Tatimi mbi tokën; JO pasojë por tatim normal madje i vonuar

25 nëntor 2016 12:27

Një vështrim paksa ndryshe nga shkrimet: Pasojat e taksës së re të tokës të Bardhyl Salihut dhe Pro taksës për tokën të Krenar Gashit.

Para se të përmbledh mospajtimin tim me shkrimet e botuara paraprakisht nga Bardhyl Salihu dhe Krenar Gashi, dëshiroj të qartësoj termet të cilat janë përdorur respektivisht në kontekst të gjuhës së përditshme. Ekziston një vijë ndarëse fundamentale në mes të taksës dhe tatimit, si në kuptim të të hyrave të shtetit, po ashtu në kuptim të pagesës së këtyre dy obligimeve nga obliguesit tatimorë ose taksapaguesit. Konsideroj që e njëjta nuk mund të përdoret si sinonim, andaj, shkrimi i Krenarit duhet të titullohet; pro tatimit për tokën, jo taksës, pavarësisht referencimit që i bënë shkrimit të Bardhyl Salihu-t.

*
Asnjëri prej shkrimeve nuk korrespondon në thelb me titujt, gjithsesi, parimisht pajtohem me Krenarin që në kuptim të politikave publike tatimi mbi tokën është i rëndësishëm, madje i domosdoshëm dhe sipas pikëpamjen time, i vonuar. Megjithatë, vonesa kaq e madhe që në fakt të vendoset tatimi mbi tokën, ka ardhur si pasojë e mos definimit të pronarit që është problem ngushtë i lidhur me çështjet kadastrale, e që në Kosovë për fat të keq pak i kuptojmë por edhe me pak i kemi prezent në diskursin publik, përkundër rëndësisë fundamentale, ngase prona dhe e drejta në të është kategori kushtetuese - e drejtë  absolute. Gjithsesi, në këtë realitetin tonë të dhimbshëm edhe kjo na ka ndodhë: të ekzistojë e drejta-pronësia/posedimi dhe për të njëjtën të mos këtë as obligim tatimor e as përgjegjësi juridiko-civile! 

*

Gjithsesi, tatimi në tokë është i vonuar si i tillë, dhe patjetër që është i mirëseardhur, andaj konsideroj që diskutimi mbi të njëjtin duhet fillimisht të paraprihet nga ajo që quhet konceptualizim i problemit të vet tatimit dhe pronës në përgjithësi. Në pikëpamjen time janë dy problemet kryesore:

1) tatimit mbi pronën duhet t'i paraprijë draftimi i ligjit për Llojet e Pronave , pasi që në Kosovë ende përdoret ligji i ish-RSFJ, megjithatë konteksti dhe marrëdhëniet ekonomike kanë ndryshuar së tepërmi që ende t'i referohemi këtij ligji. Kjo çështje nuk merret parasysh as nga Krenari dhe as nga Bardhyli. Gjithsesi, së fundmi në draft strategjinë për prona të Ministrisë së Drejtësisë është vendosur si politikë draftini i të njëjtit , megjithatë ky ligj nuk do të përfundojë shpejt. Jam i bindur, vetëm kur ta kemi një ligj i cili qartësisht definon llojin e pronës, atëherë duhet të fillohet në fakt me tatimin e tokës; gjithashtu, në këtë pikë është e vetëkuptueshme rëndësia e definimit të pronarit/titullarit, si element kyç, dhe 

2) destinimi i veçantë i këtyre të hyrave për rregullimin e infrastrukturës, sidomos për tokën bujqësore e cila trajtohet në parametra të tatimimit të veçantë në draft-ligjin në fjalë. Me destinim të veçantë të të hyrave nënkuptojmë: që këto të hyra të kthehen për rregullimin e infrastrukturës për zhvillimin e bujqësisë, e cila pastaj do të përkthehej në rritje të prodhimtarisë bujqësore dhe rritje të bruto produktit të brendshëm Ky duhet të jetë obligim, i cili konsideroj që duhet të precizohet nga vet ky ligj që pastaj të jetë obligim për secilën qeveri, dhe i cili është koncept juridiko-financiar i njohur si “të hyra - tatim i destinuar”, dhe që përkrahet në teoritë juridiko-financiare në vendet e zhvilluara.

