Populli më pro amerikan në botë

23 janar 2017 10:16

Po dëgjojmë vazhdimisht nga elita jonë politike se shqiptarët, e në veçanti shqiptarët e Kosovës, janë populli më pro amerikan në botë. Unë e besoj këtë, si një qytetar i thjeshtë, sepse ne i duam amerikanët, jemi mirënjohës për kontributin e tyre gjatë luftës në Kosovë si dhe pas saj, por gjithashtu e çmojmë lart miqësinë e Amerikës. Problemi qëndron kur dalim jashtë kontekstit të qytetarit të thjeshtë dhe hymë në kontekstin e politikës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, apo diplomacisë. Në këtë shkrim nuk e kam cak asnjë politikan apo diplomat të caktuar, sepse të gjithë e përdorin këtë “term”.

Për shumë kohë më ka penguar kjo thënie, derisa unë vetë e përdora para tri viteve. Ishim në një udhëtim për një konferencë bashkë me një gjeneral dhe ambasador amerikan, i cili shumicën e karrierës së tij e ka kaluar në Ballkan, ka marrë pjesë në të gjitha negociatat në emër të Shteteve të Bashkuara, i njeh të gjitha figurat politike në Ballkan, si dhe ka njohuri të thellë historike të Ballkanit. Shkurt e njeh Ballkanin më mirë se unë. Edhe pse thashë që flisnim bashkë, në të vërtetë unë më shumë dëgjoja, dhe ky trend vazhdon edhe sot: sa herë që takohemi unë zakonisht dëgjoj. Dikur gjatë bisedës i thashë “Ne shqiptarët, e sidomos ne të Kosovës, jemi populli më pro amerikan në botë.” Ai si duket nuk më kuptonte. Mua, ndërkaq, më dukej shumë e qartë, e i thashë, “o na e dojmë Amerikën shumë bre!”

Pastaj më tregoi që në të vërtetë e kishte kuptuar çfarë i kam thënë edhe herën e parë, por megjitatë kjo mbetej ndër çështjet ku amerikanët nuk e kuptonin elitën kosovare, dhe madje i bënte të qeshnin. Atëherë më ra në mend sesa problematik ishte ky term.

Më tutje diplomati amerikan më tha se ata e kuptonin që ne e donim Amerikën shumë, por kjo nuk është njëjtë me “populli më pro amerikan”, sepse kjo nuk mundet të matet. Me ndryshimin në administratën e Amerikës ne e shohim që shumë amerikanë dallojnë në atë se çka është të jesh "pro amerikan". Mbështetja e Amerikës në okupimin e Irakut e Afganistanit është po aq pro amerikan sa mosmbështetja. Derisa Amerika njihet për mikpritjen e njerëzve të huaj, sot ka një lëvizje të madhe që janë kundër imigrantëve dhe të huajve në Amerikë, por nuk mund të themi se një grup prej tyre janë patriotë amerikanë e tjerët jo, kështu që, ne si më pro amerikanët në botë, me cilin grup jemi?

Amerika mburret me disa vlera, si: respektimi i ligjit, demokracia, liria personale, liria e shprehjes, emancipimi, lufta kundër krimit, e kështu me radhë. Nëse jemi populli më pro amerikan në botë, që besoj që jemi, atëherë ne duhet ta matim këtë me këto vlera. Sa jemi duke punuar ne në respektimin e ligjit, në demokraci, në emancipim, në meritokraci dhe kundër kleptokracisë, kundër krimit, ose pro vlerave të ndryshme. Vetëm atëherë do të kishte kuptim të thoshim se ne jemi populli më pro amerikan, sepse do të jemi pro vlerave që e kanë bërë Amerikën si është sot. Në Kosovë vlera e jetës së njeriut është për të ardhur keq, krimi dhe papunësia është duke u rritur në proporcion të rritjes së pompave të benzinës mbas luftës, kurse ne themi që jemi populli më pro amerikan, më pro evropian dhe më pro eruo-atlantik “n’dynje”.

Siç thash, kjo mund të ketë kuptim si qytetar i thjeshtë, por kur përdoret në çdo të dytën fjalë të elitës politike atëherë e humb kuptimin, dhe më e keqja është që amerikanët nuk na kuptojnë dhe në shumë raste qeshin me këtë term. Shumë diplomatë e burokratë amerikanë që merren me Kosovën mendojnë që nëse me të vërtetë jemi pro amerikanë atëherë duhet të punojmë më shumë ta zhvillojmë atë që Amerika na ka ndihmuar ta mbrojmë, të punojmë për respektimin e ligjit, demokracinë, ta luftojmë krimin, korrupsionin, papunësinë dhe të punojmë për një jetë më të mirë pë popullin në përgjithësi dhe të rinjtë në veçanti, problem me të cilin politika kosovare nuk merret. Atëherë do të kishte kuptim të jemi pro vlerave euro-atlantike.

Ndoshta do të ishte temë për një shkrim tjetër por në shkencën politike, marrëdhënie ndërkombëtare dhe diplomaci, termi “më pro amerikan” ose pro kushdo, nuk kanë asnjë kuptim. Mendoni kështu: nëse Amerika e ka një politikë që neve nuk na pëlqen, atëherë si më pro amerikanët në botë, çfarë duhet të bëjmë? A është më pro amerikan t’i themi Amerikës që nuk pajtohemi dhe e kanë gabim, apo të themi që nëse Amerika mendon ashtu atëherë mirë e ka? Kryeministri ynë vetëm para disa muajve pat thënë: “Amerika i di kufijtë në Ballkan, e jo disa opozitarë që s’i dinë as kufijtë e megjave të tyre”, kur flitej për demarkacion. Kjo, për mua nuk është të jesh pro amerikan, por të mbështetesh në një fuqi më të madhe dhe mos ta përdorësh mendjen fare.  

Në leksikon politik termat sikur “pro amerikan”, “vëllezër”, “motra”, nuk kanë asnjë domethënie. Elita politike duhet t’i fshijë këto prej leksikonit dhe të merret me punët që shihen dhe maten.

Kur më tha ai diplomati se nuk e kupton çfarë dua të them me populli më pro Amerikan në botë, unë me habi i thashë që kur George W. Bush-i shkonte në cilindo vend të botës aty kishte protesta, kurse kur erdhi në Shqipëri nuk kishte asnjë protestë, aq sa edhe Bush-i u habit dhe u fut në turmën e shqiptarëve që e pritnin dhe brohorisnin për të. Aq e duam ne Amerikën, dhe jemi më pro-amerikanët në faqe të dheut.

Ai më tregoi që edhe ai vet, gjeneral dhe diplomat, beson se është shumë pro-amerikan. Pastaj, duke qeshur, më tregoi se sa shpesh ka qenë pjesë e shumë protestave kundër Bush-it në Amerikë.

Si thonë në popull, mend për tjera herë.

23 janar 2017
10:16

Erdoan Shipoli