19 shkurt 2017
14:42

Pjesa e parë
Strategjitë diskursive të përcaktimit të viktimës dhe xhelatit, demonizimit apo flijimit të tjetrit dhe konstruktimit të teorive të komplotit, përbëjnë veglat e nevojshme të retorikës populiste. Ky diskurs imponon një logjikë dikotomike të mendimit dhe/apo gjykimit si: i miri dhe i keqi, miqtë dhe armiqtë, ne dhe ata, etj, duke çuar në polarizim të grupeve shoqërore në dy ekstreme, mundësisht homogjene dhe antagoniste. Polarizimi i shoqërisë, në fakt, është parakushti i zhdukjes së shumëdimensionalitetit dhe marrëdhënieve komplekse që ka ajo.
Kompleksiteti i shoqërisë venitet dhe polarizimi thellohet përmes krijimit të situatave të paqarta, ose thënë figurativisht të mjegullta politike në mënyrë që publiku, në mungesë informacioni të besojë në versionin që i servohet nga politikanët, në këtë rast populistët. Shkaktimi i krizave apo thellimi i atyre aktuale, dramatizimi i tragjedive si dhe improvizimi i skandaleve/ngjarjeve janë veprime jo të rastësishme të cilat krijojnë gjendje tensioni dhe prekin ndjenjat e pasigurisë dhe frikës.
Studiuesi David Altheide, në librin e tij Duke krijuar frikën thekson se: “Në një moment frika shfaq kuadër (strukturë) mbi të cilën zhvillohen identitetet dhe pjesëmarrja në jetën sociale”. Në momentin kur frika aktivizon reagimet tribale të njerëzve, populistët të cilët shfaqen si bajraktarë të kombeve dhe rojtarë të tyre ndaj kërcënimeve të jashtme, shihen si të duhurit për t’u votuar ose mbështetur në kohë zgjedhjesh, krizash legjitimiteti, nevojash për rritjen e masave të sigurisë, apo nisjes së ndonjë lufte. Reagimi nga pozicioni i frikës dhe pasigurisë vret aftësitë reflektuese dhe shndërron njerëzit në masë homogjene reaksionarësh që ‘symbyllurazi’ ndjek populistët.
Është shumë e rëndësishme që në këso situatash të mund të shohim kërcënimet reale për shoqërinë të cilat, të paktën dy, janë tejet shqetësuese.
1. Deliberalizimi që u bëhet pjesëtarëve/grupeve shoqërore dhe natyra jodemokratike e elektoratit ose mbështetësve të lartpërmendur
2. Shmangia nga problemet reale shoqërore që prekin mirëqenien, lirinë, paqen, integrimin, drejtësinë etj.
Nga e para, votuesit e nxitur nga një politikë frike e injektuar nga populizmi nuk përbëhen nga grupe individësh të lirë e pluralë që nga momenti kur rreshtohen në një masë anonime reaguesish në bazë të instinkteve e emocioneve. Një masë e tillë ndikon në depolitizimin e individit dhe njëkohësisht de-humanizimin e tij. Hannah Arendt, përmes koncepteve të “lindshmërisë” dhe pluralizmit tentonte të theksonte se politika ia njeh potencialin e pafund çdo jete njerëzore në veçanti. Sipas Arendt, njeriu ‘vdes’ kur bëhet masë, dhe bëhet masë kur de-politizohet. Kur ajo flet për “përgatitjen e kufomave të gjalla” tek Origjinat e totalitarizmit, thekson se “në kampet e përqendrimit, rezultati i vetëm për t’u arritur ishte ‘dominimi i përgjithshëm’ përmes shkatërrimit të ‘unikes’ dhe ‘individualitetit’ të qenieve njerëzore.” Ndoshta populizmi i theksuar aktual nuk mund të krahasohet me totalitarizmat e shekullit të XX, por përbën sinjal të një rrëshqitjeje potenciale në të. Kostoja e besimit të demagogëve është dorëzimi i lirisë.
Në anën tjetër, politika e frikës lë nën hije problemet reale me të cilat përballen qytetarët e një vendi e si rrjedhojë edhe zgjidhjet për to. Populistët duke përdorur frikën, në shumë raste mbulojnë edhe mungesën e alternativave për problemet e vërteta. Ata fokusohen në theksimin e kërcënimeve të jashtme dhe atyre që kanë lejuar dobësimin e kombit/shtetit, por jo edhe në adresimin e përgjegjësive të brendshme dhe ofrimin e zgjidhjeve. Madje, edhe nëse japin ‘alternativa’, ato kanë për qëllim, në të shumtën e rasteve, faktorizimin e tyre e jo zgjidhjet afatgjate e të qëndrueshme.
Shembuj të politikës së frikës kemi pafund, gjithandej nëpër botë mund ta personifikojmë populizmin, siç mund të bëjmë edhe ‘mes nesh’, në rajonin e trazuar të Ballkanit. Madje, ndër kombet e Ballkanit kemi liderë që vetëm në sajë të përdorimit të frikës dhe nxitjes së urrjetjes ndëretnike tentojnë të arrijnë apo mbajnë pushtetin. Të frikësuar, ballkanasit janë ata që me vite të tëra paguajnë koston më të madhe të një politike të tillë, duke jetuar në rajonin më të pazhvilluar të Evropës. Shumë shpesh, vullneti i qytetarëve për ndryshim dhe zhvillim është devijuar nga populistët në nevojë për siguri e stabilitet.
Se frika është pjesë e gjendjes njerëzore është e natyrshme, por ajo është gjithashtu edhe armikja më e madhe e arsyes. Dhe nëse dikush vuan mungesën e arsyes, ata janë ballkanasit.
Një politikë që mposht frikën ndoshta s’duhet pritur nga politikanët, edhe pse ata mund të ndjellin shpresë në vend të frikës. Arendt sugjeronte si antitezë, përbrendësimin e politikës si gjendje e ‘natyrshme’ njerëzore që njeh dhe thekson potencialin e lirinë e gjithsecilit dhe mundëson reflektimin në bazë të arsyes. Historia na mëson se në çdo rast kur ‘frika ka udhëhequr’, pasojat kanë qenë shkatërruese. Prandaj është kruciale në këto kohë që të mendojmë disa herë në çfarë vlerash qëndrojmë e kë mbështesim.
19 shkurt 2017
14:42