Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Bilanci njëvjeçar i punës së ministrit Arsim Bajrami!

Meqë tashmë u bë një vit që kur z. Arsim Bajrami është ministër i Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), do të provoj që të bëj një bilanc të punës së tij njëvjeçare si ministër, sigurisht bazuar në ato informata me të cilat unë disponoj dhe sigurisht bazuar në gjykimet e mia personale.

Arritje, rezultate dhe praktika të mira:

1. Kalimi i projekteve kapitale (kryesisht ndërtimi e renovimi i objekteve shkollore) nga MASHT në MAP (Ministria e Administratës Publike) është një praktikë e mirë, sepse MASHT nuk ka kapacitete për të menaxhuar këto projekte dhe për më tepër nuk është ministri e ndërtimeve. Sidoqoftë, pavarësisht se projektet kapitale të MASHT-it i menaxhon MAP sërish MASHT është dhe duhet të jetë përgjegjëse që të mbikëqyrë dhe garantojë standardet e ndërtimeve të reja të objekteve shkollore. Përtej kësaj, gjykoj se kjo do të ishte praktikë edhe më e mirë sikur buxheti dhe menaxhimi për projektet kapitale t’ju kalonte drejtpërdrejt komunave dhe MASHT e MAP të merreshin vetëm me mbikëqyrjen.

2. Ndërprerja e kontratës disa milionëshe nga ana e MASHT-it për trajnimet ECDL ka qenë një vendim i duhur. Kjo kontratë, para së gjithash, ka qenë e kundër-ligjshme sepse nuk ka qenë në përputhje me ligjin përkatës për prokurimin publik dhe ka qenë e panevojshme sepse trajnimet ECDL mund të gjenden edhe falas në internet, prandaj dhe shkëputja e kësaj kontrate, përveç që ka qenë e domosdoshme për arsye ligjore e pragmatike, i ka kursyer rreth 5 milionë euro taksapaguesve të Kosovës.

3. “Edukimi” dhe mbyllja e disa IPrAL-ve (Institucione Private të Arsimit të Lartë) ka qenë një arritje e MASHT-it. Në kuadër të kësaj duhet të përmendet mbyllja e ECPD-së (i ashtuquajturi Universiteti i Kombeve të Bashkuara, i cili ka pasur mbështetje të jashtëzakonshme politike vendore e ndërkombëtare), i cili në mënyrë kundër-ligjore ka vepruar për vite në Kosovë, ka zhvatur shumë qytetarë e institucione të Kosovës dhe ka realizuar fitime të mëdha në mënyrë të jashtë-ligjshme. Në kuadër të kësaj arritjeje duhet të përmendet edhe mbyllja e disa degëve (filialeve) të disa IPrAL-ve, të cilat funksiononin jashtë-ligjshëm në disa qytete/qyteza të Kosovës, si dhe moslejimi nga MASHT i keqpërdorimit të termit “universitet” nga disa IPrAL.

4. Vendimi për zvogëlimin dhe unifikimin e pagave dhe shtesave për kryetarët/kryesuesit dhe anëtarët e Këshilleve Drejtuese (KD) të institucioneve publike të arsimit të lartë (IPAL) dhe instituteve kërkimore-shkencore. Para këtij vendimi, kryetarët/kryesuesit dhe anëtarët e KD-ve kanë marrë pagesa shumë të majme dhe beneficione të tjera (deri mbi 1000 euro në muaj) për angazhime dhe kontribute shumë minimale, rrjedhimisht motivi kryesor dhe i vetëm për shumë prej tyre ka qenë vetëm pagesa e jo kontributi për zhvillimin e institucionit publik. Ky vendim ka bërë që këta kryetarë/kryesues dhe anëtarë të paguhen vetëm 150-250 në muaj (plus ca meditje simbolike), gjë që bënë që pagesa të mos jetë motivi kryesor i tyre dhe në të njëjtën kohë kursehet një shumë e konsiderueshme e buxhetit të Kosovës.

