Identitetet nën një kulm

18 nëntor 2015 09:38

Asnjë identitet nuk është i pastër e as i ngulitur. Identitetet janë më shumë në lëvizje sesa që ekzistojnë si njësi absolute nga natyra apo kultura. Identitetet nuk kanë rrënjë, por kanë një varg shtresash që ndikojnë në formësimin e një uni, qoftë ai personal, kulturor, kombëtar, fetar, politik, dhe të tjera.  Këto shtresa janë klasa, raca, etnia, gjinia, feja dhe ndërlidhja në mes tyre si kategori shoqërore.  Këtë e pohojnë studimet kulturore, pra studimi i natyrës politike të fenomeneve kulturore e shoqërore, pushtetit dhe raporteve shoqërore. Si duken këto identitete dhe çka ndodh kur identitete të ndryshme brenda një territori përplasen?

Identiteti kombëtar

Identiteti kombëtar është formë e identifikimit imagjinar me simbole dhe diskurse të komb-shtetit. Kombi është ‘komunitet imagjinar’ sipas profesorit të studimeve politike e historike Benedict Anderson. Ai pohon se kombi është imagjinar në kuptimin kufizues sepse “... edhe anëtarët e kombit më të vogël kurrë nuk do t’i njohin, takojnë apo as të dëgjojnë për anëtarët e tjerë. Por prapë se prapë, në mendjet e secilit jeton imazhi i bashkësisë.” E këtë imazh uniteti e mundëson dinamika e forcave historike dhe kulturore e ruajtur përmes gjuhës, letërsisë, folklorit, simbolikës me veshje, valle e flamur. Tiparet dominuese, cilado qofshin, dhe sido që t’iu kenë mbijetuar forcave të jashtme dhe të brendshme politike, e kanë përkufizuar identitetin tonë kolektiv shqiptar dhe sot gëzojnë legjitimitet emocional.

Identiteti fetar dhe besimtar

Identiteti fetar, ai i përkatësisë së një feje, dhe besimtar ai që beson në Zot pa vepruar domosdo sipas obligimeve që imponon një fe, i tejkalon kufijtë, territoret e zakonet e ruajtura ndër vite e shekuj. Identiteti fetar shkon përtej idealit kombëtar kuq e zi. Identiteti besimtar operon brenda një kornize tjetër ideologjike dhe mbron fuqishëm dhe pa vënë në pikëpyetje ekzistencën e ‘krijuesit’, të cilit duhet t’i përulemi dhe të veprojmë sipas urdhrave të tij. Sidoqoftë, të dy perspektivat shpesh janë të lidhura ngushtë me njëra tjetrën. Feja është vërtetuar të jetë ndër manipuluesit më të mëdhenj politikë, e dëshmuar me keqpërdorim të pozitave dhe misioneve fetare, me korruptim të mendësisë së të rinjve, dhe diskriminim të grave. Parimet fetare në libra fetarë shpesh bien ndesh me parimet e të drejtave themelore të njeriut, sepse të parat kanë të bëjnë me krijuesin si dominues, dhe besimtarët si të dominuarit e tij. Në anën tjetër, kushdo që mendohet se ka devijuar nga parimet dominuese fetare në një vend apo rrethinë të caktuar, e presin ndëshkime shpesh brutale, sikurse praktika mizore e gurëzimit të grave në vende të Lindjes së Mesme.

Identiteti gjinor

Luftërat përgjatë historisë kanë përforcuar patriarkatin, kanë mbajtur gratë kryesisht në shtëpi, dhe burrat në betejë. Riintegrimi i barabartë në shoqëri më pastaj ka paraqitur vështirësi të mëdha. Përpjekjet për çlirim nga Serbia, përveç humbjeve në njerëz, dhe faktit që rreth 20 mijë gra kanë qenë viktima dhe mbijetuese të përdhunimeve, u janë hakmarrë grave edhe me cenimin e të drejtave të tyre themelore pas luftës. Në anën tjetër, dy libra që kanë rregulluar sjelljen kolektive shqiptare kanë qenë Kanuni i Lekë Dukagjinit, dhe Kurani si libër fetar i fesë dominuese në trojet shqiptare (e Bibla tek një pjesë më e vogël e kombit). Në të dy tekstet, gratë janë pronë e burrit dhe meshkujve të tjerë të familjes. Pavarësisht se Kanuni sot nuk e ka peshën që ka pasur dikur (por Kurani vazhdon ta ketë), ato kanë ndikuar dhe vazhdojnë të pasqyrohen në raportet shoqërore, në mënyrën e trajtimit dhe perceptimit të grave e burrave, dhe ende reflektojnë në rolet gjinore që kanë gratë e burrat në etni të caktuara. Burri ende pritet të ketë rolin e kryefamiljarit, ai i cili sjellë paratë në shtëpi, ndërsa gruaja të jetë nëna dhe gruaja e dikujt, për të cilët do të kujdeset. E kjo ndarje gjinore e roleve është çka shumë etni e kanë të përbashkët.

