Srpska, “provë gjenerale” për shkëputje

03 tetor 2016 12:21

Milorad Dodikut, të cilit vështirë se dikush mund t’ia rrezikojë titullin e politikanit më të kalkuluar në rajonin e Ballkanit perëndimor, i është plotësuar “ëndrra” e shumëpritur me mbajtjen e referendumit në entitetin serb në Bosnjë të cilin ai e udhëheq. Referendumi, i cili ka shtruar pyetjen për datën e festës “nacionale” të Republika Srpskës, ka ardhur si kulminim i konfrontimit të Dodikut me entitetet tjera në Bosnjë, dhe ka përfunduar me ftesë nga prokuroria federale për tu marrë në pyetje për shkelje direkte të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Me 9 janar 1992, kur ngadalë zihej fillimi i luftës në Bosnjë, perfaqësuesit serb në kuvendin e Republikës së Bosnjës dhe Hercegovinës, të udhëhequr nga Radovan Karagjiq dhe të indinjuar me kërkesën e perfaqësuesve të tjerë në kuvend që Bosnjës dhe Hercegovinës t’i njihej pavarësia e saposhpallur nga komuniteti evropian, ashtu si u ishte njohur Sllovenisë, Kroacisë dhe Maqedonisë, formuan qeverinë e tyre në Palle – qytezë në periferi të Sarajevës – dhe shpallen formimin e “Republikës së Serbeve të Bosnjës dhe Hercegovinës”, e cila njëkohësisht u deklarua se donte të mbetej pjesë e federatës jugosllave të cunguar – duke shpallur “autonominë” e saj politike dhe ideologjike (apo thënë në menyrë banale – autonominë etnike) nga pjesa tjeter e Bosnjës.

Me 25 shtator të këtij viti, 99.8 përqind nga më shumë se gjysma e popullatës së Republika Srpskës të cilët kishin marrë pjesë në referendum, i thanë “po” pyetjes se a duhet të festohet 9 janari si dita nacionale e pavarësisë – gjë që mund të duket e pakuptimtë për ata që nuk kanë percjellur “ping-pongun” nacionalist në mes të Dodikut dhe përfaqësuesve të entiteteve tjera në Bosnjë rreth kësaj teme që nga viti 2007, kur kuvendi i Srpskës ratifikoi “Aktin për Festat e Republika Srpskës”, duke e bërë 9 janarin festë nacionale të entitetit.

Tetë vjet radhazi, pyetja se a duhet të festohet kjo ditë si “ditë e Serbeve të Bosnjës” e ka gëlltitur përpjekjen për politikbërje të shëndoshë në mes të Banja Llukës dhe Sarajevës, pikëspari pasi që Gjykata Kushtetuese e Bosnjës e hodhi poshtë ligjin për festën si “jokushtetues” dhe e ndaloi mbajtjen e referendumit. Dodiku jo vetëm se e ka injoruar vendimin e Gjykatës Kushtetuese, ai ka vendosur ta mbajë referendumin edhe kur komisioni qendror i zgjedhjeve refuzoi t’ia japë fletëvotimet entitetit, duke varfëruar buxhetin e entitetit për 700,000 euro për organizimin e referendumit.

Nënkuptohet, ky “referendum i vogël” siç i referohen në Srpska, shërben vetëm si parapërgatitje apo thënë më mirë “kërcënim” për referendumin e madh, atë për shkëputjen e Srpskës nga Federata e Bosnjës dhe Hercegovinës. Këto ambicie të Srpskës nuk vijnë thjeshtë si “lexim mes rreshtash” - në kongresin e saj të mbajtur para një viti e gjysmë në Sarajevën Lindore (pjesën e Sarajevës me shumicë Serbe) Aleanca e Social Demokratëve të Pavarur (SNSD) ka thënë se në vitin 2018 do të mbahet referendumi për pavarësimin e Republika Srpskës “nëse deri atëherë nuk përmirësohet pozita e RS-së brenda Bosnjës”.