*
Tutje, në të dy shkrimet; posaçërisht në shkrimin e Bardhylit “konstatohet” që në Kosovë taksapaguesit janë të zhytur në pagesa të shumta tatimore, në fakt nuk pajtohem, dhe po e përmbledhë pse:

Si në nivel të tatimit të individëve e po ashtu në atë të korporatave, Kosova ka bindshëm bazën tatimore më të ulët në krahasim me vendet e BE-së. Për tatimin në të ardhurat e korporatave Kosova ka bazën tatimore 10%, ndërkaq Irlanda, e cila brenda BE-së konsiderohet si 'tax heaven', ka 13%. Mos të flasim për vendet si Suedia 35%, Gjermania mbi 28% etj.

 Është i njohur fakti i bartjes së të drejtave ekonomike nga kompanitë multi nacionale në Irlandë, së fundmi Komisioni Evropian e ka shqyrtuar rastin e Apple Inc. dhe e ka dënuar të njëjtën në vlera qindra miliona euro duke konstatuar që ka përfituar nga bartja e të drejtave ekonomike, gjithsesi kjo ishte vetëm paralele. Në rrafshin e tatimit të personave fizik po ashtu vlera me e lartë tatimore është 10%, që prapë e bën Kosovën si vend me vlerë shumë të ulët të tatimimit në të ardhura personale, madje ne paguajmë vetëm këtë vlerë. Shumë vende të BE-së, për shembull në Suedi, tatimi mbi të ardhurat personale paguhet në nivel të komunës si dhe nivel të shtetit,  me një bazë tatimore rreth 35%; pastaj varësisht nga të hyrat kjo edhe rritet deri në 45%(tatim progresiv). Andaj, konsideroj që në Kosovë (duke e pasur parasysh edhe standardin), në fakt jemi vend që paguajmë shumë pak tatim.

*

Çështja e fundit, TVSH-ja është tatim indirekt i cili si i tillë përbën 1/5 e të hyrave totale tatimore në vendet e zhvilluara (vendet anëtare të OECD). Bardhyli, mandej edhe Krenari konstatojnë që TVSH-ja në Kosovë del të jetë më e lartë se ajo në Zvicër. Në fakt, pjesërisht pajtohem ngase në produkte bazë edhe mund te jetë, megjithatë në përgjithësi Kosova vazhdon të këtë TVSH-në më të ulëtën në Evropë, dhe këtu qëndron mospajtimi im me ta dhe këtë politikë fiskale që e konsideroj të mbrapshtë.

Në vendet e zhvilluara TVSH është e kategorizuar në bazë të të mirës që e paguan ose shërbimit që e merr, dhe e njëjta mund te variojë nga 0 deri në 32%, si rasti i Suedisë. Konsideroj që fatkeqësia më e madhe e politikës sonë fiskale është saktësisht mos kategorizimi i produkteve, ngase vlera prej 18% thuajse në të gjitha produktet është bindshëm vlera më e ulët që mund të aplikohet nga një shtet, andaj më e ulët thjesht nuk bëhet në Zvicër, vetëm nëse konsumon gjatë tërë kohës qumësht dhe bukë që konsiderohen produkte bazë, mund te paguash më pak se në Kosovë dhe në asnjë rast tjetër.

*

 Andaj, Kosova në fakt e ka të domosdoshme rritjen e bazës tatimore për individë e korporata (ose aplikimin e tatimit progresiv), tatimin e tokës dhe pronës në përgjithësi e po ashtu kategorizimin e vlerës së TVSH-së për produkte dhe shërbime, kjo nëse dëshirojmë të ndërtojmë shtet e këto te hyra shteti të na i kthejë, po e them për të mirë. 

 

 

 

25 nëntor 2016
12:27

Shkumbin Asllani