Identiteti seksual

Se cili seks na tërheq emocionalisht dhe seksualisht, apo nëse nuk na tërheq asnjëri, është çështje personale e çdo individi. Por, ajo kthehet në çështje politike kur individëve u mohohet e drejta e dashurisë dhe atraksionit për seksin e njëjtë. Komuniteti LGBT në shumë vende, përfshirë Kosovën, është komunitet i ndjeshëm dhe me tendencë të rrezikohen nga patriotët nacionalistë si dhe nga ata fetarë. Të drejtën për orientim homo dhe bi seksual e mohon edhe kombi edhe feja. Edhe pse komuniteti LGBT në Kosovë  nuk është edhe aq vokal, dhe një prej arsyeve mund të jetë mos-toleranca shpesh përbuzëse dhe totalitare e shoqërisë, përpjekje bëhen që e drejta për ta shprehur identitetin seksual të garantohet dhe të mbrohet.

Kur identitetet përplasen

Cilitdo grup që i takojmë dhe çfarëdo identitet që formojmë, ndjesia se je pjesë e një identiteti më të gjerë që përpiqet për të njëjtat të drejta e mundësi, të mban gjallë vullnetin dhe entuziazmin për të mos u ndalur së vepruari për të. Por kur paraqitet rreziku se një grup tjetër po shkel mbi parimet e grupit tënd, ndjesia e përkatësisë kthehet në nevojë për të vepruar kundër “të tjerëve” që mund të mendohet se kërcënojnë vlerat fundamentale  të grupit tënd. Kjo nevojë sot po rezulton me sulme terroriste në të pafajshëm në emër të ideologjisë fetare dhe misionit për dominim të saj; me kërcënime e rrahje të një komuniteti që kinse kërcënon vlerat familjare dhe riprodhuese të njerëzimit; me pengesa për avancim të grave sepse refuzojnë të heqin dorë nga privilegjet burrërore; dhe shumë të tjera të ngjashme.

Formësimi i identitetit vetanak është çështje e të drejtave themelore të njeriut. Asnjë identitet nuk është më i rëndësishëm se tjetri. Identitetet janë imagjinare dhe hibride, dhe formësimi i një identiteti personal është qëndrim politik. Për mua, më shumë rëndësi ka identiteti gjinor, pra mënyra se si e manifestoj rolin tim si grua, dhe sa arrij t’i rezistoj normave tipike tradicionale që priten nga një femër, pra të bëjë fëmijë dhe të përkujdeset për të tjerët. Kjo përpjekje më definon më shumë sesa synimet kolektive të etnisë që i takoj, apo të religjionit që mund të dominoj aty ku jam rrit e jetoj.

Për një individ të komunitetit LGBT, më shumë rëndësi mund të kenë të drejtat themelore të ushtrimit të seksualitet pa u kërcënuar e rrahur për vdekje, sesa avokimi për një komb e etni. Për një fetar apo fetare, më shumë rëndësi mund të kenë  përgjegjësitë dhe përkushtimi i tij/saj ndaj Zotit si ‘superfuqi’, sesa çështjet gjinore apo kombëtare.

Nëse arrijnë të marrin frymë lirshëm brenda një territori të përbashkët, të gjitha identitetet do të mund  të jenë krenarë më një komb/shtet që gëzon një tipar kyç - tiparin e fjalës dhe të shprehurit e lirë pa kërcënuar e dominuar të tjerat. Vetëm identiteti i mirëfilltë shtetëror nuk do të cenoj ekzistencën e identiteteve të tjera. Vetëm me një identitet të tillë kolektiv, identitetet tjera nuk do të jenë në krizë. Ato nuk do të diskutohen me gjaknxehtësi, nuk do të preokupohen me esencë, me autenticitet e vërtetësi, dhe nuk do të kërcënojnë të tjerët për mos-përkatësi.

18 nëntor 2015
09:38

Shqipe Gjocaj