Familja me harmoni(kë)

19 shtator 2015 14:45

Normat sociale kanë tendencë për të definuar një varg praktikash drejt krijimit të institucionit të familjes dhe të martesës. Në këtë kontekst, sistemi normativ i shoqërisë përcakton edhe llojet e mundshme të “formave të familjes dhe të martesës”. Gjatë procesit të ndryshimit të sjelljeve në drejtim të këtyre formave të paracaktuara edhe çështja e qëndrimeve të ndryshme organizohet në kuadër të kornizës apo standardeve të përgjithshme kulturore. Madje, këto standarde shërbejnë edhe si udhëzues për të përcaktuar se cilat janë format “ideale” të martesës apo të familjes. Kushdo që do të përpiqet të ridefinojë familjen dhe martesën në shoqëritë tradicionale do të aplikojë forma të veçanta të ndëshkimit dhe të pengimit të ndryshimit. Konstatimet e përgjithësuara dhe të paargumentuara mbi familjen dhe martesën vazhdojnë të jenë në vullnetin personal të autorëve të teksteve shkollore. Në mungesë të një rishikimi profesional lidhur me përfshirjen e definicioneve të reja mbi atë së çfarë është familja apo martesa, autorët e teksteve shkollore vënë në pah konstatimet e tyre personale dhe kësisoj vijnë deri tek shpërfaqja e gabimeve të mëdha, të cilat mund të kenë pasoja në personalitetin e fëmijëve. Këto tekste shkollore shkruhen duke mos i menduar pasojat psikologjike dhe sociale që mund t’i kenë konstatimet e autorëve.

Familja e plotë apo e mangët (sic!)

Përshkrimi i familjes dhe i funksioneve të saj në tekstin e edukatës qytetare për klasën e nëntë, bëhet kësisoj: “Për nga kompaktësia e strukturës dhe e funksioneve të saj, bëhet fjalë për: Familjen e plotë dhe të harmonishme (e përbërë prej dy prindërve, fëmijëve të tyre dhe në të cilën nuk manifeston probleme) dhe familjen e mangët dhe të çrregullt (pa prindër, pa njërin prindër, me fëmijë jashtë martese e me problem të ndryshme)”.

Imagjinojeni, një klasë kur mësimdhënësi lexon apo shpjegon një shembull të tillë, çfarë ndodh me nxënësit të cilët për shumë arsye mund të jenë fëmijë të prindërve të divorcuar, apo nga nënat beqare (single mother). Të gjitha këto forma, janë në përputhshmëri dhe të njohura nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës e, si është e mundur që tekstet të krijohen jashtë përcaktimit tonë juridik ndaj disa vlerave.

Në kuadër të përshkrimit të familjes së ashtuquajtur “të çrregullt”, nuk potencohen fare “në familje” apo ajo ndaj gruas e fëmijëve dhe problemet e shumta që karakterizojnë familjen. Kjo betonon mitin “familja e shëndoshë”, pavarësisht që ajo mbetet e mbyllur brenda vetes, pa bërë përpjekje institucionale për ta emancipuar atë. Kësisoj, në shoqërinë kosovare ekziston një përpjekje që gjatë gjithë kohës, - përkundër pranisë së dhunës në familje, - ajo vazhdon të cilësohet “familje e shëndoshë”. Në këtë kontekst, teksti shkollor ofron qëndrimin i cili është i ngjashëm dhe ai është në harmoni me shoqërinë kosovare. Thjesht për shkakun se mësimdhënësit, autorët e shtëpitë botuese dhe së fundi Ministria e Arsimit të Shkencës dhe të Teknologjisë si përgjegjëse kryesore, promovon këto vlera. Si zakonisht, këtë përkufizim anakronik e kanë zbuluar pikërisht prindërit, por jo mësimdhënësit, ata të cilët çdo ditë mund ta përsërisin një përkufizim të tillë para nxënësve.