“Gjykata jo-Kushtetuese”

Si çdo politikan pak më dinak në vendet në zhvillim, Dodiku veprat e tij i fsheh pas sistemit politik shpesh kompleks dhe të pa-definuar të Bosnjës. Sipas marrëveshjes së Dejtonit dhe Kushtetutës së vendit qe rrjedh nga ajo, Srpska ka një lloj autonomie, ka kushtetutën e entitetit, ka kuvendin i cili mund të votojë për çështje të entitetit dhe të aprovojë ligje në interes të tij – por të gjitha këto i nënshtrohen një lloj mbikqyrjeje të organeve qendrore federale. Në këtë rast, Gjykata Kushtetuese ka thënë se referendumi “i shkelë të drejtat e popujve, feve dhe etnive tjera në Republika Srpska”, ku përfshihen boshnjakët që jetojnë aty, si dhe ka konstatuar se ai nuk duhet të mbahet.

Dhe mu kjo gjykatë të hënën e kaluar e kishte ftuar Dodikun për pyetje në Sarajevë, si të “dyshuar për mosrespektim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese” – akt të cilin Dodiku prapë e ka shfrytëzuar për të fituar poena politik. “Ne duhet të ruajmë sovranitetin e entitetit tonë, dhe nuk mund të lejojmë që një Gjykatë Jo-Kushtetuese të na shkel drejtat tona.”

"Ata nuk mund të pezullojnë vendimin tonë. Vendimin tonë mund ta pezullojë vetëm Kuvendi Kombëtar dhe Kuvendi Kombëtar do të mblidhet për këtë çështje dhe ne do të mbajmë një referendum," ka thënë Dodiku.

Gjatë tërë kohës sa ka qenë në pushtet, Dodiku ka osciluar nga pozicioni i një përkrahësi të flaktë të Marrëveshjes së Dejtonit – marrëveshje e cila qëllim primar e ka pasur përfundimin e luftës në Bosnjë, por edhe krijimin e “kornizave të pergjithshme” për krijimin e shtetit, shpesh duke mbrojtur të drejtat e Republika Srpskës – në pozicionin tjetër ku marrëveshjen e sheh si cenuese të sovranitetit të Srpskës, dhe krejt kjo sipas nevojave politike ditore te tij. Republika Srpska dhe Federata boshnjako-kroate e Bosnjës dhe Hercegovinës kanë qeveritë e tyre, presidentët dhe parlamentet, por janë të lidhura nga një grup i institucioneve të përbashkëta të nivelit shtetëror.

Kushtetuta e cila duhet të vlejë për gjithë shtetin e Bosnjës dhe Hercegovinës shpesh është subjekt i aplikimit selektiv të përfaqësuesve të RS-së. Kur është në pyetje mbrojtja e interesave të entitetit të tij, sic janë kufijtë e Srpskës të cilët përfshijnë shumë qyteza me shumicë boshnjake, atëherë i akuzon boshnjakët se shkelin Kushtetutën. Ndërsa, kur kushtetuta e rrezikon qëllimin e tij të qartë që shtetin ta bëjë të funksionojë më shumë si konfederatë me dy mini-shtete gati të pavarura, atëherë e zhvlerëson, dhe gjykatën kushtetuese e paraqet si një kukëll të prezencës ndërkombëtare ne Bosnjë – duke u bazuar kryesisht në faktin se 3 nga 9 gjykatës të saj zgjidhen direkt nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, 4 nga kuvendi i Federatës dhe 2 nga Republika Srpska, gjë që sipas Dodikut mund të ndikojë në një balans “jo-fer” ndaj RS-së.

“E keni kthyer popullin kundër Serbisë”

Është pritur që prezenca ndërkombëtare në Bosnjë, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Përfaqësuesin e Lartë të BE-së, do të kundërshtojnë mbajtjen e referendumit si një kërcënim ndaj realitetit të brishtë etnik e politik në vend. Por nuk është pritur qe këtë ta bëjë edhe Serbia. Aleksandar Vuçiq ka përsëritur disa herë se Qeveria e Serbisë nuk përkrah referendumin në Bosnjë. “Ka qenë shumë vështirë qe të dalim me një deklaratë të tillë, por Qeveria e Serbisë dhe Presidenti janë qartazi kundër mbajtjes së referendumit,” ka thënë ai.

