Nisma për ta forcuar censuruesin e dëshmuar

Një nismë ligjore e sponzoruar nga zyra më e fuqishme e shtetit rrezikon ta fuqizojë pushtetin e Agjensionit Shtetëror për Mbrojtjen e të Dhënave Personale në fushën e informimit publik - deri edhe në shnëdërrim në Komisioner për Informim - ndonëse bëhet fjalë për një institucion të dëshmuar për censurim dhe anshmëri politike.

29 dhjetor 2015 09:01

Zyra e Kryeministrit të Kosovës (ZKM), lidere në shpërfilljen dhe refuzimin e kërkesave për qasje në dokumente zyrtare, në nëntor inicoi ndryshimin e ligjit për qasje në dokumente publike.

Ligji në fuqi u mundëson gazetarëve, shoqërisë civile dhe qytetarëve qasjen në dokumentet e mbajtura, hartuara ose pranuara nga institucionet publike. Ai është një ndër ligjet më të mira në rajon, sepse detyron autoritetet të kthejnë përgjigje brenda afatit të shkurtër kohor prej shtatë ditësh, nuk e obligon kërkuesin e dokumentit të ofrojë arsye për kërkesën e tij, obligon institucionin që të përcjellë kërkesën tek autoriteti përgjegjës nëse nuk e posedon informatën e kërkuar, kërkesa mund të bëhet në çfarëdo mënyre dhe dokumenti mund të kërkohet në çfarëdo formati.

Arsyet e Kryeministrisë për të ndryshuar legjislacionin janë mungesa e një institucioni që mbikqyrë zbatimin e ligjit, mungesa e fuqisë ekzekutive të Avokatit të Popullit, paqartësia e përjashtimeve që arystojnë refuzimin dhe mungesa e metodës për matjen e interesit publik. Zyra e Kryeministrit i referohet, ndër të tjera, edhe raportit të progresit të Komisionit Europian për vitin 2014 i cili në fakt nuk rekomandon ndryshimin e ligjit, por kërkon zbatimin e tij.

Meqë aktualisht zyra e Kryeministrit vepron si “mbikqyrës” i zbatimit të këtij ligji, pasi që mbledh të dhëna nga institucionet rreth kërkesave për qasje në dokumente publike dhe publikon raport vjetor, disa institucione të pavaruara -- Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe Avokati i Popullit -- kanë bojkotuar përpjekjet e ZKM-së në mbledhjet e këtyre të dhënave nën arsyetimin se kjo përbën shkelje të pavarësisë së tyre institucionale.

Nisma e re ligjore e Kryeministrisë rrezikon prapakthim të mëtejmë në këtë fushë.

Koncept dokumenti i spozoruar prej saj ofron pesë opsione për qasjen në dokumente publike. Opsioni i parë është mosndryshimi i ligjit, tri opsione tjera udhëzojnë për themelimin e Komisionerit për Informim, reformimin e Agjensionit Shtetëror për Mbrojtjen e të Dhënave Personale që më pas do të quhej Komisioneri për Informim ose krijimin e një trupi të veçantë, dhe opsioni i fundit është zbatimi i ligjit ekzistues.

Bazuar në arsyetimin e dhënë në koncept dokument, qëllimi kryesor i kësaj iniciative duket të jetë bartja e përgjegjësisë për mbikqyrjen e zbatimit të ligjit për qasje në dokumente publike tek AShMDP-ja.

Por, shndërrimi i AShMDP-së në zyrën e Komisionerit për Informim dhe mbikqyrësin kryesor për qasje në dokumente publike është inicativë e rrezikshme që do të kontribuonte në censurimin e mëtutjeshëm të informacionit publik dhe thellimin e mbylljes së institucioneve.

Ky blog  paraqet disa arsye kundër fuqizimit të rolit të AShMDP-së në fushën e të drejtës për informim, ofron një vlerësim të opsioneve tjera të propozuara nga Qeveria dhe rekomandon fuqizimin e zyrës së Avokatit të Popullit.