Në mungesë të kësaj perspektive, prezantimi i familjes dhe i martesës vazhdon të jetë i kufizuar vetëm në kuadër të konditave dhe paradigmave tradicionale. Ky model i familjes dhe i martesës është i prezantuar jo vetëm në narracionin e këtyre teksteve, por edhe në ilustrimet e tyre. Prandaj sterotipet gjinore më të shprehura janë në kapitujt e caktuar të teksteve shkollore, ku prezantohen funksionet e familjes. Figura e gruas kryesisht është e prezantuar në rolin brenda ambientit të shtëpisë dhe në rolin e amvisës, ndërsa burri është ai i cili, prezantohet nëpërmjet figurës së një autoriteti i cili vjen nga jashtë apo duke lexuar dhe dhënë këshilla fëmijëve të tyre. Kësisoj, si rezultat i prezantimit të tillë, vazhdimësi e roleve të njëjta gjinore, fatin social të grave dhe burrave në tekste shkollore trashëgojnë vajzat dhe djemtë, të cilët paraqiten afër prindërve të tyre me privilegje apo pozita inferiore. Edhe nëpërmjet figurave, pozicion dominant ka gjinia mashkullore.

Prandaj, s’ka asnjë habi me rezultatet e hulumtimeve të cilat e shpërfaqin Kosovën me barriera esenciale në pranimin e vlerave elementare njerëzore.

Duke pasur një arsimim të tillë, të cilit i mungon kjo perspektivë, hulumtimet e realizuara deri më tani vazhdojnë të tregojnë trendin e njëjtë të qëndrimeve të shoqërisë kosovare ndaj vlerave moderne. Të njëjtën gjë e nxjerr në pah hulumtimi i fundit, i realizuar nga Fondacioni gjerman “Friedrich Ebert”. Sipas tij, për shumë të rinj kosovar “çështjet e nderit” janë më të rëndësishme se “vlerat e tolerancës dhe bashkëpunimit”. Piedestali i kësaj është se të rinjtë kosovarë nuk janë aspak tolerantë. Sipas kësaj, ata nuk do ta kenë problem nëse fqinji i tyre të ishte nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës apo nga Evropa Perëndimore, por problem do të jetë një fqinj rom apo çift homoseksual.

Ky qëndrim nuk mund të shihet ndaras nga niveli i arsimimit në vend, cilësisë së brishtë, ku ende në tekste shkollore ofrohen vlera e përkufizime të cilat përkojnë me vlerat dhe qëndrimet që shoqëria kosovare i ka.

Hulumtimi tjetër i realizuar nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore “Prania e dhunës në marrëdhëniet adoleshente” jep të dhëna shqetësuese sa i përket qëndrimeve të adoleshentëve lidhur me funksionin e familjes. Shumë prej tyre (40 %) besojnë së vetëm gratë janë përgjegjëse për përkujdesjen e fëmijëve dhe për punët e shtëpisë. Për më tepër, një qëndrim i rëndësishëm që mbizotëron në mesin e adoleshentëve të këtij studimi nga të dyja grupet gjinore përkitazi me virgjërinë e  grave derisa ajo hyn dhe zhvillon një lidhje potenciale romantike. Më saktësisht, shumica e pjesëmarrësve, 65 % syresh, besojnë se vajza duhet të jetë e virgjër në kohën kur ajo vendos të hyjë në një lidhje. Për më tepër, duket se normat shoqërore e kulturore për virgjërinë e gruas ka pasur më shumë ndikim te vajzat sesa te djemtë pjesëmarrës në këtë studim; kjo shihet në faktin se më shumë vajza, 70 % prej tyre, sesa djemtë (59 %) besojnë në vërtetësinë e mendimit se një vajzë duhet të jetë e virgjër kur hyn në një lidhje romantike.

Pikërisht, parametrat matës tregojnë dhe përcaktojnë tipologjinë dhe sistemin e vlerave të një shoqërie. Hulumtimet me qytetarë synojnë të shpërfaqin sistemin e vlerave të një shoqërie. Kjo e jona ende vazhdon të përpëlitet në vlerat konservative, duke kultivuar me njëfarë insistimi jotolerancën ndaj disa vlerave, të cilat sot vendet e zhvilluara i trajtojnë si të drejta elementare njerëzore.

Tradicionalisht, jo se kemi bërë ndonjë përpjekje serioze për ta ndryshuar qasjen e shoqërisë kosovare ndaj humanes. Nëse asgjë nuk kemi bërë, së paku duhet heqim dorë nga habia dhe të reflektojmë për atë që po ngjet me ne.

