"Gratë e këqija" të Kosovës

27 tetor 2015 10:59

Burrat e opozitës dhe pozitës mund të mos pajtohen për shumë gjëra, por në një pikë sjelljet e tyre kanë qenë shumë në harmoni: që të dy palët janë shumë seksistë. Duke filluar prej  qasjes ndaj grave deputete , gjuhës ofenduese denigruese të përdorur si në parlament ashtu edhe jashtë tij prej deputetëve të të gjitha partive, e deri edhe te komentet e militantëve partiakë nëpër rrjete sociale tregon se vështrimet e burrave harmonizohen vetëm kur vjen puna te trajtimi i grave.

Prej sharjeve të kryeparlamentarit “?ka po bërtet si gru e keqe?” e deri te komentet e pafund nga të dy palët që domosdoshmërisht lidhin gratë e vajzat vetëm me funksionet biologjike tregon se Zajednica edhe mund të mos kalojë ama patriarkalizmi është i rrënjosur thellë në kuvend dhe në përgjithësi në diskursin politik në Kosovë.

Ngjarjet e së premtes mbrëma ishin shkurt tmerruese. Të përfshirë burra e gra, pa marrë parasysh qëllimet e tyre, ishte e dhimbshme për mua, e besoj që edhe për shumë të tjerë, t’i shoh institucionet e vendit tim të vogël e të përvuajtur në një gjendje kaotike.

Atmosfera e krijuar më ringjallte kujtime të luftës. Që të dy palët tash dalin me argumente në mbrojtje të sjelljes së tyre, gjithmonë duke ju referuar mbrojtjes së po këtij vendi të vogël e të përvuajtur që e ndajmë se bashku.

Esenca e këtij shkrimi nuk është t’i vlerësojë argumentet që po na prezantohen në të majtë e në të djathtë. Esenca e këtij shkrimi është të potencojë se ndoshta zgjidhja e krejt këtij kaosi politik gjendet pikërisht aty ku nuk po shikohet hiç. Pasi që po e shohim se politika, substancialisht e dominuar nga burrat, substancialisht e dominuar nga një gjuhë dhe qasje seksiste që i dëmton gratë dhe vajzat më shumë, nuk po na sjellë zgjidhje ka ardhur koha që të inkurajohen gratë dhe vajzat të përfshihen në proceset vendimmarrëse.

E ky inkurajim përfshinë shumë më shumë së kuotën e tanishme për institucione; përfshinë reforma substanciale, dënim të gjuhës dhe qasjes seksiste, përkrahje në sisteme të edukimit e kampanja mbarëkombëtare për ndërrim të mentalitetit seksist e patriarkal.

Kjo nuk do të thotë që gratë e vajzat domosdoshmërisht janë më të mira në politikë-bërje sesa burrat e djemtë. Ky argument e ka për bazë një logjikë të thjeshtë matematikore. Kur inkurajohet 50 përqindëshi i shtypur i popullsisë të ngris zërin e të flasë në emër të individëve të tjerë, rritet probabiliteti i politik-bërësve të mirë e rrjedhimisht zgjidhjeve të mira për popullin e Kosovës, për gratë dhe burrat.

 Në fakt, në shumë vende të botës ishin gratë ato që punuan pa lodhur në arritjen e marrëveshjeve të paqeve mes vendeve të ndryshme. Ruanda e Burundi janë shembuj që tregojnë se si pjesëmarrja e grave në të ashtuquajturat biseda të paqes ka rezultuar në marrëveshje më gjithëpërfshirëse e më të barabartë. Njejtë edhe në Mali, pjesëmarrja e grave në përpjekjet për të arritur deri të përfundimi i konfliktit të inicuar nga grupet ekstremiste solli vëmendjen te grupi më i sulmuar gjatë atij konfilkti- gratë vetë, duke I kujtuar botës se vetëm përfshirja e plotë e qytetrëve mund të sjell rezultate të qëndrueshme.

Siç e ka thënë edhe Phumzile Mlambo-Ngcuka, drejtore ekzekutive e UN Women, “Nganjëherë një grua është krejt çka duhet për ta sjellë ndryshimin.” Fatkeqësisht, shpeshherë duhen shumë gra bashkë të sjellin ndryshimin.

Për më shumë, është vërtetuar në hulumtime shkencore, të cituara në librin akademik “Zhvillimi Ekonomik” të ekonomistëve Todaro dhe Smith, se zhvillimi ekonomik më i hovshëm në vendet në zhvillim ka ardhur kur janë ndihmuar gratë e vajzat, pasi që janë ato që më pas i ndihmojnë më shumë familjes dhe fëmijëvë krahasuar me burrat.

Pra, rritja e pjesëmarrjes së grave në proceset vendimmarrëse çon edhe në rritje të probabilitetit për politika më të mira, e ndoshta edhe kapërcim të ngërqit në të cilin jemi tani, rrit përfaqësimin e një grupi shumë të rëndësishëm të popullsisë, baraz të rëndësishëm me burrat, si dhe mund të përshpejtohet zhvillim ekonomik.

Andaj z. Veseli, kuvendi jonë, që duhet të na përfaqësojë sa gratë edhe burrat, nuk ka vend për shprehje si ‘grua e keqe’. Madje z. Veseli unë jam e bindur se ka shumë ‘gra të këqija’ - që e ngrisin zërin kur duhet - që do ta kryenin punën shumë më mirë se disa burra aty. 

 

 

27 tetor 2015
10:59

Adriana Sejfia