Kuvendi, vendi i parë dhe i fundit ku zgjidhja politike në vend është e mundshme

19 tetor 2015 15:59

Përderisa kriza politike në vend po thellohet, janë dhënë disa mendime lidhur me zgjidhjen e mundshme nga ky qorrsokak politik e institucional. Zgjidhje gjithsesi ka, dhe ato kurrë nuk kanë qenë më urgjente dhe më të nevojshme. Spiralja e dhunës brenda shqiptare nuk ka qenë  kurrë  më afër që të shpërthejë, tani pas 16 viteve te çlirimit të Kosovës, e 7 viteve të pavarësisë. Është e qartë që nevojitet një proces gjithëpërfshirës, por në të njëjtën kohë edhe një proces që nuk do të shembte rendin ligjor e institucional të Kosovës. Në vazhdim janë disa vështrime lidhur me disa nga zgjidhjet e mundshme.

Është folur për mundësinë e organizimit të një referendumi për Asociacionin. Përderisa referendumi është pikërisht instrumenti adekuat i vendosjes sidomos në situata të polarizimit të skajshëm politik, në rastin e Kosovës nuk duket të jetë instrumenti i duhur.  Neni 65 i Kushtetutës së Kosovës e lejon Kuvendin të shpallë referendume të ndryshme, përjashtuar për ligjet me interes vital për komunitetet, kur çështja duhet të rregullohet  “në pajtim me ligjin”. Kuvendi ende nuk e ka miratuar Ligjin për referendum, që do të definonte kushtet dhe procedurat teknike të shpalljes dhe të organizmit të referendumit. Mirëpo referendumi si instrument i rregullimit të kornizës ligjore për komunitetet pakicë janë thuajse të pamundshme për legjislacionin në fuqi. Kosova nuk mund të tërhiqet nga përkushtimet e veta për mbrojtjen e komuniteteve pakicë, kjo është e përcaktuar qartë edhe në pakon e Ahtisarit e edhe në Kushtetutë (neni 143) . Për më tepër, referendumi kërkon një përgjigje popullore në një pyetje të caktuar, zakonisht me “po” ose “jo” ose "për" apo "kundër". Edhe në rastin kur referendumi do të ishte i mundur, çështja nuk do të mund të parashtrohej me një “për” ose “kundër”.

Komunat mund të futen në bashkëpunim në mes tyre dhe kjo e drejtë është e garantuar edhe me Kushtetutë (Neni 124. 4).  Janë edhe dy ligje në Kosovë që ia garantojnë këtë të drejtë komunave: Ligji për vetëqeverisje lokale, konkretisht nenet 28, 29, dhe 30 që flasin për të drejtën e themelimeve të partneriteteve komunale si dhe të bashkëpunimit ndërkufitar, si dhe, e ndoshta kjo është ende më e rëndësishmja, Ligji për bashkëpunim ndërkomunal,  ligje që shumë qartazi dhe pa ndonjë dyshim e garantojnë të drejtën e bashkëpunimin ndërkomunal, të aprovuara në 2008 dhe në 2011, shumë kohë para dialogut në Bruksel. Për më tepër, çështja e themelimit të Asociacionit është edhe pjesë e Ligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes së Parë më 2013 në Kuvendin e Kosovës. Dhe në fund, format e bashkëpunim komunal, në formën e asociacioneve dhe partneriteteve komunale, janë të garantuara edhe me Kartën Evropiane për Vetëqeverisje Lokale, një instrument ndërkombëtar që Kosova i referohet gjerësisht përgjatë gjithë organizimit të qeverisjes së vet lokale.

Pra, Asociacioni është çështje e negocimit dhe e gjetjes së modelit adekuat në kuadër të kornizës ligjore të Republikës së Kosovës, ku dhe parashihet. Për më tepër, Asociacioni nuk është i vendosur në versionin përfundimtar të tij; janë vendosur vetëm principet kryesore dhe parimet e përgjithshme. Ende duhet të qartësohen edhe shumë elemente tjera, ndër to janë elementet kryesore për Asociacionin.

