Lufta që ja shpallëm betonit dhe apatisë qytetare me muralet e lagjes sonë

06 tetor 2015 13:24

Prishtina – qyteti i sorrave, i betonit, i pluhurit, i kaosit urbanistik e që nga paslufta, besa edhe qyteti i fqinjëve të panjohur. Kjo e fundit në veçanti në lagjet me ndërtime të reja. Aty, ku të gjithë jemi të ardhur. Të shpërngulur qoftë nga lagje tjera të Prishtinës, sepse jemi pavarësuar nga prindërit, qoftë të shpërngulur nga qytete tjera të Kosovës.

E mira e mëhallave të tilla është që gjithçka është e re: infrastruktura, ndërtesat, njerëzit. Gjithçka fillon nga zeroja dhe pse të mos fillojë mbarë? Në kompleksin tonë banesor, ndërtim i ri, njëri prej banorëve që kur u lëshuan ndërtesat për banim, erdhi me një iniciativë gjeniale – ai krijoi një platformë shkëmbimi për të gjithë banorët në rrjetet sociale. U vendosën njoftime nëpër hymje dhe grupi shumë shpejt fitoi anëtarë të rinj. Më pas u dha iniciativa e regjistrimit të banorëve dhe të organizimit dhe administrimit të ndërtesave. Pra u bëmë me Këshill, mu ashtu siç e parasheh ligji për shfrytëzimin, administrimin dhe mirëmbajtjen e ndërtesës në bashkëpronësi. Po pra, Kosova e paska një ligj të tillë dhe ai qenka fare lehtë i zbatueshëm! Sot, çdo hymje në kompleksin tonë banesor ka nga një përfaqësues të zgjedhur në Këshillin banesor. Çdo veprim, ku kërkohet vendim, hidhet në diskutim qoftë në mbledhje qoftë në platformën tonë në rrjete sociale. Shkruhen shkresa e ankesa dhe çështjet që janë të rëndësishme për ne si bashkëpronarë zgjidhen dhe çohen përpara.

Procesi i transformimit të qytetit fillon nga secili prej nesh. Ngritja e vetëdijes qytetare nuk ndodh brenda natës. Prandaj duhet të tregojmë iniciativa të involvimit të përbashkët për përmirësimin e mirëqenies sonë. Prishtinës i duhen më shumë iniciativa qytetare. Mjaft ankohemi kot së koti dhe presim se do të vijë dikush të na heqë qafe hallet tona. Le të merremi vet me çështjet që na takojnë, çështjet që vet mund t’i negociojmë dhe përmirësojmë.

Me këtë organizim të banorëve, kompleksi ynë banesor i ka shpallur luftë apatisë qytetare, ndërsa me projektin tonë të parë të angazhimit në veprimtari artistike në komunitet, i shpallëm luftë edhe betonit të shëmtuar. Në fillim u dha ideja që vet banorët të realizojnë murale në muret e dy shtëpizave të mbeturinave në lagjen tonë (shtëpiza të ndërtuara enkas për vendosjen e kontenierëve). Gjatë dy fundjavëve të fillimshtatorit mëhalla jonë u gjallërua nga ky aktivitet i pazakontë. Në fillim, kjo iniciativë ngjalli kurreshtje të përzier me një dozë skepticizmi dhe më pas, kur filloi të jetësohej, krijoi një mobilizim të paparë të banorëve për ta bërë ambientin ku banojmë më të bukur.

Mirëpo, këto punime në mur, nuk janë vetëm ngjyrosje shumëngjyrëshe për t’i mbuluar muret e betonit, por prapa tyre fshihet shumë më shumë, se sa mund të vërehet në shikim të parë nga ata që nuk banojnë në lagjen tonë. E këtu nuk e kam fjalën për kontenierët e mbeturinave. Prapa muraleve qëndron një organizim kolektiv dhe një ide, e cila u realizua bashkërisht nga shumë të panjohur me një qëllim të përbashkët.

Konsultimet për ngjyrë, matjet dhe përllogaritjet u bënë. Skicat u votuan. Buxheti u mblodh. Kur ke një grup njerëzish të vullnetshëm që kanë profesione e përvoja të ndryshme jetësore, ke një burim ideal të aftësive për menaxhimin e secilës situatë.

Çdonjëri prej nesh ishte i gatshëm të kontribuojë në mënyrën e vet. Kështu, gjatë dy fundjavëve u ndiem të dobishëm: Drejtuesi i minimarketit u bë arkëtari, juristja shkroi kërkesat dhe mori lejet përkatëse, oratorët lobuan zellshëm për përkrahje të projektit, ekonomistët u kujdesën për mënyrën e shpenzimit të mjeteve, të guximshmit lyen kulmet, piktorët bënë skicat, specialisti i IT-së bëri matjet, menaxherët i ndanë fëmijët në grupe, sipas ngjyrave, fotografi e dokumentoi ngjarjen, nxënësit e shkollës së muzikës kënduan për t’i motivuar të tjerët, nënat u përkujdesën që fëmijët të mos dalin jashtë vijave të skicës. Euforia dhe entuziazmi i kalpoi jo vetëm fëmijët. Rezultati i këtij angazhimi të komunitetit tonë sot na e zbukuron lagjen.

Me anë të këtij angazhimi – përmes së cilit u njoftuam si fqinj, duke ndarë përgjegjësitë - ka ndryshuar përceptimi për lagjen tonë. Ne tani krenohemi me të. Aty në mes të ndërtesave, nga ku më parë na përshëndetnin muret e hirta të këtyre shtëpizave, tash i shohim punimet që i kemi realizuar bashkërisht.

Fëmijët ndihen krenarë që diçka kaq madhështore kanë bërë vetë apo me prindërit e tyre. E dijnë se cilës figurë e cilit element në mural i kanë dhënë jetë. E përjetuan nga afër angazhimin vullnetar të të rriturve, dhe kjo padyshim do të ndikojë pozitivisht në zhvillimin e tyre personal e social. Që të gjithë identifikohemi më shumë me mëhallën tonë. Ajo tani bart një grimcë kreativiteti të secilit nga ne.

E pse mos të ndihemi krenarë me qytetin tonë? Prishtina e meriton që ne qytetarët ta duam më shumë dhe të përpiqemi më shumë që ta shndërrojmë në një qytet, ku ke dëshirë të jetosh.

Image
Image

 

_________________


Fotot nga Lavdie Murtezi

 

 

 

06 tetor 2015
13:24

Nora Hasani Llapashtica