Model për remitencat si investim

24 mars 2017 10:07

Remitencat që vijne nga shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë shtetit si ndihmë financiare janë në mes 400 dhe 500 milionë euro çdo vit [1, 2, 3]. Këto remitenca përdoren nga 22% të populates, që këtë ndihmë financiare e përdorin për të mbuluar një të tretën e shpenzimeve mujore. Me një papunësi të përgjithshme prej 31% dhe 60% në mes të rinjëve, këto remitenca në shumicën e rasteve shkojnë tek antarët e familjes të cilët nuk kanë burim tjeter të të ardhurave.

Pasi që këto para të arrijnë në xhepat e familjarëve në Kosovë shumica absolute e tyre përdoret për konsum. Familja i shpenzon këto të holla në gjëra ushqimore, veshmbathje, qira dhe transport. Përderisa këto të hyra e ngrisin mirëqenjen në vendin tonë kjo ndodhë vetëm përkohësisht, pasi që shumica e parave për konsum kalojnë tek importuesit që kryesisht janë nga vendet fqinje, kurse një pjesë e vogël e tyre mbetet me ndërmjetësuesit vendor.

Mund të thuhet që ndihma e diasporës nuk është e qendrueshme, në kuptimin që nuk gjeneron të ardhura të vazhdueshme dhe në mënyrë indirekte shkakton varshmëri tek familjet në vendin tonë. Kur familjari që punon jasht vendit nuk mund të punojë më, atëherë remitencat dhe aftësitë e tyre për të mbajtur familjen zvogëlohen. Në të njejtën kohë tashmë kemi gjeneratën e re të bashkatdhetarëve të cilët nuk janë të lidhur me vendin e prejardhjes, së paku jo në atë nivel siç ishin prindërit e tyre.

Situata e krijuar tregon se për të vazhduar ky shkëmbim ekonomik duhet të krijohet një model zhvillimor i qëndrueshëm me qëllime afatgjate. Për ta kuptuar më mirë modelin ekonomik që po e prezentoj duhet t’i kuptojmë akterët kryesor.

Kemi mërgimtarin i cili punon në një vend të Evropës perëndimore ose në Amerikë. Dëshira e tij është të mbajë lidhjet me vendlindjen, po edhe t’i ndihmojë familjes së tij që t’i mbulojë nevojat e tyre për një jetë stabile.

Familja e mërgimtarit është aktori tjetër - pjesërisht të papunë këta varen nga të ardhurat nga jashtë për t’i paguar faturat kryesore të jetesës. Këta duan që të kenë të ardhura për një jetë të dinjitetshme.

Qeveria në këtë rast dëshiron që remitencat të vazhdojnë të vinë në Kosovë, njëkohësisht deshiron që ta zhvillojë ekonominë.

Image

Figura 1: Diagrami i përfituesve

Një bord i drejtorëve i konsoliduar me pjesëtarë të biznesit, qeverisë dhe institucioneve tjera do të krijonte një grup kërkimor i cili do të identifikonte sektorët kyç të ekonomisë ku ne kemi më shumë avantazh se vendet tjera. Ky grup do të definonte produkte, ose të lëndës së parë ose produkte dhe shërbime të kompletuara. Do të hapte aplikimin për biznes plane të cilat do të vlerësoheshin nga ekspertë dhe nga investitorët. Pastaj do të projektonte se sa investim duhet për t’i vënë ne jetë këto ide edhe do të krijonte një skemë parashikuese për kthimet që do t’i kishte ky investitor. Në shumë raste, këto kthime nuk do të ishin të mëdha. Ideja e bizneseve të nisura nga ky fond do të jetë qëndrueshmëria afatgjate në kohë prej 5 deri 10 viteve minimum. Qëllimi kryesor është që këto biznese të mbijetojnë e të mos bankrotojnë, duke krijuar vende të punës. Shembull mund të jetë mbjellja e mjedrës, hapja e fabrikave të këpurdhave, prodhimi i mobileve, etj. Biznese me rrezik mesatar dhe me model të provuar më herët në Kosovë, ku avantazhi në mes kushteve në Kosovë dhe në Evropë është evident.

Ky grup do të krijonte shumë biznese dhe kompani, ku disaporës do t’i ofrohej investimi i drejtpërdrejt në biznes ide. Në këtë mënyrë do të krijohen një lloj i kooperativave, që janë shumë të famshme në Kanadë: nëntë mijë sosh, dhe rreth tridhjetë mijë në ShBA.

Disa nga investitorët e mëdhenj nga diaspora do të jenë në bord të drejtorëve ku mirren të gjitha vendimet, ose mund ta delegojnë këtë rol. Pasi që mërgimtarët do të investonin të ardhurat e tyre që i dërgojnë në Kosovë në këto kompani të përbashkëta, atëhere në bazë të shumës së investuar, e cila mund të jetë ose menjëherë ose me këste, do të mund të punësojnë familjarët e tyre në bizneset e reja.

Në këtë mënyrë bashkatdhetarët në vend se të dërgojnë para direkt në shtëpi, investojnë në kompani dhe pastaj kompania punëson familjarët e mërgimtarit. Pas disa viteve shumica e kompanive i marrin këmbët vet dhe nuk kanë nevojë për më shumë investime. Në këtë mënyrë fiton shteti duke ulur nivelin e lartë të papunësisë dhe duke rritur të ardhurat përmes taksave. Ky investim direkt është shumë më i favorshëm sepse njerëzit që janë të investuar e njohin ambientin dhe kulturën, duke ju dhënë më shumë avantazh sesa investitorët e huaj të cilët hasin në vështirësi.

Në anën tjetër, përfituese është edhe familja e mërgimtarit e cila përfiton punësim të qëndrueshëm në Kosovë duke rritur mobilitetin, duke aktivizuar individët dhe duke ju dhënë mundësi të fitojnë të ardhurat e veta vet. Në të njejtën kohë, mërgimtari përfiton duke u lidhur me vendlindjen, duke ndihmuar famljen dhe duke ngritur kapacitetin e vet personal.

______

Ky artikull është kontribut ndaj projektit TLP Citizens Corps. Vështrimet dhe opinionet e shprehura në këtë artikull i takojnë autorëve dhe nuk i reflektojmë medoemos politikat dhe qëndrimet zyrtare të TLP Citizens Corps. Supozimet e bëra brenda analizës gjithashtu nuk reflektojnë qëndrimin e cilitdo entitet qeveritar.
 

24 mars 2017
10:07

Dite Gashi