Kthimi i fesë nga mërgimi

06 janar 2017 16:31

Vitin 2016 e pata shumë të vështirë deri në javën e fundit. Gjatë kësaj jave pata mundësinë të vazhdoj t’i lexoj disa libra që i kam pasur në listë, por s'e gjeja mundësinë për t'i lexuar. Një prej tyre që e lexova pa ndërprerë ishte “Religion in International Relations: the return from exile” (Feja në Marrëdhëniet Ndërkombëtare: kthimi nga mërgimi). Edhe pse ishte libër që drejtpërdrejt lidhet me temat e mia të interesit, marrëdhënie ndërkombëtare, politikë, siguri, sekuritizim, konstruktivizëm dhe religjion, vetëm rishtazi më ra në dorë. 

Në thelb libri flet për nevojën e kthimit të fesë nga mërgimi në marrëdhënie ndërkombëtare, dhe edhe pse libri është shkruar në 2003, kjo temë edhe sot është shumë e rëndësishme, së pari pasi që fenë nuk e kemi kthyer ende nga mërgimi, dhe së dyti sepse sot më shumë se kurrë kemi nevojë ta bëjmë këtë.

Feja mërgoi nga marrëdhëniet ndërkombëtare qysh nga Traktati i Vestfalisë kur “shtet kombet” u bënë standardi i ri në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe si rezultat ky standard i ri u konstruktua si “shtet kombi laik” dhe feja u shpall si persona-non-grata. Derisa ne mundemi të vazhdojmë debatin se çfarë efekti ka feja në marrëdhënie ndërkombëtare, vetë ky debat na tregon që nuk mund ta anulojmë fenë prej këtij ekuacioni dhe se duhet ta marrim atë me më shumë seriozitet. Edhe më me seriozitet duhet ta marrim pluralizmin në fe dhe të ndërtojmë mbi të. Anashkalimi i religjionit për këtë kohë të gjatë e ka shtyrë situatën në atë nivel që Vendulka Kubalkova me të drejtë mendon që ka ardhur koha për një disiplinë të Teologjisë së Politikës Ndërkombëtare, sikur që kemi disiplinë të Ekonomisë së Politikës Ndërkombëtare, ose Sigurisë Ndërkombëtare.

Feja është temë diskutimi në shumicën e platformave politike, shoqërore, ekonomike, apo ato të sigurisë. Shumë objekte të shenjta janë sekuritizuar që nga fillimi i shekullit 21, dhe çdo ditë e më shumë njerëzit kthehen nga mësimet fetare për problemet e tyre të përditshme. Shume liderë politik kthehen tek këto mësime për të justifikuar politikat e tyre, e të tjerët për të kuptuar situatën nga një perspektivë që për ta është me rëndësi.

Në shumë zgjedhje këtë vit, si në ShBA ashtu edhe në vende të Evropës, feja ka qenë ndër temat më të diskutueshme nëpër debate. Shumë ligjërues fetarë kanë më shumë efekt në masa se sa politikanët e disa shteteve. Me përhapjen e mediave sociale mesazhet shpërndahen shumë më shpejtë. Edhe pse deri tani klasa politike nuk ka dashur të ketë asgjë me fenë, si dhe klasa fetare nuk ka dashur të ketë asgjë me politikën, situata e tanishme e bën të pashmangshme rolin e fesë në politikë, marrëdhënie ndërkombëtare, shoqëri, siguri etj.

Ligjëruesit fetarë, të të gjitha feve dhe besimeve (apo mos besimit) kanë shumë efekt tek të rinjtë dhe tek publiku. Pasi kjo është e pashmangshme, atëherë a s’ka ardhur koha që ta ftojmë fenë nga mërgimi dhe ta integrojmë atë aty ku duhet më së shumti, në shoqëri? Unë nuk mendoj se shteti dhe kisha (feja në përgjithësi) duhet të përzihen, por vetëm që feja sot është politike dhe ka fuqi, kështu që këtë fuqi duhet ta kthejmë në energji pozitive e jo ta shmangim, sepse energjia e shmangur nuk humb vetvetiu por akumulohet dhe mund të ketë rrezik afatgjatë.

Është për të ardhur keq se si në Kosovë ose Ballkan në përgjithësi tema e fesë vjen vetëm atëherë kur ka probleme sigurie, kur ka probleme të terrorizmit apo konflikte (dhe këtu nuk flas vetëm për Islamin). Gjithashtu është për të ardhur keq që feja në shoqëri vjen si temë vetëm kur flitet për shkollimin e vajzave të mbuluara, për Kërshëndella, Bajrame, e festa fetare, apo për foto sesione me politikanë. Një institut sikur “feja” që merret me jetën shpirtërore, morale, dhe fizike të njerëzve në këtë botë dhe botën tjetër, minimizohet në tema të tilla.

Për këtë ne nuk e dimë se çfarë thonë fetë për problemet e shekullit 21, për ambientin, për arkitekturën, për shkencën, për aktivizim shoqëror. Rrallëherë dëgjojmë liderë fetarë të flasin për korrupsion, ose për liberalizim të vizave, ose për uljen e krimit në shoqëri. Derisa në perëndim liderët fetarë flasin për nevojën e demokracisë nga ana fetare, tek ne kjo temë mungon. Kurse nevoja më e madhe sot nuk është se si te vishen, apo si të mos vishen gratë, se si te falemi apo si të lutemi, ose si ta emërojmë Zotin. Nevoja jonë më e madhe është të dimë se si ta bëjmë botën ku jetojmë më të mirë, më demokratike dhe më paqësore që të jetojmë së bashku.

Unë mund të flas se në Islam gënjeshtra është ndër mëkatet më të mëdha, thashethemet janë ndër mëkatet më të mëdha, por këto tema nuk fliten, jo që liderët fetarë nuk dinë ose nuk dëshirojnë të flasin për to, por sepse e kemi dërguar fenë ne mërgim dhe e kemi shpallur persona-non-grata. Kjo nuk i ndalon njerëzit që prapë të merren dhe mësojnë për fenë, por vetëm që ne të shtiremi se kinse nuk ekziston.

Duhet ta kthejmë fenë në debate/diskurse normale. Feja është pjesë e shoqërisë, është institut që ka fuqi dhe shumicën e kohës është politik. Në perëndim ka kohë që debatet në lidhje me rolin e fesë në marrëdhënie ndërkombëtare janë bërë përditshmëri si në media ashtu edhe në debate politike, por në Kosovë dhe në Ballkan këto debate hasin në vija të kuqe. Feja duhet të normalizohet, të jetë pjesë e shoqërisë e jo pjesë e sigurisë. Derisa flasim për shtete laike, nuk mundemi ta lëmë fenë në duar të qeverive dhe elitës politike, duhet ta normalizojmë në debate shoqërore, aty ku e ka vendin. E për këtë duhet ta ftojmë fenë nga mërgata, me debate dhe diskurs për problemet e përditshme nga një këndvështrim fetar.

Këto që po i them mund të keqkuptohen shumë lehtë, prandaj e ritheksoj: nuk jam duke thirrur për përzierje të fesë në shtet. Jo, shteti dhe feja duhet të jenë të ndara. Por politika nuk është e kufizuar vetëm në shtet, politika është në debate, diskurse, apo marrëdhënie të ndryshme. Feja veçse përzihet në politikë, por atë zakonisht e përdorin disa demagogë për interesat e tyre politike, kurse nëse feja normalizohet atëherë nuk do të jetë në monopol të atyre njerëzve, si dhe do të kontribuojë në zgjedhje të problemeve ditore të qytetarëve.

06 janar 2017
16:31

Erdoan Shipoli