Rrethi vicioz i negociatave

23 shtator 2016 21:02

Historia e re politike e Kosovës është e lidhur ngushtë me procese të ndryshme dhe mjaft të mundimshme të negociatave mes palës kosovare dhe asaj serbe, pasojat e të cilave ishin vendimtare për fatin dhe zhvillimet e mëtejme të vendit. Duke filluar nga negociatat e famshme në kështjellën franceze Rambouillet, që vazhduan më pas në Paris, e deri te negociatat për statusin përfundimtar të Kosovës, të mbajtura në Vjenë gjatë viteve 2006-2007. Ashtu si edhe negociatat për paqe më 1999, edhe ato për statusin nuk përfunduan me marrëveshjet e pritura mes palëve. Kështu, pas 14 muajsh negociatash diplomatike dhe pas refuzimit nga ana e Serbisë për propozimin e Ahtisaarit, i dërguari special i paraqiti Këshillit të Sigurimit një propozim gjithpërfshirës, i cili kërkonte pavarësi të mbikëqyrur për Kosovën. Ashtu si edhe më parë në rastin e Rambouille-s, pala serbe iu kthye taktikës të kërkesave për ri-negociata dhe të propozimeve të reja. Por ato ishin në kundërshtim të plotë me marrëveshjet e arritura dhe realitetin në terren.

Pas shpalljes së pavarësisë, qeveria e Serbisë, si masë kundërshtuese i tërhoqi përkohësisht ambasadorët serb nga ato vende të cilat e njohën shtetin e Kosovës, si dhe paraqiti kërkesën pranë Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë rreth ligjshmërisë së shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare e Drejtësisë për pavarësinë e Kosovës u shpall në korrik 2010 dhe theksonte se shpallja e njëanshme e pavarësisë nuk ishte e kundërligjshme. Kjo shkaktoi një goditje të rëndë të politikës serbe ndaj Kosovës. Disa muaj më vonë me presion nga ana e përfaqësueses së lartë të BE-së, baroneshës Catherine Ashton, Serbia së bashku me BE-në përpiloi një rezolutë për OKB-në kur kërkohej transferimi i çështjeve të pazgjidhura serbe-kosovare nga organet e OKB-së ne institucione të BE-së.

Në anën tjetër, në Kosovë filloi transferimi i kompetencave nga ana e ndërkombëtareve në ato vendore dhe zbatimi i Pakos së Ahtisaarit, përfshirë miratimin e Kushtetutës dhe mekanizmave tjerë shtetërorë. Ndërkohë, politikanët krijonin përshtypjen se dialogu i proklamuar me Serbinë vetëm se do të përshpejtonte procesin e njohjeve dhe anëtarësimit të Kosovës në mekanizmat ndërkombëtare. Kështu u krijua delegacioni kosovar për bisedime e udhëhequr nga atëkohë zëvendës-kryeministrja znj. Edita Tahiri, kurse kryenegociator serb u caktua Borislav Stefanovi?, drejtor politik në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Serbisë. Ndërsa, ndërmjetësues apo lehtësues siç prezantohej nga ana e BE-së, ishte caktuar diplomati i lartë Robert Cooper. Dialogu, i cilësuar me eufemizëm si ‘biseda teknike’, filluan me takimin e parë ndërmjet palëve, që u zhvillua në Bruksel me 8 mars 2011, ku tema boshe ishin përfaqësimi rajonal, liria e lëvizjes dhe sundimi i ligjit.

Që nga ky takim kanë kaluar afër 6 vite, janë zhvilluar një mori raundesh bisedime dhe janë arritur me dhjetëra marrëveshje ose “konkluzione”, siç theksoheshin. Mirëpo, bilanci i deritashëm i ‘marrëveshjeve’ lë shumë për të dëshiruar, kur disa nga temat e para të diskutuara dhe marrëveshjet e arritura për përfaqësimin rajonal, lirinë e lëvizjes dhe sundimin e ligjit nuk po zbatohen ende.

Vlen të ceket edhe shembulli i fundit i marrëveshjes për targa e cila fillimisht u arrit me 2 korrik 2011 në marrëveshjen për lëvizje të lirë, ku në pikën 6 të kësaj marrëveshjeje theksohet se targat KS, të lëshuara më herët nga UNMIK do te vlejnë edhe për 5 vite të ardhshme. Ndërsa në pikën 7 të marrëveshjes thuhet se përveç targave RKS dhe KS, të gjitha targat tjera duhet të largohen. Ndërsa tani, pas 5 vitesh, kjo marrëveshje jo vetëm që nuk u zbatua por prapë u ri-negociua, duke e zgjatur vlefshmërinë e atyre KS edhe për 5 vite tjera dhe shfrytëzimin e targave RKS duke i mbuluar simbolet shtetërore me ngjitës!  

