Keqkuptimet mbi ushtrinë dhe siguria nacionale e Kosovës

17 mars 2017 12:58

Kohëve të fundit, pas ‘provokimeve’ të Serbisë dhe valës së pasigurisë e tensionit që ka kapluar politikën e rajonit, dëgjohen zëra të ndryshëm që theksojnë urgjencën e themelimit të ushtrisë së Kosovës, si kundërpërgjigje ndaj kërcënimeve të jashtme. Është shndërruar gati në “refren” garancia që sipas këtyre zërave, do t’i jepte ushtria, pavarësisë dhe integritetit territorial të vendit kundrejt çfarëdo ndryshimi apo ndikimi të jashtëm. Formimi i Ushtrisë së Kosovës që në këtë kohë trumpetohet nga taborë të ndryshme, vjen edhe si inercion i zhvillimeve të jashtme. Përveç këtyre, kjo ka bërë që të krijohet një lloj përshtypje ose imagjinate brenda opinionit të gjerë (me apo pa dashje) për Ushtrinë e Kosovës si një lloj monstrumi a la “king-kong-ian” që do të zhdukte të gjithë “çakejtë” e “hienat” që sillen përreth, me kapacitete të tilla, të afta për t’ju kundërpërgjigjur çfarëdo agresioni, nga cilido armik i rajonit, dhe e cila do të zhbënte automatikisht nevojën e KFOR-it, deri tani garantues i paqes dhe sigurisë në Kosovë.

Ky këndvështrim ‘hamendësues’ përveç se përshkohet nga naiviteti, është edhe reaksionar në vetvete. Teoria e realizmit (dominante) në marrëdhëniet ndërkombëtare, e cila është e vetmja që legjitimon përdorimin e forcës për ruajtjen e sigurisë së shteteve, sugjeron që në rastet kur një shtet kërcënohet nga jashtë, atëherë, në funksion të sigurisë së tij, ai (shteti) duhet të synojë balancën e fuqisë në raport me armikun. Në këtë rast, i bie që ne si Kosovë, përveç krijimit të ushtrisë do të duhej të synonim balancimin e fuqisë ushtarake me Serbinë. Kufizimet e Kosovës në këtë aspekt janë të shumta dhe nisin që nga raportet e zhdrejta të numrit të popullsisë e madhësisë së territorit me shtetin armik e deri tek pamundësitë financiare nga gjendja e stagnuar e zhvillimit ekonomik (do të duhej mbi 1/3 e buxhetit total për ushtrinë). Në anën tjetër aktualizimi i nevojës urgjente për të pasur forcat e armatosura në këtë kohë është reaksionar sepse vjen pas disa ngjarjeve që ngritën tension dhe frikë dhe nuk është rezultat i një procesi gjithëpërfshirës e të mirë menduar disavjeçar (afatizuar), e as të koordinuar me aleatët tanë.

Siguria nacionale është një nga shqetësimet më të mëdha që tentohet të theksohet së fundmi, por jo vetëm në Kosovë. Koncepti i sigurisë nacionale (shtetërore) është sa i diskutueshëm aq edhe problematik. Përkufizimi më i pranueshëm nëpër qarqet e teoricienëve të marrëdhënieve ndërkombëtare e sheh sigurinë kombëtare si mungesë të çfarëdo frike nga sulmi, rrezikimi i interesave ose kërcënimi i shtetit tjetër ose shteteve tjera. Një gjendje e tillë edhe pse është subjektive na sugjeron ta konceptojmë sigurinë në raport afirmativ kundrejt pasigurisë e frikës. Në rastin e Kosovës, përkatësisht qytetarëve të saj, mund të themi se gjatë pjesës më të madhe të pasluftës ka pasur një ndjenjë relative sigurie tek pjesa më e madhe e popullsisë. Garant për këtë ka qenë dhe vazhdon të jetë KFOR-i, përmes mandatit që ia jep rezoluta 1244, i cili s’është dukur të jetë i sfiduar nga jashtë ndonjëherë, madje edhe tani kur po flasim për tensione, kërcënime e pasiguri, pavarësisht se ky mision (KFOR-i) është neutral karshi statusit tonë si shtet.

