Islamofobia - tendencë relativizuese ndaj ekstremizimit fetar

Në një vend që nominalisht, regjistrimi i fundit e nxjerr me shumicë myslimane, një tezë e tillë tingëllon anakronike. Pra, nuk ka të bëjë me islamofobinë, por për përplasje brenda të njëjtit komunitet fetar, e cila shtron nevojën që të hapet debati brenda Bashkësisë Islame për ta ruajtur islamin kosovar nga tendenca e ndikimit nga rrymave radikale, të cilat tashmë kanë krijuar celulat e tyre në shumë xhami

07 shtator 2015 14:08

Pjesëmarrja e qytetarëve të Kosovës në luftëra të huaja përballi shoqërinë kosovare në të gjitha dimensionet. Rrjedhimisht, Kosova duke qenë pjesë e zhvillimeve në kontekstin global, nuk arriti të shpëtojë nga afektimi. Megjithatë, koncepti “ekstremizëm fetar”, u bë motoja kryesore e diskursit publik, pavarësisht se ky debat ende nuk e ka definuar qartë se çfarë është në të vërtetë ekstremizmi fetar.

Në këtë kontekst, mungon kundërnarrativi, si preventivë e luftimit, e parandalimit me hapa adekuat. Pra, mungojnë studime mbi profilin e qytetarit, i cili motivohet të bëhet pjesë e kësaj ideologjie, siç mungojnë edhe masat e deradikalizimit apo fushata, në funksion të shpërfaqjes të së kundërtës.

Për mungesë të këtyre masave, nga ky debat i vakët publik, dalin teza fragjile për ekzistencën e të ashtuquajturës “islamofobi”.

Në një vend që nominalisht, regjistrimi i fundit e nxjerr me shumicë myslimane, një tezë e tillë tingëllon anakronike.

Pra, nuk ka të bëj me islamofobinë, por për përplasje brenda të njëjtit komunitet fetar, e cila shtron nevojën që të hapet debati brenda Bashkësisë Islame për ta ruajtur islamin kosovar nga tendenca e ndikimit nga rrymave readikale, të cilat tashmë kanë krijuar celulat e tyre në shumë xhami. Ky moment po përball seriozisht pjesëtarët e të njëjtit komunitet ndër vete, teksa institucioni menaxhues (BIK-u), nga pozicioni mbështetës për praktikuesit ndryshe të islamit, së voni ndërron kurs duke ndier rrezikun e përshkallëzimit të përplasjes ndërislame në vend. Nga ky prizëm, një grup më i madh i këtij komuniteti po vihet në pozicion frikësues nga një pakicë, e cila në emër të parimeve religjioze islame po e mban në ankth një pjesë të botës.

Prodhimi i tezës së islamofobisë, nuk është kundërpeshë e ekstremizmit fetar.

Gazetari Brendan O’Neil, në një koment të paradokohshëm në “National Review”, idenë e islamofobisë e sheh më shumë të bazuar në fantazi.

“Ideja e islamofobisë gjithmonë është e bazuar më shumë tek fantazitë dhe paniku i elitave politike e mediatike, sesa tek ndonjë nivel real dhe i matshëm i urrejtjes ose i dhunës kundër myslimanëve”, - shprehet O`Neil.

Kjo më së miri ilustrohet nga gjendja aktuale që mbretëron në Kosovë. Raportet policore të deritashme nuk kanë evidentuar ndonjë rast islamofobie, por kanë identifikuar raste të personave, të cilët janë bërë pjesë e luftërave të huaja.

Kësisoj, grupeve ekstremiste fetare në Kosovë i është vënë përballë lansimi i tezës së islamofobisë, në mënyrë që problemi i parë të mos shihet si i tillë, por të zhvendoset në taborin e problemit të shoqërisë kosovare me islamin.

Prandaj, shpikja e konceptit të islamofobisë në kontekstin kosovar, nuk është përpjekje adekuate për të shënuar një gjendje të caktuar psikologjike dhe sociale që ka kjo shoqëri. Është adoptim i zbehtë dhe artificial i pozitës që mund të kenë myslimanët në disa pjesë apo lagje të Kosovës, ku me vetëpërcaktim ata janë mbyllur, duke refuzuar integrimin me pjesën tjetër myslimane, gjithnjë me pretendimin e të qenit islam autentik.

Duke qenë vend me shumicë myslimane është krejtësisht e palogjikshme që një përcaktim religjioz të kthehet në fobi.

Konflikti i krijuar nën pretekstin e fesë nuk ka të bëjë me konfliktin e jashtëm, por me atë të brendshëm, i cili është një proces dinamik. Grindja e brendshme te grupet fetare vije si rezultat edhe për shkak interesave jo fetare, për atë të prijësisë dhe pushtetit si dhe për shkak të çarjeve të tjera brenda grupit. Prandaj, përplasjet brenda BIK-ut nuk janë prodhim i rastit. Ato hapën mundësinë për një rikonceptim të relacionit të shoqërisë me besimin islam.

Në Kosovë, tashmë është shndërruar në mendësi që sa herë flitet për çfarëdo problemi, janë dy taborë: për dhe kundër, ndaj dhe si rrjedhojë kanë prodhuar një diskurs i cili nuk arrin asnjëherë të krijojë një opinion të qëndrueshëm lidhur me një çështje të caktuar. Kjo, më pas derivon në pengimin e krijimit të një epistemiologjie që mëton t’i përafrohet një të vërtete, e në mungesë të saj, dominojnë paragjykimet dhe konstruksionet e tilla.

Pra, në Kosovë nuk ka islamofobi, por fobi, ndaj veprimeve që synojnë të prishin kohezionin brenda komunitetit mysliman, por edhe në relacion me komunitetet e tjera. Kësaj fobie duhet t’i gjendet antidoti, sepse rreziku nuk vjen nga komunitetet religjioze pakicë, porse nga ai që përbën shumicën. E paqen e çfarëdoshme, në çdo vend e çdo kohë e siguron shumica!

07 shtator 2015
14:08

Sibel Halimi