Që nga themelimi i saj, AShMDP-ja ka dëshmuar që nuk është institucion i pavarur, ndonëse themelohet nga Parlamenti. Udhëheqësi i saj, Ruzhdi Jashari, ka qenë anëtar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) ndërsa mbikqyrësi i saj shtetëror, Mentor Hoxhaj, ndër të tjera, publikisht pëlqen dhe ndan në mediat sociale statusat e ministrit të punëve të jashtme Hashim Thaçi. E njëjta agjenci ka ndërmarrë disa vendime e veprime për të kufizuar publikimin e dokumenteve publike. Më 2012 ajo pati lobuar fuqishëm, por pa sukses, për largimin e deklaratave të pasurisë të zyrtarëve publikë nën arsyetimin se me këto deklarata ata mund të rrezikohen jashtë vendi. Në të njëjtin vit, agjencia pati vendosur kundër publikimit të faturave të shpenzimeve të kryeministrit dhe zëvendëskryeministrave. Gjykata Themelore në Prishtinë, në rastin Birn v. Zyra e Kryeministrit, në tetor 2015 vendosi në favor të publikimit të atyre faturave. Pastaj, ende nuk dihet nëse AShMDP ka ndërmarrë ndonjë veprim gjatë zgjedhjeve të fundit ku shumë deputetë, përfshirë deputetë të PDK-së, patën shkelur në mënyrë flagrante të dhënat personale të mijëra qytetarëve duke i kontaktuar në telefon për të kërkuar votën e tyre.

AShMDP-ja është treguar më “liberale” kur nuk bëhej fjalë për ish kryeministrin Thaçi. Më 2013 ajo pati rekomanduar Presidencën të publikonte kërkesat për falje nga të dënuarit të bëra nga zyra e Presidentes si dhe Ministrinë e Kulturës që të publikonte CV-të e kandidatëve të drejtorëve për teatër kombëtar.

Sipas ligjit, aktualisht AShMDP-ja është përgjegjëse për mbikëqyrjen e zbatimit të rregullave për mbrojtjen e të dhënave personale dhe privatësisë. 

Me precedentet e krijuara që nga viti 2012, AShMDP-ja ka dëshmuar që është tejet e varur dhe e ndikuar politikisht që të kontribuojë në ngritjen e transparencës së autoriteteve publike. Zgjerimi i kompetencave të saj do ta fuqizonte atë dhe do t’ia mundësonte tutje censurimin e informacioneve që duhet të jenë në domenin publik.

Një nga opsionet tjera në koncept dokument është themelimi i zyrës së Komisionerit për Informim të zgjedhur nga Parlamenti që do të shërbente si shkallë e dytë për të ndihmuar qytetarët që të realizojnë të drejtën për informacione. Në parim, kjo është ide e mirë sepse instalimi si duhet i zyrës së Komisionerit për Informim do të mundësonte mbikqyrjen e pavarur të legjislacionit për qasje në dokumente publike siç  ndodh në disa vende në Bashkimin Europian. Por ky institucion funksionon në vende ku sundon ligji, ka pavarësi institucionale dhe ku respektohet ndarja e pushteteve.

Shumica e institucioneve të ashtuquajtuara të pavaruara të themeluara nga Parlamenti i Kosovës në fakt nuk janë të tilla ose janë tejet të pafuqishme për të zbatuar ligjin. Komisioni i Pavarur për Media historikisht ka qenë dhe mbetet i politizuar për shkak se shumë anëtarë të Komisionit kanë qenë dhe janë të ndërlidhur me politikën, ka buxhet të pamjaftueshëm për të funksionuar dhe vendimet për sanksione zor se mund të ekzekutohen pa ndihmën e gjykatave. Agjensioni Kundër Korrupsion nuk mund të bëjë shumë në mbikqyrjen e konfliktit të interesit të zyrtarëve publikë sepse nuk ka fuqi ekzekutive dhe varet nga sistemi gjyqësor. Mos pavarësia e Organit Shqyrtues të Prokurorimit është një ndër arsyet që vonuan liberalizimin e vizave. Është e qartë që Kosova nuk ka kulturë të krijimit dhe respektimit të institucioneve të pavaruara dhe kjo është arsye pse zyra e Komisionerit për Informim mund të ketë fat të njëjtë.

