Baci, daja, nipi apo eklipsi i shoqërisë kosovare

03 maj 2016 11:17

Tendenca për të krijuar mobilitet social përtej kufijve nacional më nuk është autoriteti i babait, por ai i vëllait.

Vëllai në shoqëritë patriarkale gjithmonë e ka tejkaluar babain, atë që ka investuar deri në tejkalimin e vetes. Ky transformim nga krijuesi në trashëgimtar është përtej patriarkut, është pushtet, të cilit i nënshtrohet edhe vet ai me vullnetin e tij. Një veprim të tillë, Lacan e cilëson si distancim: “Emri i babait e distancon birin dhe artikulon subjektin, e shtyn në zemër të simptomës së tij dhe bëhet shtylla kurrizore”. Prandaj, sot nuk është e rastësishme se të gjitha lëvizjet për mobilitet thirren në emër të vëllamërisë, ngase kjo është fuqia e vetme e cila mbetet e pamposhtur. Nga ky këndvështrim, gabimi më i madh i të gjitha lëvizjeve shoqërore për emancipim është se u përqendruan te roli i babait, porse jo vëllait. Ai është figura kyçe e identitetit patriarkal, sepse ky subjekt ka në vete të shkrirë të priturat e ushtruara përgjatë fëmijërisë dhe autoritetin e babait të transformuar në normë.

Duke e trajtuar këtë simptomë, Jean-Daniel Matet e trajton atë si një emër- identitet, i cili shndërrohet në metafizik, ngaqë babai, vëllai, apo i i biri, hyn në funksion të emërimit të tij:  "Çdo bir, i natyrshëm apo jo, çdo fëmijë, duhet, sidoqoftë, adoptuar: kështu që është i nevojshëm një akt fjale për ta larguar me marifet faktin biologjik".

***

Për dallim nga vëllamëria, e cila në esencë është patriarkale dhe rrjedhimisht i shërben mobilizimit për ideale të larta, ai i motërzimit u krijua si një nevojë për të çrrënjosur vlerat patriarkale - seksiste të vet grave ndaj vetes, por jo domosdoshmërisht e ndërtuar mbi premisën e nënës, si referencë qendrore. Nëna, nuk është vazhdimësia e matriarkatit, ndaj, motërzimi e bënë njëfarë diferencimi me të kaluarën duke mbyllur sytë nga roli i të qenit nënë, e cila mbetet ende në nivelin e konstruktit social, i projektuar nga ndikimi dhe fuqia patriarkale.

Pavarësisht se ky mobilitet konsiderohej se mund të sillte një mënyrë jetese, si koncept politik nuk ishte lëvizje kundër burrave. Por, siç shkruan Bell Hooks: “sfidimi dhe ndryshimi i të menduarit seksit të grave ishte hapi i parë për të krijuar një motërzim të fuqishëm, që do ta kishte shkundur përfundimisht kombin”.

Në këtë kontekst, ky koncept politik nuk kishte për qëllim domosdoshmërisht rikthimin e subjektit grua në pushtet, të dominimit, siç paragjykohet, por ishte përpjekje që nëpërmjet solidaritetit politik midis grave të përmbyset patriarku, i cili dominohet duke nënshtruar gratë.

Për dallim nga vëllamëria, motërzimi përmban politika emancipuese. Fenomeni i parë është krijuar për të fuqizuar rendin shoqëror aktual, i shndërruar në dogmë të rrymave ekstreme të zhvillimit. Prandaj, sot çdo përpjekje për të krijuar mobilizim për një kauzë përtej nacionales, siç janë ato fetare, koncept adekuat ka vëllamërinë.

***

Vëllamëria është krijuar mbi bazën e solidaritetit me llojin e njëjtë, me tëndin, me prodhimin biologjik dhe social.

Kjo mendësi ka zënë vend prej kohësh në zhvillimin soc-kulturor shqiptar, duke pasur parasysh faktin se familja gjenealogjike shqiptare jeton ende në frymën e babës, bacës, dajës apo nipit. Pra, që të tria këto koncepte që lidhen me mënyrën e jetesës patriarkale, që janë personifikim i një pushteti burrash, si një mekanizëm superior i mbikëqyrjes, kontrollit dhe udhëheqjes. Në këtë relacion, sot shoqëria shqiptare përballet me pasojat e mendësisë së babës, bacës apo dajës. Secili në njërën apo mënyrën tjetër paraqet cenimin më të vrazhdë që mund t`i bëhet familjes bërthamë. Ky një koncept i katapultuar në maja të pushtetit politik, të cilit i ka paraprirë ai ushtarak me format e organizmit të luftës së fundit, ku të pranishëm fuqishëm janë konceptet e dajës e bacës si një binom arkaik kundrejt konceptit të lirisë si koncept aposterior. Së fundi i etablauar fort në partitokracinë kosovare, e cila e ka zor të funksionojë apo të lirohet nga ideja e konceptit bacë e dajë. Mbi këto nocione, çuditërisht ngrihet krejt rrëfimi për patriotizmin, heroizmin apo së fundi edhe për korrupsionin.

Një lloj transformimi transcendental i koncepteve bazike të familjes bërthamë në koncepte të ngjashme me “Cosa Nostra”, ku s`ka kauzë shoqërore, por personale në funksion të marrjes së primatit kundrejt kontrollit të nëntokës.

Kjo tendencë, ka bërë që Kosova edhe sot e kësaj dite të mbetet peng i bacave, dajave e nipave duke krijuar një surrogat të vëllamërisë, si një lëvizje e legjitimuar dhe e pranuar në heshtje. Pra, janë ata që vendosin për fatin tonë, rrugëtimin e mëtejmë të shtetit dhe trajtimin e tij si pronë private, në të cilën vazhdon të jetë i afishuar mbishkrimi i do vjetëve më parë “e nxanun

03 maj 2016
11:17

Sibel Halimi