytetarët janë duke u mashtruar me storie të ndërtimit të shpejtë të Beogradit mbi ujë, apo të ndërtimit të më së shumti kilometrave të autostradave në tërë Evropën.

Politika e krizës, e ndjekur nga elitat politike, krijon krizë në politikë. Dështimi i politikës reflektohet në atë se ajo më nuk shihet si hapësirë për të vepruar në emër të së mirës publike (që është dhe vetë deficioni i saj), por më shumë shihet si një seri trillimesh e mashtrimesh të thurura nga interesa të dyshimta, nën ideologji edhe më të dyshimta. Mungesa e besimit në elitat politike dhe demokracinë liberale, që së fundmi po vjen në pah edhe në shtetet evropiane, e cila solli forcimin e popullizmit, nuk mund të artikulohet qartë në Ballkan, sepse janë vetë këto elita politike të cilat tashmë për disa dekada i kanë mbështetur platformat e tyre në popullizëm. Këtu humb dhe esenca e politikës – që është pjesëmarrje e lirë në jetën publike – sepse shpesh shihet si absurde, ndërsa mundësia për të bërë ndryshim konsiderohet utopi.         

Simptomë e kësaj është fakti që dy përgjigje satirike ndaj kësaj krize të politikës erdhën pikërisht në Kosovë dhe Serbi, dhe këtu mund të tërhiqet një paralele interesante. Njëra është Partia e Fortë nga Prishtina, dhe tjetra është Beli Samo Jako, një lëvizje lokale politike e nisur në Mladenovac, e përfaqësuar nga një karakter fiktiv, Ljubisa Preletacevic Beli, i cili po kandidon për president në zgjedhjet e ardhshme në Serbi.

Kjo përbuzje e elitave politike është ajo çfarë i shtyn këto dy lëvizje dhe i bën edhe më të fuqishme në luftën kundër sistemit. Satira që përdorin e çarmatos hapësirën konvencionale politike dhe e thekson irracionalitetin e sistemit politik, sepse elitat politike dhe mediat e kontrolluara nga to, nuk kanë mjete për t’i kërcënuar ato. Përderisa dikush që seriozisht kandidon në lojën politike mund të diskreditohet lehtë nëpërmjet sulmeve të portaleve, lajmeve falso dhe ushtrive të robotëve, kjo është shumë më e vështirë kur bëhet fjalë për personazhe fiktive dhe lëvizjet e tyre, sepse janë pikërisht këta të fundit që dinë t’i përdorin këto sulme kundër atyre që i iniciojnë.

Dhe është e vërtetë që Beli Samo Jako dhe Partia e Fortë janë në fakt imazhi i reflektuar i politikave zyrtare, sepse çfarë kanë dallim premtimi i Belit që do ta krijojë detin e Mladenovacit duke e kryposur liqenin, apo premtimi i Partisë së Fortë që do ta ndërtojë një autostradë ndër Bibliotekën Universitare të Prishtinës, me premtimet e pavlera të partive gjatë fushatave zgjedhore? Vetë qytetarët e dinë se këto janë gënjeshtra të pastra, dhe duke mos pasur alternativa i votojnë këto parti, apo e bëjnë këtë për shkak të natyrës klienteliste të sistemit. Në të njëjtën kohë, të dy lëvizjet janë duke luajtur me identitetet nacionaliste, duke i “zvogëluar" simbolet kombëtare me të cilat abuzohet vazhdimisht në politikat ditore.             

Por mos të mashtrohemi; fenomenet e tilla të satirës politike nuk janë dhe nuk mund të përmirësojnë krizën që po e përjeton demokracia liberale, por ato mund ta hedhin në pah të keqen e sistemit politik në Ballkan e më gjerë. Ato gjithashtu mund ta rrisin pjesëmarrjen e të rinjve në politikë, sepse mund t’i bëjnë neutralët të marrin pjesë në procesin politik. Edhe pse akti i votimit në vetvete nuk është ndryshim i mjaftueshëm nëse nuk sjell aktivizimin apo të paktën një analizë më të fortë të natyrës së sistemit politik, është sidoqoftë një pikë e mirë nga ku të fillohet.

Në të ardhmen, do të jetë interesante të shohim se si të dyja lëvizjet do të arrijnë ta demistifikojnë mitologjinë nacionale, që është shpesh kornizë e përshtatshme për të nisur mobilizimin politik, apo si do të arrijnë ato, përkundër anës së tyre satirike, të kenë ndikim për ta ndryshuar pozitivisht sistemin politik. Tani për tani, Partia e Fortë dhe Beli Samo Jako më shumë i bashkojnë sesa që i ndajnë të dy shoqëritë, e që është një fillim mjaft i mirë.

___________

Ky projekt i mbështetur nga ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë implementohet nga Sbunker dhe New Social Initiative. Pikëpamjet dhe opinionet e shprehura i takojnë autorëve dhe nuk reflektojnë medoemos pozicionin e donatorëve apo organizatave.

03 prill 2017
10:07

Jovana Radosavljevic