Në anën tjetër, Serbia arriti me këto marrëveshje t’i mbrojë interesat nacional dhe t’i përmbush disa nga qëllimet e veta kryesore. Kështu, në janar të 2013 parlamenti i Serbisë miratoi një rezolutë në mbështetje të platformës së dialogut me Prishtinën, ku kërkohej krijimi i Bashkësisë së komunave autonome serbe. Dhe këtë qëllim Serbia e synon në negociata me krijimin e Asociacionit të komunave serbe, që parashihet sipas marrëveshjes së prillit të 2013. Pastaj, Serbia ka përfituar nga negociata stimulime shtese nga BE në kandidaturën e saj për anëtarësim, ka përmirësuar dukshëm pozitën e saj gjeopolitike dhe diplomatike, si dhe ka bllokuar anëtarësimin në organizata ndërkombëtare dhe njohjet e reja për Kosovën.

Si shembull më domethënës është përfaqësimi i Kosovës në forumet rajonale e globale me fusnotë, ku së fundi ne takimin e mbajtur në Sllovaki u desh edhe që të lëshohej mbledhja. Deklarata aspak serioze dhe tejet pompoze të znj. Tahiri, se fusnota paraqet një flluskë bore dhe si e tillë do të shkrihet shpejt, tashmë po shihet se nuk qëndron aspak. Në krahasim prej qëllimeve të Serbisë, interesat kombëtare nuk po mbrohen sa e si duhet, dhe se pozicioni i Kosovës në këto negociata është zbehur mjaft, pasi që në procesin e integrimit evropian, ka vendnumëruar respektivisht ka mbetur ende te liberalizimi i vizave.

Në arenën ndërkombëtare as nuk janë shtuar njohjet e as përforcuar pozita. Përkundrazi, vendi ka mbetur thuaja në një status quo si në planin e brendshëm ashtu edhe të jashtëm. Aq më tepër, kur konsensusi i mëparshëm politik rreth nevojës për dialog, përkrahja fillestare nga opinion publik si dhe stabiliteti i qeverisë ka rënie në pikën më të ulët të mundshme, gjë që ka dobësuar pozicionin dhe fuqinë vendim-marrëse të ekipit negociator dhe vetë qeverisë.

 Disavantazhi më i madh i Kosovës në këtë dialog është se kompromiset e bëra në Bruksel, sidomos rreth krijimit eventual të Asociacionit, mund të çojnë në kriza të thella politike apo tensione të reja ndër-etnike. Pala kosovare në këtë mënyrë, po ecën mbi një shtresë te hollë akulli, për shkak të presionit në rritje si nga politika e brendshme ashtu edhe nga bashkësia ndërkombëtare.

Gjithashtu roli i ndërmjetësuesit, respektivisht fuqisë diplomatike e realpolitike të Brukselit që t’i nxis palët për marrëveshje të pranuara si dhe në zbatimin e tyre të plotë e me kohë, po dëshmohet se është mjaft i kufizuar. Kështu, ‘ambiguiteti kreativ’ në leximin e marrëveshjeve, i proklamuar nga ndërmjetësuesi Cooper, nuk po krijon vetëm keqkuptime e keqinterpretime mes palëve, por edhe zbatimin e tyre po e bën jo të efektshëm dhe mjaft të rrezikshëm.

Procesi shumë i zgjatur negocimesh, rrezikimi i funksionalizimit të shtetit me krijimin e entiteteve të veçanta etnike me pushtet ekzekutiv,  mungesa e transparencës rreth temave të diskutuara respektivisht rreth marrëveshjeve, pastaj ngecjet në procesin e integrimit evropian, izolimi i vazhduar i qytetarëve, si dhe bllokimi i procesit të njohjeve e anëtarësimit në mekanizma ndërkombëtar, janë vetëm disa nga shkaqet që ilustrojnë lëshimet dhe mos arritjet e palës tonë në këto negociata gjatë tërë këtyre viteve. Vijat e kuqe tani janë duke u lëkundur, dhe duhet të behet çmos që ato në asnjë mënyrë të mos tejkalohen.

Përndryshe, pasojat për funksionimin e shtetit, stabilitetin politik dhe sigurinë, mund të jenë të paparashikueshme. Këtyre ditëve pritet që Republika Serbe ta mbajë referendumin për shkëputje nga Bosnja e Hercegovina, dhe pikërisht rasti i Bosnjës dhe marrëveshjes se Dejtonit, duhet të na shërbejë si mësim se çfarë dëme të pariparueshme mund të sjellin marrëveshjet e tilla që paralizojnë funksionimin dhe rrezikojnë ekzistencën e vet shtetit. Qeveria duhet të ndryshojë përbërjen e përfaqësimit në negociata, të qartësojë terme gjuhësore e afate kohore, pasi që keqinterpretimet dhe stërzgjatja e negociatave rrezikon stabilitetin politik si në Kosovë ashtu edhe në rajon. Ndërsa, konsensusi i gjithmbarshëm politik dhe bashkëpunimi me shoqërinë civile do të duhej të sigurohet prapë, në mënyrë që negociatat të jenë mbi interesat partiake.

 

 

23 shtator 2016
21:02

Bekim Baliqi