5. Fillimi i zbatimit të një praktike të mirë në procesin e rishikimit të ligjeve të fushës së arsimit. MASHT ka filluar inicimin dhe rishikimin e disa ligjeve të fushës së arsimit (Ligji për Profesionet e Rregulluara, Ligji për Arsimin e Lartë, Ligji për Inspektoratin e Arsimit, Ligji i Maturës Shtetërore) dhe parimisht ka ndjekur procedura mjaft transparente dhe gjithëpërfshirëse në procesin e inicimit ose rishikimit të tyre (grupe punuese-grupet bërthamë, grupet e gjera punuese gjithëpërfshirëse, diskutime publike me palët e interesit, etj.), megjithëse ky proces do duhej të avancohej më tutje dhe të jetë edhe më gjithëpërfshirës (p.sh. në grupin bërthamë 10-anëtarësh për Ligjin e Arsimit të Lartë do duhej që së paku të ishte një përfaqësues i IPrAL-ve, do duhej të kishte më shumë kohë për diskutime dhe më shumë diskutime publike). Dua të theksoj që unë jo domosdo pajtohem me përmbajtjen e këtyre ligjeve, por këtu fola vetëm për procedurën dhe procesin e inicimit ose rishikimit të ligjeve. Në këtë pikë gjithsesi ka meritë edhe komisioni përkatës i Kuvendit të Kosovës, i cili ka qenë mjaft aktiv.

6. Përkrahja dhe respektimi i politikave të regjistrimit të studentëve të Universitetit të Prishtinës (UP). MASHT për herë të parë ka lejuar dhe mundësuar zvogëlimin e numrit të studentëve të rinj të pranuar në UP, i cili deri më tani ka qenë gjithmonë në shpërputhje me kapacitetet e UP-së dhe ka qenë ndër shkaktarët e shumë problemeve në UP që ka ndikuar drejtpërdrejt në rënien e cilësisë së studimeve në UP. Në këtë linjë, më e mira është që është zvogëluar numri në shumë profesione e drejtime të “mbipopulluara” dhe është rritur numri në profesione e drejtime deficitare. (Ata që thonë që kjo është bërë nga MASHT për t’ju mundësuar më shumë studentë privatëve, unë personalisht, po të isha ministër do ta zvogëloja numrin e studentëve në UP së paku edhe për 20% pa më interesuar fare privatët, por cilësia e studimeve në UP. Fundja, privatët nuk duhet të shihen si armiq, por duhet të ju kërkohet cilësi). MASHT gjithashtu ka bërë një veprim të mirë që i ka mundësuar UP-së rritjen e peshës dhe rëndësisë së provimit pranues të vet UP-së, sepse kjo siguron pranimin e studentëve më cilësorë në UP.

7. Stimulimi i studentëve të mirë në programet/drejtimet deficitare në IPAL përmes bursave shtetërore nga MASHT. Për herë të parë MASHT ka krijuar skemë të bursave për studentët e programeve/drejtimeve deficitare që studiojnë në institucionet publike (nëse do të kishim vlerësime rigoroze e objektive tek privatët, kjo skemë do duhej të përfshinte edhe studentët e privatëve). Kjo skemë e bursave i stimulon studentët e përkushtuar e të suksesshëm aktualë dhe i stimulon edhe gjeneratat e reja (nxënësit e mirë) që të studiojnë në këto drejtime/programe, në mënyrë që në perspektivë të mos kemi deficit kuadrosh në shumë fusha dhe për më tepër na siguron që në këto fusha të kemi kuadro të mira e kompetente, e jo vetëm plotësim numrash.