Gjithsesi, kjo nuk do të thotë se ne duhet të flemë të qetë dhe të mos diskutojmë për këtë aspekt. Një nga të mirat e periudhës së pas-pavarësisë në Kosovë, janë pikërisht debatet mbi atë se si duhet të veprojë Kosova në arenën e jashtme dhe çfarë rrugësh duhen ndjekur për arritjen e interesave nacionale. Mirëpo, këto debate shpeshherë rrezikojnë të rrëshqasin në shprehje dëshirash apo keqinterpretime.

Së pari, duhet ta kemi parasysh që Kosova, në bazë të të gjitha parametrave ndërkombëtarë, konsiderohet shtet i vogël. Shtetet e vogla në përgjithësi, mbijetesën fizike dhe atributet themelore të pavarësisë e prosperitetit material, nuk kanë mundësi t’i arrijnë përmes fuqisë së hekurt (hard power), prandaj preferojnë përdorimin e fuqisë së butë (soft power). Fuqia e butë, sipas Joseph Nye, përbëhet nga tri elemente: kultura e një shteti (në vendet ku ajo është atraktive për të tjerët), vlerat e tij politike (në çka ai vend qëndron, sa i përket sistemit politik dhe të vlerave) dhe politika e tij e jashtme (aty ku ai shtet shihet si legjitim dhe ka autoritet moral). Përtej këtyre, shtetet e vogla, në mungesë të kapaciteteve e rrjedhimisht mundësive të imponimit të agjendave të tyre, aktivitetin e jashtëm e koncentrojnë në mbështetjen e normave juridike ndërkombëtare dhe pjesëmarrjen dhe përfshirjen në aleancat shumë palëshe, me qëllim të ruajtjes së subjektivitetit e bashkë me të edhe të të drejtave të barabarta me akterët tjerë, kryesisht në raport me shtetet më të mëdha.

Evoluimi i marrëdhënieve midis shteteve ka bërë që konceptet e fuqisë së hekurt apo të butë të mos shihen të ndara me thikë, sidomos në përdorimin nga shtetet e vogla. J. Nye ka nxjerrë në pah mundësinë e kombinimit të dy formave të fuqisë, për të krijuar atë që njihet si fuqi e mençur apo e zgjuar (smart power). Kjo ka bërë që disa shtete të vogla, për shkak të kapaciteteve të vogla ushtarake, të mund të përdorin ushtritë e tyre, përmes koalicioneve apo organizatave ndërkombëtare, në misione të përbashkëta, qofshin ato me qëllime ushtarake apo humanitare. Ndërlidhja e këtyre misioneve më pastaj me aktivitetin diplomatik (fuqia e butë) ka ndihmuar në shtyrjen përpara të agjendave nacionale dhe respektimin e atyre shteteve në marrëdhëniet ndërkombëtare. E tëra kjo edhe si rrjedhojë ‘arsyetizimit’ të funksionit të forcave ushtarake.

Në këtë kuptim, krijimi i Ushtrisë së Kosovës, nuk duhet të shihet vetëm prej ekskluzivitetit të mbrojtjes së territorit. E tashmja dhe e ardhmja e një force të armatosur të Republikës së Kosovës duhet parë brenda ‘ombrellës’ shumëpalëshe NATO, si rrugë e vetme e sigurisë nacionale e njëkohësisht edhe avancimit të interesave shtetërore. Prandaj nuk mund dhe nuk bën të mendohet procesi i shndërrimit të FSK-së në ushtri duke neglizhuar NATO-n dhe aleatët tanë brenda saj. Përveç kësaj, është në dobi të shteteve të vogla, e në këtë rast edhe shtetit tonë, që platformat e politikës së jashtme dhe çështjeve që lidhen drejtpërsëdrejti me atributet kryesore të shtetit të bëhen me konsensus nacional dhe gjithëpërfshirje. Iniciativat në këtë drejtim, qofshin partiake, qofshin individuale të cilësdo parti apo lider për të cilat nuk krijohet pajtim i gjithmbarshëm nuk shkojnë në dobi të interesave shtetërore.

17 mars 2017
12:58

Lirim Krasniqi