Hamdiu 4G - ikona e primitivizmit kosovar

24 dhjetor 2015 09:46

Hamdiu fillimisht kishte problem me gruan e më pas ajo e kishte lënë. Ky është komenti i dy ndërtimtarëve teksa në sfond po e vështronin gruan e veshur me minifund duke bërë një telefonatë.

Stereotipi i gruas i paraqitur në dy reklamat e prodhimit të Valës paraqet në esencë një nëntekst shqetësues për funksionimin e shoqërisë kosovare. Rrëfimi në reklamën e rrjetit telefonik Vala me idenë për të tërhequr sa më shumë klientë që e shfrytëzojnë 4G-në, ka kosto, të cilën po e paguajnë taksapaguesit kosovarë.

Nga prizmi i marketingut, ndoshta një reklamë kësisoj është në rregull, sepse e godet misionin për të cilin është prodhuar. Por, kushdo që e ka bërë këtë reklamë, e ka ideuar duke manipuluar me fatkeqësinë e kësaj shoqërie. Pse duhet ta përqafojmë modelin e dobët në funksion të reklamës. Është për t`u habitur pse reklamat e tilla kur kanë të bëjnë me familjen apo jetën në çift dështojnë të promovojnë vlera përtej asaj që ne i shohim dhe përjetojmë pothuajse çdo ditë.

Kjo për faktin se debati për funksionimin e jetës në çift dhe familje vazhdon të paraqitet nga një prapavijë primitive, gjë e cila po ndikon në pengimin e ndryshimit të saj. Prandaj, kjo reklamë më së miri nxjerr në pah paradokset e shoqërisë kosovare. Një njërën anë deklarativisht janë të gjithë pro konceptit modern, ndërsa në anën tjetër kur flitet për zhvillimet brenda familjes ruhen dhe promovohen vlera patriarkale që shpijnë në martesa poligamike të vizualizuara në formën simbolike.

Në këtë mënyrë, media audio-vizuale po përdoret si mjet për t`i tërhequr konsumatorët e rinj nëpërmjet produkteve me përmbajtje ideologjike. Me një përsëritje të shpeshtë të reklamave të tilla, media luajnë roli ndërmjetësues në relacion me publikun për promovimin e këtyre vlerave, të cilat më nuk paraqesin shqetësim.

Për mungesë të një mekanizmi vlerësues, shikuesit çdo ditë ballafaqohen me regresin, dhunohen nga reklama të tilla, teksa gratë vazhdojnë të përdhunohen virtualisht, për të përfunduar më pas në dhunë reale. Kësisoj, media me anë të këtyre reklamave editojnë në mënyrë virtuale, realitetin, në të cilin reflektimet e shpërfytyruara krijojnë sisteme vlerash dhe prioritetesh.

Ky primitivizëm i pranuar dhe legjitimuar në ekranet tona televizive, paraqet jo vetëm gjendjen në të cilën ndodhemi, por edhe pranimin e saj. Hamdiu, Zuka apo kushdo qoftë, është personazhi real, nuk është vetëm  fiksion. Ai është në institucione, në media, në mësimdhënie, politikë apo estradë, dhe për më tepër krijon opinion publik me pjesëmarrje edhe në debatet  televizive.

Hamdiu, tregon çfarë jemi dhe përcakton shtigjet nëpër të cilat do të ecim, çmimin të cilin do ta paguajnë gratë me gjykime e paragjykime, dhe seksizmin që shpie në pranimin e përdhunimeve dhe vrasjeve të tyre. Prandaj, ky Hamdi është vështirë të ndryshohet, të ndihet i lirë të bëjë çfarë të dojë. Ai është kudo rreth nesh, përcakton fatin tonë, ndërsa ne e duam, sepse nuk kemi çfarë t`i bëjmë, sepse Hamdiu është masa e krenarisë tonë kombëtare.

Hamdiu çdo ditë na përkujton kush jemi, sepse po të mos ishte ai do të krijoheshin iluzione për një shoqëri kosovare tejtërfare. Por, Hamdiu po e betonon mendimin, sjelljen, përpjekjen. Kësisoj, nuk duket e rastësishme që Hamdiu i parlamentit zgërdhihet kur një grua përpiqet të reflektojë se ky vend është në humnerë. Hamdiu më vete mendon se ky shtet duhet të mbahet në katër shtylla, në fakt shteti ngulitet në ato katër shtylla, sepse ato janë tipare të një mendësie primitive mbi gratë. Shtyllat e Hamdiut zor të rrënohen sepse në kohëra të reja, riambalazhohen modele primitive. Në parim, Hamdiu është brenda nesh, varësisht çfarë gjinie jemi. Sigurisht, nëse jetojmë jashtë kornizës katërpikëshe të tij, nuk do të ekzistojmë, prandaj ai është i pranishëm, e duam, e përqeshim dhe në të njëjtën kohë e urrejmë në heshtje. Hera- herës e shikojmë vëngër, e qortojmë, por Hamdiu është shndërruar në supermaci të vlerave tona, sepse askush nuk do t`i prish punët me të. Në të kundërtën nëse nuk i japim një buzëqeshje, nuk do të lavdërohemi se kemi bërë punë të suksesshme, nuk do të marrin çmime apo pjesë në ahengjet e fundvitit, nuk do të duartrokitemi, sepse Hamdiu përcakton statusin tonë.

Prezenca e Hamdiut, na jep luksin e të jetuarit dhe mundësinë e përqeshjes me të tjerët që në një mënyrë a tjetër kanë qëlluar të mos jenë miq të Hamdiut.

Prandaj, Hamdiu nuk është 4G, por 4D i shoqërisë sonë, një profil poliedrik, simbiozë e primitivizmit. Shoqëria kosovare ka nevojë për 4G, porse për ta shndërruar një pjesë të saj në klientelë të rrjetit Vala nuk ka nevojë që të fyhet me reklama të tilla për t`u bërë blerës më pas. Mos e digjni kartën e Valës me reklama të tilla afariste përçmuese!  

 

 

24 dhjetor 2015
09:46

Sibel Halimi