Në formatin si është organizuar tani procesi në Bruksel dhe në Prishtinë, çështje e Asociacionit mund të trajtohet edhe si çështje e brendshme edhe çështje e jashtme e Kosovës: ajo ka të bëjë edhe me organizimin e brendshëm të bashkëpunimit të komunave të caktuara në Kosovë, dhe është subjekt i një marrëveshjeje ndërkombëtare me Republikën e Serbisë.  Për këtë, Qeveria dhe Kuvendi janë mekanizmat që duhet të jenë të kyçur në këtë proces. Kuvendi e ka fuqinë dhe mandatin të mbikëqyrë proceset politike që Qeveria është e angazhuar, si dhe organi ku janë të përfaqësuara të gjitha partitë politike dhe ku mund të gjenerohet debati dhe koncensuesi politik, sidomos në një kohë kur kjo është më se e nevojshme; në të njëjtën kohë, ka edhe mandatin të ratifikojë marrëveshje ndërkombëtare. Me fjalë të tjera, Kuvendi mund të kyçet edhe PARA dhe MBAS miratimit të statutit.

Para miratimit të statutit, Kuvendi mund të kyçet në formën e rekomandimeve/rezolutës që Kuvendi mund t’i nxjerrë rekomandimet kyçe, duke përfshirë edhe vijat e kuqe të cilat statuti i Asociacionit nuk do të duhej t’i shkelte. Një debat i tillë parlamentar do t’i shtonte përmbajtje më se të nevojshme diskutimit dhe debatit politik mbi Asociacionin, duke përfshirë këtu gjithë spektrin e partive politike shqiptare, si dhe përfaqësuesit politikë të komuniteteve pakicë në Kosovë. Që të jemi të sigurt, Marrëveshja e 25 gushtit nuk është fjala e fundit për Asociacionin dhe shumë pika mbesin të hapura për diskutim. Këto pika përfshijnë marrëdhëniet mes komunave anëtare dhe trupave të Asociacionit, procedurat e mbështetjes nga ana e Serbisë, si dhe karakteri në vazhdimësi monoetnik i Asociacionit, që është në shpërputhje me themelet multietnike të strukturave qeverisëse lokale dhe qendrore të Kosovës. Këto rekomandime te cilat mund të marrin trajtën e një rezolute, që do të përbënte bazën për negocimin e qeverisë në kuadër të Dialogut në Bruksel.

Draft statuti pastaj do t’i nënshtrohej analizës së Gjykatës Kushtetuese, ashtu siç edhe parashihet me marrëveshjen e fundit të nënshkruar në Bruksel. Pas kësaj, statuti do të negociohej në kuadër të Dialogut në Bruksel me Republikën e Serbisë. Ende nuk është e qartë se a do të jetë Statuti përfundimtare i Asociacionit subjekt i një marrëveshjeje ndërkombëtare të re në mes të Kosovës dhe Serbisë. Sipas praktikës së deritashme, çdo marrëveshje në Bruksel, ka qenë edhe subjekt i nënshkrimeve dypalëshe, nga Republika e Kosovës dhe ajo e Serbisë. Nënshkrimi dhe miratimi i statutit edhe me Republikën e Serbisë në kuadër të Dialogut në Bruksel, do të thoshte se statuti është edhe një marrëveshje ndërkombëtare.

Duke vepruar me të njëjtin princip, kjo marrëveshje/ky statut mandej do të mund të ratifikohej edhe në Kuvendin e Kosovës. Edhe pse Kuvendi në 2013 ka ratifikuar Marrëveshjen e Parë për parimet e përgjithshme me anë të një ligji të veçantë, kjo nuk e ndalon që Kuvendi ta ratifikojë versionin përfundimtar të statutit, si një marrëveshje që implementon Marrëveshjen e Parë. Nëse do të zgjidhej kjo rrugë,  atëherë në vend se të miratohej me një instrument administrativ, siç është udhëzimi administrativ i Kryeministrit (i quajtur “dekret” në marrëveshjen e Brukselit), statuti do të ratifikohej si ligj në Kuvendin e Kosovës, në pajtim me dispozitat ligjore dhe kushtetuese, si dhe me rolin dhe mandatin e Kuvendit, kur kemi të bëjmë me marrëveshje ndërkombëtare. Kjo nuk do të përbënte shkelje të marrëveshjes së 25 gushtit, do të përbënte vetëm përplotësim të procedurave ligjore të shtetit. Për më tepër, ratifikimin përfundimtar të statutit të Asociacionit nga ana e Kuvendit është e mundur që do ta kërkojë edhe Gjykata Kushtetues, si nevojë ligjore e Kosovës.

 

19 tetor 2015
15:59

Adrian Zeqiri