Schindlauer: Askush nuk duhet të përjashtohet për shkak të karakteristikave personale

Sbunker pyet: Pse është tani koha të flasim për të drejtat e komunitetit LGBT?

10 mars 2016 10:27

Ka kohë që mbizotëron heshtja rreth çështjeve që kanë të bëjnë me personat LGBT. Vetëm heshtje. Duket se shumë njerëz në Kosovë as që e kanë ditur se personat LGBT ekzistojnë në lagjet e tyre, në familjet dhe në shoqërinë e gjerë.

Gjatë punës mbi çështjet LGBT në Kosovë, një ndër qëndrimet më sterotipizuese që kemi hasur është ideja që homoseksualiteti nuk ekziston fare në Kosovë, dhe perceptimi se ai është një model i huaj dhe dekadent që nuk konsiston me natyrën e thjeshtë të kosovarëve të vërtetë. Një tjetër pyetje bezdisëse që shtrohet kur flasim për luftën për barazi të personave LGBT në Kosovë, është e përhershmja “A nuk ka Kosova probleme tjera (lexo: më të rëndësishme)?” Posaçërisht të huajt, apo të ashtuquajturit ndërkombëtarë, shpesh e shtrojnë këtë pyetje. Dua ta shfrytëzoj mundësinë që të përgjigjem këtu.

Po, probleme me shumicë ka gjithandej. Në Kosovë, ekziston një mori problemesh. Po. Por a do të thotë kjo që barazia dhe mundësitë e barabarta duhet të trajtohen si çështje të vogla – të lëna në hije përballë problemeve më urgjente në fushën politike dhe ekonomike?

Jam marrë me çështje të barazisë për më shumë se 20 vite tani në mbarë Evropën, dhe përgjigja ime është një jo e qartë. Në situata diskriminuese shpesh krijohet një keqkuptim i madh që shumica e perceptuar e një shoqërie beson se mosdiskriminimi është shqetësim vetëm për „ata“ – personat që perceptohen si anëtarë të një minoriteti. Njerëzit gabimisht e shohin veten si të paprekur nga këto çështje, të pandikuar nga legjislacioni apo politikat që dalin në mbrojtje ndaj diskriminimit.

Nëse shqyrtojmë atë çfarë e ndërton një shoqëri, si shoqëritë ecin përpara dhe zhvillojnë resiliencë dhe fuqi, aty e shohim qartë rëndësinë e përfshirjes. Përfshirje do të thotë që çdo anëtar i shoqërisë konsiderohet i rëndësishëm, pjesë përbërëse e tërësisë. Përfshirje do të thotë që i respektojmë të gjithë dhe presim shumë nga të gjithë, pa hequr dorë nga ta. Përfshirje e qartë dhe e dukshme do të thotë të ndash përgjegjësinë, mundin dhe përfitimet me të gjithë, të mos e shohësh asnjë njeri si barrë ose tepricë, por si një pjesë themelore dhe të nevojshme për „ne“-në e madhe.

Mosdiskriminimi është, si rezultat, shtylla e fuqisë së një shoqërie, qëllimi i së cilës është të sigurojë që askush nuk do të përjashtohet për shkak të karakteristikave personale që kanë të bëjnë me identitetin ose personalitetin e tyre. Trajtimi i barabartë i personave që janë të perceptuar si „ndryshe“ nga shumë të tjerë, na bën të kuptojmë se të qenit ndryshe është një ndër cilësitë bazë të ekzistencës njerëzore; që ne të gjithë dallojmë nga njëri-tjetri në një listë të pafundme të karakteristikave, por që gjithashtu jemi shumë të ngjashëm në nevojat bazike dhe dëshirat.

Përderisa dallojmë në gjini, ngjyra lëkure, fe, gjuhë amtare, tradita, besime dhe orientime seksuale, dallojmë edhe në moshë dhe shkallë të sigurisë financiare, dallojmë në paaftësitë dhe pikëpamjet tona, në talentet dhe aftësitë, ne gjithashtu kemi një nevojë të përbashkët për paqe, liri, ushqim dhe strehë, për siguri, shëndet, kontakt njerëzor dhe jetë familjare, për zhvillim, edukim dhe vetëpërmbushje dhe – e fundit, por jo për nga rëndësia – për respekt për personalitetin tonë dhe për pjesëmarrje në jetën publike.

Pra, një ndër hapat themelorë drejt një shoqërie më përfshirëse është të pranojmë se ajo është diverse, se ka dallime të cilat nuk e bëjnë dallimin kur bëhet fjalë për vlerën e një personi apo dinjitetin e një individi. Prandaj, është koha ta shohim që orientimi seksual dhe shprehja e gjinisë si karakteristika në të cilat lirisht mund të dallojmë, dhe që këto karakteristika janë po aq të natyrshme dhe normale sa të gjitha dallimet e tjera që i bëjnë personalitetet tona aq interesante dhe të gjalla.

 

 

 

10 mars 2016
10:27

Dieter Schindlauer

Sbunker pyet: Pse është tani koha të flasim për të drejtat e komunitetit LGBT?