Shkelje, shkarje dhe dështime:

1. Privilegjimi kundër-ligjor i statuseve të institucioneve publike të arsimit të lartë (IPAL). Të gjitha IPAL-ët e themeluara më herët në Kosovë (në Mitrovicë, Pejë, Gjakovë, Prizren dhe Gjilan) mbajnë statusin “universitet” në shpërputhje me Ligjin e Arsimit të Lartë dhe MASHT nuk ka ndërmarrë asgjë për të korrigjuar këtë shkelje ligjore, në mënyrë që këto institucione të kenë statusin e tyre në përputhje me ligjin. Veç kësaj, MASHT ka themeluar, apo së paku ka lejuar, që në shpërputhje me Ligjin e Arsimit të Lartë të themelohet edhe një IPAL me statusin “universitet”, Universiteti i Ferizajt (kamuflimi i këtij statusi me termin “Universitet i Shkencave të Aplikuara” nuk e mënjanon tejkalimin dhe shkeljen e ligjit). Për hir të korrektësisë, përgjegjës për këtë shkelje ligjore është edhe Kuvendi i Kosovës që ka kërkuar dhe ka lejuar një gjë të tillë, meqë ky është organi përfundimtar që verr vendime të tilla. Zbatimi i ligjit në këtë pikë për privatët dhe moszbatimi i ligjit në këtë pikë për publikët është një diskriminim i çoroditur dhe një precedent shumë i keq.

2. Mos-ndërmarrja e masave për anulimin dhe korrigjimin e konkursit të UP-së për pranimin e studentëve për vitin akademik 2015-2016, i cili ka qenë në shpërputhje me propozimin e Senatit dhe me vendimin e MASHT-it, gjë që nuk lejohet me ligj. Rektorati i UP-së, kundër-ligjshëm, pati ndërhyrë në këtë konkurs, duke ndryshuar kuotat në disa drejtime dhe MASHT do duhej që të kërkonte anulimin dhe korrigjimin e këtij konkursi në përputhje me vendimin përfundimtar të MASHT-it, ashtu siç e parasheh ligji e jo të lejonte dhe të miratonte heshturazi shkeljen e ligjit nga ana e UP-së. Veç kësaj, MASHT do duhej që të ndërpriste praktikën e kuotave për minoritetet për pranim në UP (të studentëve jo-shumicë boshnjakë, turq, romë, ashkali, egjiptianë dhe kroat), e cila është një praktikë joparimore, joligjore dhe raciste.

3. Vendimi për legalizimin e disa programeve të palicencuara për përgatitjen e mësimdhënësve të disa IPrAL-ve dhe ofrimi i mundësisë që studentët e diplomuar nga këto programe t’i nënshtrohen një programi shtesë për avancimin e kualifikimit ka qenë i kundër-ligjshëm dhe si i tillë krijon një precedent shumë të rrezikshëm në fushën e arsimit të lartë në Kosovë. Sipas ligjit, asnjë kualifikim që vjen nga një program a institucion i arsimit të lartë i palicencuar e i paakredituar  nuk mund të pranohet e rrjedhimisht nuk mund as të “sanohet” përmes programeve për avancimin e kualifikimit.

4. Shkarkimi i Kryetares së Këshillit Drejtues (KD) të UP-së ka qenë një vendim parimisht jo i drejtë nga ana e ministrit. Menjëherë pas vendimit të KD-së së UP-së për shkarkimin e rektorit të UP-së (vendim i cili me të drejtë është shfuqizuar nga ministri për shkak të shkeljeve procedurale nga Senati i UP-së), ministri pati shkarkuar Kryetaren e KD-së së UP-së (e vetmja anëtare e KD-së nga të emëruarit e MASHT-it që ka votuar pro shkarkimit të rektorit). Ky vendim i ministrit ka pasur bazë ligjore, por bazuar në momentin e shkarkimit dhe bazuar në votën e Kryetares pro shkarkimit të rektorit, parimisht ka rezultuar të jetë një ndëshkim për votimin e saj, pavarësisht se vendimi thirret në arsye të tjera. Ministri ose do duhej të shkarkonte të gjithë anëtarët e KD-së të emëruar nga MASHT për shkak të situatës së krijuar në UP, ose nuk do duhej të shkarkonte vetëm Kryetaren e KD-së së UP-së.

