Destruktiviteti është identifikuar në nismat rajonale të sigurisë

13 nëntor 2015 15:06

Farsa e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë dhe moszbatimi i marrëveshjeve nga Serbia si duket u vërejt shumë vonë, atë në rastin e destruktivitetit të skajshëm në rastin e UNESKO-s. Megjithatë, e vërteta qëndron në dimenzionet tjera të zbatimit të marrëveshjeve. Rastet më eklatante kanë qenë në destruktivitetin e Serbisë në rrugën e Kosovës drejt nismave rajonale të sigurisë. Kjo çështje ka qenë aq e pavërejtshme në opinionin publik po aq edhe e manipuluar nga ana e Serbisë dhe rrjedhimisht absorbuar nga BE. Përderisa BE vazhdonte të nënvizojë kuadratet në matricat e saj se Kosova është duke u anëtarësuar në organizata rajonale të karakterit kulturor, ekonomik e administrative, bllokada proaktive e Kosovës nga Serbia në nismat rajonale të sigurisë vazhdonte të lihej “nën çilim”. Dhe atë, çuditërisht, reagimet e Qeverisë së Kosovës kanë qenë spontane dhe të pavërejtshme. Apo, nëse kishte reagime, ato kanë mbetur në tentativë.

Sigurisht se qëllimi strategjik i Serbisë është bllokimi i Kosovës në nismat apo organizatat që ngërthejnë atribute tradicionale shtetërore. Nismat e sigurisë, mbrojtjes dhe politikës së jashtme përbëjnë objektivin kryesor bllokues. Këtu ndihma sikur i vihej –direkt apo indirekt - edhe nga eksponentë të shoqërisë civile të këtij shteti dhe mbështetës individual nga shtete tjera. Destruktiviteti i Serbisë ka dhënë fryte: nga rreth 40 nisma rajonale të sigurisë në tërë Evropën Juglindore (EJL), Kosova mezi ka arritur që të anëtarësohet në 3 sosh. Fjala është për RACVIAC (Zagreb), MARRI (Shkup) dhe RCC-Sarajevë (në këtë të fundit ende nuk është duke përfituar nga programet e saja). Kosova u bllokua hapur që të inkuadrohet në nisma tjera të rëndësishme siç janë SELEC (Bukuresht), Konventa e Policisë (Lublanë), Forumi i Drejtorëve të Policisë së EJL, nisma të shumta në sferën e mbrojtjes, inteligjencës, drejtësisë e emergjencave.

Pra, marrëveshja e dhimbshme e “fusnotës”, e arritur në vitin 2012, nuk ka prodhuar efekt në pozicionimin e Kosovës në nismat rajonale. Serbia diku hapur e diku nëpërmjet Bosnjës (rasti i Kartës së Adriatikut), Rumanisë apo Moldavisë ka bllokuar Kosovën edhe pse marrëveshja në mënyrë taksative ftonte palët që “mos të bllokojnë njëra tjetrën dhe as të inkurajojnë të tjerët për të bllokuar”. BE, duke u vetëknaqur me stabilitetin e ekzagjeruar dhe nevojën e mbajtjes së Serbisë në linja evropiane (qoftë për shkak të radikalve në pushtet, qoftë për shkak të partneritetit me Rusinë) ka vazhduar të hesht. Mos të flasim këtu që shumica e këtyre mekanizmave financohen nga donacione të mekanizmave të BE-së ku, praktikisht, do të mund të ndalte financimin si mjet për përfshirjen e Kosovës.

Zërat për kushtëzimin e dialogut, apo siç po flitet, ridiskutimin e themeleve të dialogut janë të vonshme. Ato, para së gjithash, vijnë si reaksion i dështimit të fundit që kishte për efekt reagimin e brendshëm dhe dështimit ndërkombëtar të Kosovës, e jo si rrjedhojë e një angazhimi strategjik të Qeverisë së Kosovës.  Sigurisht se mungesa e “rezistencës” së kësaj elite politike tashmë përbën një normë të betonizuar e cila vështirë se do të ndryshojë pa presion të jashtëm. E vazhdimi i dialogut në këtë frymë do të shëndrrohet përfundimisht në kancerin e shtetit të Kosovës që për pasojë shtirë se do të shërohej.  

13 nëntor 2015
15:06

Florian Qehaja