Dronët nga perspektiva e lirisë së shprehjes

Kosova duhet të garantojë respektimin e të drejtës së shprehjes dhe të sigurohet që përdorimi i dronëve nuk do të kufizohet pa arsye legjitime.

03 gusht 2016 09:02

Më 26 maj Policia e Kosovës arrestoi një person duke filmuar.

Ai po filmonte pa leje me dron fluturues ambientet e sheshit “Ibrahim Rugova” në qendër të Prishtinës.

Filmuesi nuk do të arrestohej dhe droni nuk do t’i konfiskohej po të kishte qenë i pajisur me leje nga Autoriteti i Aviacionit Civil të Kosovës (AAC) që është kompetent për rregullimin e përdorimit të dronëve.

Por, Kosova duhet të ketë kujdes të garantojë respektimin e të drejtës së shprehjes, të sigurohet që përdorimi i dronëve nuk do të kufizohet pa arsye legjitime dhe ta promovojë të drejtën e përdorimit të tyre. Fakti që skena mediale e Kosovës nuk është më e zhvilluara teknologjikisht (pra që në parim mediat kosovare nuk pritet të kenë në posedim shumë dronë), nuk duhet të shfrytëzohet për ta kufizuar këtë mjet potencial informacioni kur mediave t’u duhet.

Droni është mjet ajror pa pilot që kohët e fundit, përveç për qëllime ushtarake, përdoret edhe për mbledhje të informacioneve përmes xhirimeve dhe fotografimeve nëpër botë. Meqenëse kështu përdorimi i dronit hyn në kategorinë e të drejtës së lirisë së shprehjes dhe duke qenë se ky lloj filmimi është shpesh në konflikt me të drejtën e privatësisë, hartimi i legjislacionit përkatës është shndërruar në sfidë për shumë vende të zhvilluara.

Autoriteti i Aviacionit Civil në Kosovë që prej 2014-ës zbaton Rregulloren për Sistemet e Mjeteve Ajrore pa Pilot me Peshë më të Vogël se 20 Kilogramë. Bazuar në këtë rregullore, deri në korrik 2016 janë lëshuar 19 leje për operime me dronë për qëllime komerciale, ndërsa janë shqiptuar dy dënime në vlerë rreth 100 euro, sipas të dhënave të raportuara nga AAC-ja.

Deri në fund të këtij viti pritet të hyjnë në fuqi rregulla të reja pasi legjislacioni është aktualisht duke u rishikuar. Ky blog ofron informata rreth rregullimit aktual të përdorimit të dronëve dhe sugjeron ndryshime që mund të përfshihen në rregulloren e re.

Sipas rregullores në fuqi, përdorimi i dronit - termi ligjor është mjet ajror pa pilot - mund të bëhet vetëm me leje pa pagesë që merret në AAC duke plotësuar formularin që gjendet online. Ndër kushtet që përdoruesi i dronit duhet të plotësojë për t’u pajisur me leje janë: të mos rrezikojë personat dhe ambientin përreth, të xhirojë brenda 500 metrave dhe të ketë kontakt vizuel të vazhdueshëm me dronin gjatë përdorimit të tij. Në veçanti ndalohet xhirimi i zonave të kontrolluara nga KFOR-i.

Por rregullorja ka nevojë të precizohet më tutje ashtu që t’u mundësojë gazetarëve dhe mediave ta përdorin me lehtësi dhe shpejtësi duke marrë parasysh natyrën e punës në media. Për shembull, rregullorja nuk parasheh kohëzgjatjen e lejes së përdorimit të dronit. Në Mbretërinë e Bashkuar leja e përdorimit vlen 12 muaj me mundësi të përtëritjes. Po ashtu, nuk parashihet koha e pritjes për t’u pajisur me leje. Sipas formularit të aplikimit, përdoruesi duhet të njoftojë AAC-në së paku tri ditë më herët, afat ky që mund të konsiderohet si koha e pritjes për t’u pajisur me leje, por që duhet të parashikohet me rregullore. Draftimi i rregullores së parë është përcjellë edhe me mungesë të përfshirjes së palëve të interesuara. Gjatë konsultimit publik AAC-ja, e cila siç duket është mjaftuar vetëm me publikimin online të draft-rregullores pa i kontaktuar palët e interesit, ka pranuar vetëm një koment nga Federata Aeronautike e Kosovës. Si rezultat, kameramanët, gazetarët, kompanitë mediale dhe shoqëria civile kanë mbetur të papërfshirë në këtë proces.

Këto mangësi do të mund të adresohen në rregulloren e re e cila ishte plasuar online për konsultime publike më 18 maj 2016, por është tërhequr nën arsyetimin se “do t’i nënshtrohet një rishikimi të hollësishëm të brendshëm për shkak të komenteve të shumta nga palët e interesit dhe me qëllim të koordinimit sa më të mirë me të gjitha autoritetet shtetërore me përgjegjësi në fushën e sigurisë”. Sipas AAC-së, drafti i ri kësaj rregulloreje do të dalë në konsultim publik në fund të shtatorit.

Për shkak të implikimeve ligjore që ndërlidhen sidomos me privatësinë dhe rrezikshmërinë nga aktet terroriste, Autoriteti i Aviacionit Civil duhet të marrë për bazë praktikat më të mira siç është ajo e Mbretërisë së Bashkuar dhe të përfshijë në procesin e hartimit mediat, shoqërinë civile dhe institucionet tjera relevante, e sidomos policinë, Avokatin e Popullit dhe Agjencinë Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

Këto institucione fillimisht duhet t’i ndërtojnë kapacitetet e tyre që të trajtojnë rastet e përdorimit të dronëve dhe pastaj të koordinohen për informimin e publikut rreth të drejtave dhe rreziqeve që vijnë me përdorimin e tyre. Për zbatimin e duhur të rregullores është e nevojshme ndërmarrja e fushatës informuese rreth përdorimit të dronëve që ende nuk është bërë. Po të ishte ndërmarrë fushatë informuese zor se do të ishte arrestuar ndonjë person vetëm pse ka shfrytëzuar të drejtën e lirisë së shprehjes që të mbledhë informacione me dron.

Në Kosovë është dëshmuar tendenca që të dhënat personale dhe privatësia të shfrytëzohen si arsyetime ligjore për të censuruar mediat dhe gazetarët. AAC-ja duhet të garantojë që një lloj kufizimi i këtillë nuk bëhet edhe me dronët që përdoren për informacion.

 

03 gusht 2016
09:02

Flutura Kusari