5. Mos-zbatimi i kontratës kolektive. Kontrata Kolektive për punëtorët e arsimit është nënshkruar në mes të MASHT-it dhe SBASHK-ut në vitin 2014 dhe shumë pika të saj (me implikime financiare) kanë qenë të parapara të fillojnë të zbatohen nga viti 2015. Pavarësisht kësaj, MASHT nuk ka arritur të përmbushë të gjitha detyrimet e veta të parapara me këtë kontratë, e cila megjithatë është dokument në fuqi. Nëse MASHT nuk ka arritur të sigurojë buxhetin e mjaftueshëm për zbatimin e kësaj kontrate, apo nëse gjykon se disa pika janë joracionale, atëherë së paku do duhej që të kërkonte rinegocimin e Kontratës Kolektive, e jo të shpërfillë detyrimet e një dokumenti në fuqi. Përndryshe, mospërmbushja e Kontratës Kolektive nga ana e MASHT-it ka shkaktuar dhe do të shkaktojë probleme, posaçërisht në arsimin parauniversitar, për shkak të protestave e grevave të organizuara nga SBASHK-u.

6. Mos-ndërmarrja e masave nga MASHT ndaj Agjencisë për Arsim dhe Aftësim Profesional dhe Arsim për të Rritur (AAAPARr). AAAPARr prej vitit të kaluar ka marrë nën menaxhim disa shkolla të mesme profesionale të disa komunave të Kosovës, me qëllim të ndihmimit dhe avancimit të tyre. Mirëpo, të gjitha raportet e këtyre shkollave dhe komunave kanë treguar që AAAPAPr veç sa e ka përkeqësuar gjendjen në këto shkolla dhe për më tepër ka shkaktuar shumë probleme e telashe me ndërhyrjen e vet në lidhje me personelin e shkollave dhe aspekte të tjera, sa që ka shkaktuar edhe ikjen e donatorëve seriozë ndërkombëtarë që kanë qenë të interesuar të përkrahin agjencinë dhe shkollat profesionale. Pavarësisht kësaj, nuk kemi parë ndërmarrje të masave nga MASHT ndaj kësaj agjencie dhe personelit përgjegjës të saj, në mënyrë që të sanonte problemet e shkaktuara nga agjencia dhe të parandalohen problemet që vijnë nga kjo agjenci në të ardhmen.

7. Ministri para së gjithash është person politik dhe vlerësimi i punës së tij duhet të bëhet edhe duke pasur pikë-referencë Programin e Qeverisë (2015-2018). Bazuar në Programin e Qeverisë, deri më tani mund të thuhet se MASHT ka dështuar, madje edhe të fillojë, në përmbushjen e disa synimeve të programit. Nuk është bërë asgjë në rritjen e përfshirjes së fëmijëve në edukimin parashkollor, nuk është bërë asgjë në rritjen e investimeve në hulumtime, shkencë e teknologji, nuk është bërë asgjë në krijimin e skemave të të ardhurave të punonjësve të arsimit bazuar në rezultatet e tyre, nuk është bërë asgjë për rritjen e pjesëmarrjes së shpenzimeve për arsim në BPV në përputhje me mesataren evropiane, nuk është bërë asgjë për arritjen e gjithëpërfshirjes në arsimin e mesëm të lartë, nuk është bërë asgjë për themelimin e Universitetit të Shkencave Bujqësore, nuk është bërë asgjë për organizimin e garave në nivel shkolle, në nivel komune dhe në nivel vendi, etj.. Është bërë shumë pak në krijimin dhe përmirësimin e shumë agjencive që merren me nivele dhe aspekte të ndryshme të fushës së arsimit, është bërë shumë pak për ofrimin e kushteve dhe mundësive për punë praktike për nxënës dhe studentë, është bërë shumë pak për funksionalizimin e shërbimeve profesionale në shkolla, është bërë shumë pak për zgjerimin e hapësirave shkollore dhe universitare, është bërë shumë pak për krijimin dhe avancimin e mekanizmave të sigurimit të cilësisë në të gjitha nivelet e arsimit, etj..

