Sektorët e feminizuar

15 gusht 2015 13:21

Statistikat zakonisht janë interesante. Politikanët i duan statistikat sepse mund t’i shfrytëzojnë për të treguar diçka që iu konvenon, apo fshehur ato që i shohin si të papërshtatshme. Ne, ekonomistët, i duam statistikat, sepse na japin mundësi të modelojmë dhe të projektojmë ndikimin e politikave të ndryshme në ekonomi. Sidoqoftë, në përgjithësi, edhe nëse përdoren në mënyrë të drejtë, jo për të fshehur ato çfarë tregojnë, statistikat nuk e tregojnë asnjëherë tërë tregimin. Mirëpo, së paku e japin një pikënisje për të krijuar pamjen e përgjithshme. Në shkrimin e sotëm, dhe shkrimet në vijim, do të provoj që me anë të të dhënave statistikore, në kombinim me kontekstin shoqëror dhe kulturor, si dhe hulumtimet akademike, të krijoj një ide më të mirë të rolit dhe situatës së grave në ekonominë kosovare.

Ekziston një fenomen i njohur si feminizimi i vendeve të punës. Nëpër botë, si në vendet e zhvilluara, e sidomos ato në zhvillim, ka profesione të cilat janë të feminizuara, të dominuara nga gratë. Një karakteristikë tjetër e këtyre profesioneve është që zakonisht janë të penalizuara sa i përket pagave. Si gratë, ashtu edhe burrat në këto profesione, zakonisht janë të nën-paguar për punën që e bëjnë. Këto profesione janë kryesisht profesionet që përfshijnë kujdesin për të tjerët. Puna në shëndetësi dhe arsim mbizotërohet nga gratë, statistikë kjo që qëndron edhe për Kosovë.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, rreth 40% e grave të punësuara janë të punësuara në sektorët e arsimit apo të shëndetësisë. Puna në këto sektorë, duke qenë e feminizuar, është e devalvuar globalisht. Në Kosovë, pagat mesatare në sektorin e arsimit dhe shëndetësisë qëndrojnë afër pagës së përgjithshme mesatare, për dallim prej sektorit të shërbimit publik dhe atij të sigurisë që janë mbi pagën mesatare. Punëtorët e këtyre dy sektorëve janë ndër më të zëshmit rreth pagave të ulëta. Mirëpo, përveç argumenteve që pagat duhet të mundësojnë jetesë të mirëfilltë për ata që i marrin dhe duhet të reflektojnë vlerësimin real të punës, është një këndvështrim tjetër që duhet të konsiderohet. Vlera e vërtetë që këto profesione ia japin shoqërisë.

Ekonomistët preferojnë të matin ndikimin me numra dhe në mënyrë të drejtpërdrejt. Kryesisht, kjo është mënyra më e mirë të cilën e kemi deri tani. Mirëpo, numrave duhet t’u jepet kuptim dhe kontekst. Në rastin e punës në sektorin e arsimit dhe shëndetësisë, përveç ndikimit direkt që e kanë në shoqëri, duke e matur me numra, këta sektorë, më shumë se të tjerët, i japin vlerë të shtuar shoqërisë. Kjo vlerë e shtuar, fatkeqësisht, nuk është lehtë, e shpesh edhe fare e matshme, posaçërisht në kohë reale. Kontributi i një mësuese nuk janë vetëm 30 nxënës të cilët përfundojnë klasën e pestë dhe janë të gatshëm të vazhdojnë mësimin në klasën e gjashtë. Kontributi i tyre shkon përtej. Ata japin bazën e arsimimit të një grupi të njerëzve që nesër mund të bëhen gjithçka, nga qytetar model deri të persona që ndryshojnë botën. Ky kontribut, duke mos qenë i drejtpërdrejt dhe i menjëhershëm, është gati i pamundshëm të matet. Mirëpo, duke e pasur parasysh këtë, ne mund të krijojmë modele ekonomike, që në numra, e vlerësojnë edhe kontributin jo direkt të punëtorëve të arsimit. Në këtë mënyrë mund të kemi një alokim më adekuat të buxhetit drejt kompensimit të atyre që janë përgjegjës për formësimin e një shoqërie të tërë.

Kjo gjë është tejet më e dukshme për sektorin e shëndetësisë. Kontributi i punëtorëve shëndetësor nuk është vetëm trajtimi dhe shërimi i personave të caktuar të cilët shkojnë për t’i konsultuar. Parandalimi i përhapjes së sëmundjeve të ndryshme, puna e tyre për të siguruar jo vetëm mirëqenien por edhe shëndetin e shoqërisë, shkojnë përtej numrave të personave që i trajtojnë çdo ditë. Këtë ndikim përhapës në shoqëri shpesh e marrim për të qenë dhe nuk i japim vlerësimin e duhur. Kështu, sektori i shëndetësisë gjithashtu përfundon i nënvlerësuar dhe si rezultat i nën-kompensuar.

Për të qenë e qartë edhe një herë, ky fenomen nuk është ekskluziv në Kosovë, kjo është diçka që është e dukshme edhe në vendet e zhvilluara. Sidoqoftë, dallimi mes nesh dhe vendeve të shumta ku ky fenomen është i pranishëm, është se ne nuk kemi ndërmarrë masa për të adresuar këto probleme. Që secili qytetar në veçanti dhe shoqëria në përgjithësi të kuptojë rëndësinë e këtyre sektorëve duhet që politikat e qeverisë të reflektojnë vlerësimin e mirëfilltë të këtyre profesioneve. (Jo) Rastësisht këto profesione të nënvlerësuara janë të dominuara nga gratë. Kështu me politika të cilat do të reflektonin kompensimin material me vlerësimin real të punës së këtyre sektorëve, ndikimi në shoqëri do të ishte edhe më i madh. Me rritjen e pagave për këta sektorë, do t’i rriteshin pagat 40% të grave të punësuara, duke i fuqizuar ato ekonomikisht edhe më tej. Pozita e tyre më e favorshme në treg të punës do t’i fuqizonte ato edhe në rolin e tyre brenda familjes. Kështu, me hapa të sigurt do të ishim duke punuar drejt arritjes së barazisë gjinore, së paku në aspektin ekonomik, së paku në sektorin publik, së paku në profesionet e feminizuara.

 

15 gusht 2015
13:21

Dita Dobranja