Ndryshimi si refuzim

Një hulumtim i zhvilluar në vitin 2000 me titull “Konflikti dhe ndryshimet në Kosovë: Pasojat në Institucionet dhe Shoqërinë”, i realizuar nga autorë të huaj, thotë se procesi i modernizimit në Kosovë ka nisur gjatë viteve 1970-1980, kur filloi industrializimi, urbanizimi dhe arsimi formal. Ky proces i solli fund jetës tipike tradicionale dhe familjeve të mëdha patriarkale në Kosovë. Mirëpo, sipas hulumtimit: “Përjashtimi nga strukturat shtetërore, konflikti dhe humbja e banesave në vitin 1990 kishte kthyer trendin në mesin e shqiptarëve të Kosovës në nivelin e vitin 1970-1980, në drejtim të formimit të familjeve të ngushta dhe integrimin e tyre në strukturat shoqërore. Por, një situatë e tillë politike dhe sociale ndikoi në krijimin e rrethanave specifike në zhvillimin e familjes”. Prandaj, “Me eskalimin e konfliktit, dhe asaj që disa e konsiderojnë si kthim gradual i traditave patriarkale lokale të përfshira nën termin kanun dhe kësisoj edhe situata e grave është keqësuar”.

Rrethanat shoqërore, - sidomos ajo politike dhe ekonomike, - i kanë vënë në lëvizje të gjitha strukturat mikro dhe makrosociale me natyrë tradicionale, të cilat kanë qenë të bazuara në standardet e jetës kolektiviste, qoftë  institucione të tilla të jetës intime dhe sociale siç janë familja. Për shkak të zhvillimit historik të martesës dhe të familjes në Kosovë, pabarazitë e theksuara gjinore, vlerave tradicionale, papunësisë si dhe lindshmërisë së trupit të gruas me produktivitetin, intimiteti vazhdon të jetë i kontrolluar nga shumë faktorë sociokulturor.

Mirëpo, sipas hulumtimit del që shoqëria shqiptare tradicionalisht shtëpinë e ka pasur një “terren të sigurt” të funksionimit të jetës materiale dhe morale, kusht për të garantuar sigurinë sociale të individit përmes jetës në strukturën e konsoliduar të familjes dhe brenda ambientit të mbyllur të shtëpisë.

Pavarësisht nga këto rrethana “shtëpia” ka bërë përpjekje për t’u transformuar si strukturë dhe ka pësuar një “krisje tipologjike” edhe pse kjo e përcjell tani me disa kriza tjera të manifestuara. Padyshim, prezantimi i ndryshimit të rolit të familjes në tekste shkollore dhe zgjerimi i funksioneve sociale të shtëpisë dhe portretizimi i anëtarëve të familjeve jashtë standardeve tradicionale mund të sjellin një varg ndryshimesh me rëndësi më mentalitetin e shoqërisë kosovare.

Hulumtimi  “Konflikti dhe ndryshimet në Kosovë: Pasojat në Institucionet dhe Shoqërinë” poashtu ka theksuar se këto ndryshime mund të shndërrojnë në imperativ ridimensionimin e rolit të familjes në raport me individët, që përbëjnë lidhjen në çift dhe qëndrimet e tyre ndaj dashurisë, gjë që ndihmon “ndryshimin e strukturës sociale të shtëpisë nga njëra anë, por dhe me imperativët dhe interferimet e tyre me natyrë më të zgjeruar sociale, nga ana tjetër”. Gjithsesi, ndryshimi gradual i familjes dhe i martesës shqiptare ka ndikuar edhe në ndryshimin e relacionit ndërmjet çifteve. Kësisoj, botëkuptimi tradicional mbi rolet sociale ndërmjet burrit dhe gruas në shoqëri, ka penguar zhvillimin e formave alternative të të jetuarit. Prandaj, Anthony Giddens në librin e tij “The Transformation of Intimacy”, argumenton se intimiteti në formën moderne nënkupton një demokratizim rrënjësor edhe në domenin ndërpersonal, i cili: “mund të jetë një ndikim subversiv mbi institucionet moderne si një e tërë”. 

E megjithatë, krahas dinamizimit të tillë të prezantimit të strukturës së familjes në këto tekste shkollore dhe mospërfshirjes së ndryshimit në tipologjinë e “jetës shtëpiake”, ne s’duhet të çuditemi me rezultatet e hulumtimeve që prezantojnë shoqërinë kosovare si të tillë.

19 shtator 2015
14:45

Sibel Halimi