Me rëndësi për t’u bërë në të ardhmen:

1. Krijimi dhe funksionalizimi i mekanizmave objektivë për vlerësimin e performancës dhe rezultateve të mësimdhënësve dhe nxënësve në arsimin parauniversitar, përmes të cilëve do të ndëshkohen mësimdhënësit jokompetentë e të papërgjegjshëm dhe do të stimuloheshin dhe shpërbleheshin mësimdhënësit kompetentë e të përkushtuar, por edhe nxënësit e mirë e të suksesshëm.

2. Fuqizimi i mekanizmave për rritjen dhe sigurimin e cilësisë në të gjitha institucionet e arsimit të lartë, publike e private, dhe investimi në fushën e shkencës dhe teknologjisë, përmes ndarjes së buxhetit më të madh për këto fusha dhe përmes përkrahjes së institucioneve të arsimit të lartë në këto drejtime.

3. Krijimi i kushteve dhe mundësive për përfshirje më të madhe të fëmijëve në edukimin parashkollor në gjithë Kosovën, meqë përfshirja e fëmijëve në këtë nivel të edukimit mbetet pothuajse simbolike, në ndërkohë që është shumë e rëndësishme për zhvillimin e gjithëmbarshëm të fëmijëve dhe shoqërisë në përgjithësi.

4. Krijimi i kushteve dhe mundësive për punë praktike për nxënës të shkollave të mesme profesionale dhe për studentët e nivelit universitar në bazë të marrëveshjeve të ndryshme ndër-institucionale, në mënyrë që nxënësit/studentët dhe shkollat/fakultetet të mos detyrohen që në baza individuale të sigurojnë realizimin e punës praktike.

5. Rishikimi serioz dhe substancial i kurrikulës së re, plan-programeve dhe teksteve shkollore, në përputhje me kushtet dhe rrethanat e Kosovës, bazuar në qëllimet e edukimit dhe të tregut të punës, si dhe bazuar në zhvillimet ndërkombëtare në fushën e arsimit.

6. Rritja e fondit për bursa për studentët e të gjitha niveleve, në mënyrë që të stimulohen studentët e mirë e të suksesshëm, si dhe organizimi i garave për të gjitha fushat dhe nivelet e arsimit parauniversitar dhe shpërblimi i më të mirëve në nivel vendi, në mënyrë që të stimulohen nxënësit e mirë, të përkushtuar e të suksesshëm.

7. Të investohet më shumë në shkollat e mesme profesionale për të përgatitur kuadro për treg, investime më të mëdha në agjencitë përkatëse që merren me nivele dhe aspekte të ndryshme të fushës së arsimit, si dhe investim më i madh në Fakultetin e Edukimit, i cili është përgjegjës për përgatitjen e mësimdhënësve të së ardhmes.

Etj., etj., etj..

 

Jusuf Thaçi

15 dhjetor 2015

 

P.S.:

Po të varej prej meje, unë nuk do të lejoja që institucionet private të arsimit, universitare e parauniversitare, të ishin institucione fitim-prurëse. Megjithatë, meqë ligji ua lejon që të jenë fitim-prurëse, atëherë gjykoj që nuk duhet të diskriminohen e as të shihen si armiqësore. Në vend të kësaj, duhet të detyrohen që të përmbushin standardet e cilësisë.

 

________

Ky shkrim është ribotuar nga redaksia pas një tërheqje për shkaqe teknike.

Lexoni Gjithashtu

Analizë

Katër ditë para Vitit të Ri, më 27 dhjetor 2023, Qeveria e Kosovës miratoi në heshtje Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media, i...

Analizë

Viti i parë i Qeverisë Kurti shënoi një start të vështirë në politikën e jashtme, shoqëruar me shumë gabime diplomatike dhe dështime të protokollit....

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Analizë

Në epokën me hovin më të madh teknologjik, shtetet u kushtojnë rëndësi të veçantë prezencës së tyre digjitale në rrjetet sociale, si dhe kualitetit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.