Menjëherë kanë pasuar akuza (nga nacionalistët) se Dodiku i ka kthyer serbët e Bosnjës kundër Serbisë. Ndërsa ai këtë e ripaketoi në akuzë ndaj komunitetit ndërkombëtar, duke thënë: “Kur jam takuar me ambasadorin britanik në Bosnjë, ai ka thënë se nuk ka asgjë kundër referendumit në Bosnjë. Kuptohet, pas presionit nga Sarajeva, ai është detyruar ta ndryshojë mendimin e tij.” Vazhdimësia e kësaj logjike të Dodikut sugjeron se Serbia për të njëjtën arsye nuk e ka përkrahur referendumin, dhe se perëndimi po i bën presion aleatit të tyre, Serbisë, për ta thënë këtë.

Vetëm Rusia ka përkrahur inciativën e Dodikut për referendum. Disa ditë para referendumit ai ka shkuar në Rusi për t’u takuar me Putinin – detajet e këtij takimi nuk janë bërë publike. Moska zyrtare ka deklaruar se referendumi “nuk e cenon integritetin territorial të Bosnjës” dhe se duhet të mbahet.

“Do të përfundosh si Sadam Huseini, Gadafi dhe Millosheviqi”

Nuk është fshehtësi se Dodiku nuk gëzon përkrahje të madhe të popullit boshnjak dhe kroat të Bosnjës – Bakir Izetbegoviq, udhëheqësi i Lidhjes Demokratike për Veprim (SDA), partisë kryesore boshnjake në vend, është ai që ka inicuar procesin në Gjykatë Kushtetuese në lidhje me festën e 9 janarit. Pas mbajtjes së referendumit, ai ka thënë se nëse vazhdon kështu, Dodiku do të përfundojë si “Sadam Huseini, Gadafi dhe Millosheviqi”.

Dodiku këtë e ka shfrytëzuar për t’u mbuluar me petkun e viktimës, dhe ka thënë se do t’i përgjigjet thirrjes së Gjykatës për t’u marrë në pyetje, por se assesi nuk do të shkojë në Sarajevë – dëshminë e tij do ta japë diku në ndonjë gjykatë të RS-së. “Në Sarajevë më shohin si babarogë”, ka deklaruar Dodiku, duke thënë se nuk ndihet i sigurtë në kryeqytetin e Bosnjës dhe se deklarata e Izetbegoviqit ka qenë “thirrje për linçim”.

Zgjedhjet lokale

Ministri i Punëve të Jashtme të Federatës së Bosnjës dhe Hercegovinës, Igor Crnadek, e ka karakterizuar gjithë këtë bujë rreth referendumit si një “kampanjë paraelektorale e SNSD-së, e cila keqpërdorë vullnetin e popullit”. Kjo tingëllon si analizë me vend, duke marrë parasysh se Bosnja mbajti zgjedhjet vetëm një javë pas referendumit.

Në zgjedhjet lokale të cilat u mbajtën të dielën, atmosfera në Bosnjë ishte dëshpëruese. Për shumë nga ata të cilët janë ngopur me “politikat identitare” të cilët dominojnë në Bosnjë nga përfundimi i luftës, fakti që referendumi është bërë tema kryesore e debatit, do thotë se prapë do të anashkalohen debatet rreth problemeve konkrete dhe ekzistenciale që dominojnë në vend - skeptikët kishin të drejtë, pasi që fushata paraelektorale dhe votimi u dominua nga reagimet e politikanëve dhe partive ndaj “Referendumit të Dodikut”.

Triumvirati i Milorad Dodikut, Bakir Izetbegoviqit dhe Dragan Çoviqit (udhëheqësi ultra-nacionalist të partisë kryesore kroate në Bosnjë - HDZ) dhe partitë e tyre vazhdojnë të dominojnë në vend. Për shkak se shpesh në Bosnjë retorika politike zhvendoset në rrafshin etnik dhe në zënkat se kush është “kroati, boshnjaku apo serbi më i denjë” e mbajnë të gjallë përjetimin e një vendi “post-konfliktuoz”, vështirë se do të mund të krijohet hapësira për partitë të cilat e tejkalojnë këtë retorikë, ofrojnë platformë progresive, mbi-etnike dhe me zgjidhje konstruktive për vendin e tyre.

*Pos nëse ceket ndryshe, çdo herë kur thuhet “Bosnjë” e kemi fjalën për Shtetin e Bosnjës dhe Hercegovinës. Federata e Bosnjës dhe Hercegovinës dhe Republika Srpska janë dy pjesë përbërëse apo entitete të saj.

03 tetor 2016
12:21

Una Hajdari