A punon shoqëria civile për interesa të huaja?

03 shkurt 2016 10:50

Në një takim të djeshëm të komisionit parlamentar për integrime europiane, nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti, citohet të ketë thënë, mes shumë aludimesh të tjera për shoqërinë civile, se një grup që paguhet prej dikujt (duke i nënkuptuar me gjasë donatorët e huaj) nuk mund të konsiderohet si shoqëri civile e Kosovës.

Me këtë deklaratë, zt. Haliti tërthorazi e bëri të qartë parapëlqimin e tij që paraja e cila është në qarkullim në Kosovë për shoqërinë civile, ta kishte burimin brenda vendit, sepse vetëm kështu me gjasë do të mund të konsiderohej si përfaqësuese e interesave burimore dhe të sinqerta.

Supozoj se një rrethanë ideale e imagjinuar prej Halitit, apo edhe ndonjë pushtetari tjetër që është dyshues ndaj organizatave të shoqërisë civile, do të ishte një rrethanë ku kjo para fillimisht do të kalonte nëpër duart e shtetit (e rrjedhimisht pushtetit), në mënyrë qe edhe shoqëria civile të mund të ndikohej, ashtu siç ekziston një tendencë që të ndikohen bizneset që varen prej parasë publike, apo edhe punëtorët e sektorit publik.

Argumenti i tërthortë i logjikës se Halitit, i artikuluar shpesh në forma të tjera edhe prej rrymave më radikale brenda VV-së që flasin për "djem e vajza ambasadash", është se origjina e jashtme e parasë bën shoqëria civile të mos punojë për interesat e vërteta të vendit, por të kthehet në instrument të interesave të atyre që i japin paratë.

Me këtë logjikë dyshuese zakonisht shërbehen regjimet autokratike të cilave nuk u pëlqen ekzistenca e një poli të mendimit që është i pavarur prej politikës.

Madje në Rusi regjimi e ka çuar këtë lloj të të menduarit mbi shoqërinë civile në një përfundim të natyrshëm logjik, duke i detyruar të gjithë punëtorët e OJQ-ve që financohen prej donatorëve të huaj, që të deklarohen pranë organeve të shtetit edhe zyrtarisht si “agjent të huaj” - një stigmatizim i rëndë ky në një shoqëri që është dyshuese ndaj perëndimit.

Sipas kësaj logjike autoritare, autenticiteti i aktivizmit dhe ndjekjes së kauzave shihet si absolutisht i lidhura me burimin e parasë.

Gjë që të shtyn ta parashtrosh një pyetje legjitime: a do të ishte shoqëria civile përfaqësuese e interesave të vërteta publike nëse do të financohej vetëm prej burimeve të pakta të brendshme të kësaj ekonomie të varfër? Në një mjedis politik si ky i yni ku qarkullimin e parasë së paktë në masë të madhe e përcaktojnë interesat politike dhe komerciale dhe kushtëzimet e tyre, a do t'i mbronte interesat e vendit, apo interesat e veçanta të pushteteve dhe bizneseve, një shoqëri civile e tillë?

Argumenti se origjina e parasë ka ndikim në agjendat e OJQ-ve është përgjithësisht i vërtetë. Edhe në Kosovë donatorët e huaj paranë e japin të kushtëzuar me ndjekjen e agjendave apo me përmbushjen e ca kushteve që rëndom përcaktohen në “thirrjet për aplikime”, që është praktikë krejtësisht normale.

Por fatmirësisht pjesa dërmuese e tyre burojnë prej shteteve perëndimore dhe demokratike të cilat përmes këtyre mjeteve kanë synime parimore që ta forcojnë demokracinë në vend, pra që ta shpërndajnë tek ne një vlerë të çmueshme të shoqërive të tyre, e jo të imponojnë diçka që u përshtatet vetëm interesave të tyre ekonomike dhe politike, e që neve na bën vetëm dëm.

Natyrisht, edhe në mesin e donatorëve dhe OJQ-ve ka të tillë që mund të kenë agjenda të dyshimta të cilat jo detyrimisht përputhen me interesin publik dhe me demokratizimin e vendit. Këtu nuk bëjnë pjesë vetëm disa organizata fetare që për vite të tëra kanë shërbyer si mbulesa të agjencive lindore të zbulimit apo të organizatave terroriste. Të paktën edhe një donator perëndimor me nam po me bie ndërmend si me agjendë të tillë të ngushtë.

Dhe po, është e vërtetë se paraja e madhe e hedhur drejt shoqërisë civile e ka korruptuar edhe atë deri-diku, duke e fryrë tej mase sektorin e OJQ-ve dhe duke e kthyer në industri që krijon vende pune apo edhe përfitim, gjë që ua zbeh motivin burimor si luftëtare parimore të interesave publike.

Por a mund ta përfytyrojmë për një moment një Kosovë ku nuk do të ekzistonte kjo pavarësi financiare e sektorit të OJQ-ve përmes "parasë së huaj"?

Në një rrethanë të tillë, vështirë se do te kuptoheshin kaq shumë gabimet e pushteteve dhe hapësira për diskutim kritik ndaj të fuqishmëve pa dyshim se do të ishte më e kufizuar. Edhe nëse një pjesë të kësaj pune do ta kryenin partitë opozitare me denoncimet e tyre, pa shoqërinë civile nuk do ta kishim të gjallë edhe këtë hapësirë të vogël për reflektime objektive dhe debate konstruktive, e cila viteve të fundit u ka penguar shumë partive politike, qofshin ato në pushtet apo në opozitë.

Pra pa këtë pol të shoqërisë që është financiarisht i pavarur prej politikës nuk do ta kishim luksin si shoqëri për të parë përtej interesave të ngushta partiake dhe komerciale (qoftë të pushtetit apo opozitës) që duan kontroll të plotë mbi hapësirën publike dhe monopol mbi të vërteten, e që këta muaj ishin të gatshëm të na çonin drejt vëllavrasjes, në emër të të vërtetave të tyre absolute.

Në një kohë kur kacafytja për pushtet vazhdon të na asfiksojë të gjithëve, sidomos zt. Haliti në Kuvend, me gazin e vet lotsjellës, nuk e di nëse do të mund të kishte shërbim më të madh ndaj interesit publik se roli amortizues dhe arbitrues të cilin sot po e luajnë OJQ-të, me gjithë të zezat dhe të metat e tyre. Për këtë arsye zt. Haliti gabon rëndë kur shoqërinë civile e konsideron në kallëp si flamurtare të interesave që nuk janë të Kosovës. Faturën ndoshta e paguan dikush tjetër por në tavolinë po shërbehet ushqim i shëndetshëm.  

03 shkurt 2016
10:50

Agon Maliqi