Klientelizmi si ‘kapital social’

16 nëntor 2015 15:35

Koncepti i kapitalit social, sipas Putnam, përfshin ato marrëdhënie dhe ato vlera që forcojnë emancipimin, bashkërendimin dhe bashkëpunimin e qytetareve për përfitime të ndërsjella. Mirëpo, ajo çka në parim e dallon ketë koncept nga dukuria e klientelizmit është se besimi reciprok i qytetareve çon në të mirën e përbashkët shoqërore e jo vetëm në përfitime personale. Me fjalë të tjera, kapitali social është parakusht për mirëbesim shoqëror e që rrjedhimisht çon edhe në besimin në institucionet publike. Ndërkaq te ne, është vetë klientelizmi i përhapur nga bartësit e institucioneve publike, që shkakton mosbesimin e vazhdueshëm dhe kështu edhe humbjen e legjitimitetit të institucioneve. Prandaj kapitali social është kohezioni shoqëror që përmes solidaritetit, angazhimit dhe iniciativave qytetare forcon marrëdhënien si brenda shoqërisë ashtu edhe mes saj dhe shtetit. Në të kaluarën jo të largët, Kosova e ka mirëmbajtur ‘shtetin’ si një sistem paralel, pikërisht falë këtij kapitali shoqëror. Gjë e cila i ka mahnitur edhe mjaft studiues, siç e paraqet mjaft qartë Howard Clark në librin e tij kushtuar rezistencës qytetare në Kosovë. Ajo çka ndodhi më pas, është se kjo marrëdhënie shoqërore, u ‘ndërmjetësua’ nga partitë e klanet politikë, që e (keq)përdoren pushtetin e edhe shtetin për të kushtëzuar këto marrëdhënie për përfitime personale e klanore. Duke ‘bashkëpunuar’ me këto qarqe do të mund të përfitonin nga shteti vetëm ata/ato që do ts mbajë atë sistem gjallë duke i shërbyer zellshëm në mënyra dhe me mjete të ndryshme. Në shumë raste e vende kjo dukuri njihet edhe si paternaliste, por në Kosovë kjo është e kushtëzuar nga sistemi i lidhjeve klienteliste.

A e ke ndonjë lidhje, ose a e njeh dikë aty? Janë këto pyetjet e zakonshme që dikush dikujt ia parashtron nëse konkurron për ndonjë vend të lirë pune, pozitë udhëheqëse, tender publik, regjistrim në çerdhe për fëmijë, në shkollë, në universitete, për leje ndërtim, për patentë shoferi, trajtim mjekësor etj, etj. Ky është një sekret publik, që tashmë është bërë pothuajse edhe normë shoqërore. Pasi nga një dukuri negative e korruptuese, ka kaluar në një rregull të rëndomtë shoqëror që nuk e befason e pothuajse as që po e shqetëson dikë. Edhe udhëheqësit shtetërorë, dalin hipokritë e cinikë kur bëjnë thirrje për luftim kundër korrupsionit e krimit të organizuar, me gjithë ato këshille e agjensione. Pse duhet t’i luftojë shoqëria këto dukuri, kur ata që janë përzgjedhë nga qytetarët dhe që paguhen për këto punë nga taksat tona, për çdo ditë na traumatizojnë me skandale si emërimet partiake, keqpërdorime të detyrave zyrtare, pozitave dhe abuzime të parasë publike. Dhe sa herë tashmë i kemi dëgjuar deklaratat e zotimet për zero tolerancë ndaj këtyre dukurive?! Justifikimi i zakonshëm se edhe në botë ndodhin rastet, kur politikanët kanë preferenca partiake në emërime apo lidhje me kompani, është thjesht i paqëndrueshëm. Sepse një klientelizëm i tillë zakonisht dënohet ose nga organet e drejtësisë ose nga ndëshkohet keq nga elektorati në zgjedhjet e radhës. Hiç më larg se në Rumani kryeministri u detyrua të japë dorëheqje për këso akuzash. Por tek ne, sikurse edhe në rajon pak a shumë,  ndodh që këto lidhje fuqizohen më tej dhe bëhen aq të zakonshme sa që fillojnë të bëhen parakusht për suksesin zgjedhor, dhe një lloj kapitali shoqëror i domosdoshëm për karrierë individësh e normë e zakonshme përfitimi. Dallimi thelbësor qëndron në atë se ky lloj ‘kapitali social’ nuk bazohet në kompetencë, aftësi e përgatitje por kryesisht në servilizëm dhe lidhjet personale, familjare e partiake. Zanafilla e së cilës, fillon që nga bankat shkollore e shkon deri në pozitat më të larta shtetërore, dukuri që përshkruhet me fjalën e lashtë ilire ‘intervenca’!?

Ndërsa korrupsioni, krimi i organizuar e klientelizmi vazhdon të luftohet tash e sa kohë, me apele, fjalime e deklarata, shoqëria siç edhe na flasin të gjeturat nga raporti i fundit i Pulsit Publik kanë humbur besimin gati tërësisht në institucionet kryesore publike. Ndërsa opozita vazhdon të merret me çështjet madhore kombëtare e globale dhe të mbajë inat fëmijësh; ata që qeverisin (si në nivel qendror ashtu edhe atë lokal) po e rrisin kapitalin e tyre shoqëror, e bile edhe atë material përmes ‘lidhjeve’ të forcuara. Të tjerët, pra pjesa dërmuese e shoqërisë, vazhdon të varfërohet e të zhgënjehet përditë dhe të shpresojë mos helbete po e krijon për vete ndonjë ‘lidhje’.

 

16 nëntor 2015
15:35

Bekim Baliqi