Kur shteti të kufizon më shumë se sa aftësia e kufizuar

23 tetor 2015 16:42

Nuk kam nevojë të jem skllave e një mallkimi në fëmijëri.

Anais Nin

Pranvera Musaj, një grua e re 25 vjeçare nga Suhareka kërkon të drejtën për shkollim. Ajo ka lindur me një diagnozë që e ka lënë fizikisht të varur. Duke mos pasur mundësi të shkojë në shkollë si bashkëmoshatarët e saj, ajo sot nuk mund të konkurrojë në tregun e punës për shkak se i mungon njohja e shkollimit të rregullt. Me plot vullnet për të punuar e ndërtuar karrierë, ajo që pesë vite kërkon nga shteti që t’ia mundësojë vijimion e çfarëdo programi arsimor për t’iu njohur shkollimi i rregullt dhe për të pasur mundësi të punojë e të krijojë profil profesional.

Si e vogël, ajo është ndierë shumë mirë në rrethin e saj shoqëror. Lojërat fizike nuk e kanë kufizuar, apo siç tregon ajo: “Nuk kam mundur të luaj me llastik si shoqet, por kam mundur ta mbaj atë, dhe të konkurroj me një grup të shoqeve ndaj një grupi tjetër të vajzave.” Qëndrimin luftarak dhe gatishmërinë për të mbrojtur argumentet e veta dhe faktin që është ndierë e barabartë me të tjerët, ajo e theksoi duke treguar për zënkat e shpeshta me motrën dhe njërën nga shoqet e saj. Kur ka ardhur koha për të shkuar në shkollë, mungesa e karrocës e ka lënë Pranverën pa vijim të rregullt të shkollës. Edhe pse i është pamundësuar e drejta themelore e shkollimit, dhe ka ngecur prapa në mësime dhe në aspektin shoqëror, ajo thotë se prapëseprapë, ka mësuar të lexojë. Edhe pse nuk e mbante në mend sesi apo kur, ajo ka mësuar të lexojë dhe të shkruajë vetë dhe me ndihmën e babit të saj.

Më vonë, karroca që i është siguruar nga Hendikos, i ka mundësuar Pranverës të dalë në rrugë e ambiente tjera me shumë njerëz. Por me këtë mundësi të pritur e të dëshiruar gjatë, ka ardhur edhe trajtimi jo i mirë nga njerëzit, të cilët sipas saj e shikonin si të ishte jashtëtokësore dhe viktimë. Trajtimi dhe reagimet e njerëzve e kanë çuditur por nuk e kanë dekurajuar të dalë më shpesh dhe të kërkojë mënyra për t’u angazhuar profesionalisht e shoqërisht. Një bisedë joformale me Pranverën dëshmon se pavarësisht se nuk ka ndjekur shkollimin e rregullt, inteligjenca e saj, pjekuria dhe reflektimi në çështje themelore të një shoqërie, e bën atë më të avancuar sesa shumë të rinj e të reja që i janë ekspozuar sistemit arsimor në Kosovë, ku nuk inkurajohet mendimi kritik dhe dominon metodologjia mekanike e nxënies. Kjo mund të jetë rezultat i punës së saj 14 vjeçare në Hendikos si aktiviste për personat me aftësi të kufizuara.

Pranvera i është afruar disa herë institucioneve lokale për të kërkuar qasje në ndonjë program që do t’ia mundësonte të vijojë orë përmes së cilave do të mund t’i testonte njohuritë bazë dhe t’i njihej shkollimi për të qenë tutje e pranueshme për një vend pune. Pavarësisht se përvoja si aktiviste i ka dhënë njohuri, përvojë, e forcë për t’u ndierë individ i dobishëm, ajo shpreson të ndërtojë profil profesional në një fushë që jo medoemos lidhet me personat me aftësi të kufizuara. Institucionet u janë përgjigjur se nuk ekziston një sistem i tillë për ata që nuk e kanë kryer shkollën me kohë. E shpesh e kanë udhëzuar të ndjekë shkollën speciale, e cila në fakt u dedikohet personave me aftësi të kufizuara intelektuale. “Unë nuk kam aftësi të kufizuara mendore apo intelektuale; jam vetëm e sfiduar fizikisht”, - ka qenë përgjigja e Pranverës.

Shumë vende e shoqëri mburren me qytetarët e tyre të cilët pavarësisht kufizimeve apo gjendjeve të caktuara shëndetësore, ata kanë shpikur, krijuar, e zotëruar shkencën, artin e shoqërinë. Muzikanti gjerman Ludwig van Beethoven ka kompozuar pavarësisht se dëgjimi i është dobësuar deri në shurdhëri totale në fund të karrierës së tij; piktorja meksikane Frida Kahlo me një këmbë të paralizuar qysh prej moshës 6 vjeçare dhe shtyllë kurrizore të thyer në tri vende pas një aksidenti, ka vazhduar të pikturojë; shkencëtari anglez Stephen Hawking ka jetuar me sëmundje që e kanë paralizuar gradualisht, por ka zhvilluar karrierë të suksesshme shkencore katërdhjetëvjeçare. Pak flitet për kufizimet e tyre; aftësitë e tyre janë ato që çmohen dhe me të cilat këta individë dhe shumë të tjera njihen e cilësohen.

Humbje në potencial, humbje në shkathtësi, në kreativitet, e produktivitet. Kështu e pësojnë shoqëritë me udhëheqës që nuk kanë vullnet këmbëngulës për të menaxhuar fondet publike më mirë, apo për të kërkuar kontribute e donacione për grupet më të ndjeshme qytetare, që ata të kenë qasje në arsim e programe të tjera arsimore e edukative që u mundëson të përmbushin potencialin e tyre dhe i bën të ndjehen të vyeshëm. Është pikëlluese të shohësh sesi brenda një grupi të margjinalizuar, dikush e pëson më shumë. Pranvera si person me aftësi të kufizuara fizike, është përballur edhe me kufizim ekonomik; mungesa e karrocës e ka lënë pa shkollim fillor e të mesëm. E sot, kur kërkon të drejtën për shkollim, ajo diskriminohet edhe në bazë të moshës, sepse si 25 vjeçare, është vonë të fillojë.

Stop viktimizimit dhe injorimit institucional të vajzave e djemve, grave e burrave me plot vullnet e kapacitet për të punuar pavarësisht se a mund të qëndrojnë në këmbë, apo u duhet të ulen. Buxhet i kufizuar, shtet në zhvillim e sipër, e çfarëdo argumenti tjetër nuk vlejnë në krahasim me mundësitë për alokim të përgjegjshëm të buxhetit dhe kërkimit për mundësi arsimimi e avancimi për qytetarët e aftë për punë. Krijimi i mundësive për shkollim e avancim për të gjithë, pavarësisht sesi lindin po e pësojnë më vonë, është çështje e të drejtave të njeriut, është politikë për gjithëpërfshirje qytetare dhe shfrytëzim maksimal i potencialit dhe i shkathtësive që vijnë nga ta.


 

23 tetor 2015
16:42

Shqipe Gjocaj