Fillimisht përzgjedhja e Komisionerit, që do të pritej të bëhej nga Kuvendi, do të bënte që ai/ajo të konsiderohej anëtar i LDK-së ose i PDK-së dhe jo individ i pavarur, dhe rrjedhimisht do të ketë kredibilitet të zvogëluar tek mediat dhe publiku. Nëse zgjedhja e tij apo e saj bëhet me dy të tretat e votave, praktikë kjo që siguron emërim pak më të pavarur, procesi i zgjedhjes se tij apo saj mund të zvarritet gjatë, siç ishte rasti me Avokatin e Popullit.

Pastaj, fuqia ekzekutive e institucioneve, e në këtë rast edhe e Komisionerit, varet në masë të madhe edhe nga sistemi gjyqësor. Nëse zyra e tij apo e saj shqipton gjobë për mos lëshim të dokumenteve dhe institucioni nuk i përmbahet dënimit, rasti do të përfundojë në gjykatë, siç ka ndodhur me dhjetëra raste të KPM-së, AKK-së dhe institucioneve tjera. Duke e ditur brishtësinë e sistemit gjyqësor, numrin e madh të lëndëve që kanë natyrë më urgjente sesa qasja në dokumente publike, ka pak pak arsye të besohet që procedura do të përshpejtohet nëse kompetencat i kalojnë Komisionerit për Informim.

Një element tjetër është përgatitja profesionale dhe njohuria e standardeve ndërkombëtare për lirinë e shprehjes nga Komisioneri apo stafi përcjellës i tij, që është kusht esencial për zbatim të duhur të këtij ligji. Duke e ditur që punësimi në institucione publike nuk bëhet bazuar në meritokraci por në lidhje familjare, ekziston rreziku që zyra të popullohet nga njerëz jokompetentë që më shumë do të bënin dëm sesa që do të ndihmonin transparencën. Një gjë e tillë ka ndodhur me AShMDP-në, së cilës i janë dashur disa vjet që t’i referohet interesit publik dhe precedentëve të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut në vendimet e saj.

Aktualisht, rolin e Komisionerit e luan pjesërisht Avokati i Popullit, zyre kjo që nuk ka fuqi ekzekutive, vonohet në marrjen e vendimeve dhe has në vështirësi gjatë zbatimit. Qytetari mund të ankohet nëse kërkesa për qasje në dokumente publike i refuzohet. Avokati i Popullit pas hulumtimit të rastit mund t’i rekomandojë institucionit të publikojë dokumente. E njëjta praktikë është edhe në institucionet e Bashkimit Europian, ku qasja në informacione publike mbikqyret nga zyra e Ombudsmenit Europian që udhëhiqet nga Emily O’Reilly. Shumica e vendimeve të saj, ndonëse pa fuqi ekzekutive dhe vetëm rekomanduese, respektohen nga institucionet e BE-së. Prandaj në vend të ndryshimit të këtij ligji, insitucionet duhet t’ia lehtësojnë punën Avokatit të Popullit duke e mbështetur, respektuar dhe bashkëpunuar me të. Në anën tjetër, zyra e Avokatit të Popullit duhet të përkushtohet që t’i trajtojë rastet që ndërlidhen me qasje në dokumente publike me profesionalizëm dhe efikasitet.

Zbatimi i ligjit për qasje në dokumente publike varet kryekëput nga vullneti politik. Mangësitë e vogla që mund të ketë ligji aktual nuk duhet të përdoren si arsye për të bërë ndryshime kaq të mëdha pasi që institucionet janë të lira të zbatojnë drejtëpërsëdrejti standardet më të mira ndërkombëtare si standardet e Këshillit të Europës apo ato të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut gjatë procesimit të kërkesave. Ndryshimi i ligjit për herë të tretë nuk garanton fillimin e zbatimit të saj. Në vend se të kalohen muaj të tërë dhe shpenzime të buxhetit  publik në ndryshimin e këtij ligji, autoritetet publike duhet të punojnë në zbatimin e tij duke lëshuar dokumentet që janë në interes publik.

 

29 dhjetor 2015
09:01

Flutura Kusari