Stock: Mbrojtja e të drejtave LGBTI duhet të jetë prioritet krahas ekonomisë dhe ligjit

Sbunker pyet: Pse është tani koha të flasim për të drejtat e komunitetit LGBT?

10 mars 2016 10:28

Kur e shqyrtoj këtë pyetje, dy gjëra më shkojnë ndërmend: pse duhet të flasim për diçka që duhet të jetë e garantuar, dhe pse tani?

Fatkeqësisht, mbrojtja e të drejtave të komunitetit LGBTI nuk është e garantuar në gjithë botën. Mbrojtja e këtyre të drejtave është e inkorporuar në kornizën ligjore evropiane, krahas mbrojtjes së grupeve të tjera të rrezikuara. Dhe kushdo që synon të futet në Bashkimin Evropian duhet t’i pranojë këto parime. Meqë Kosovë ka një synim të tillë dhe meqë ende ka punë për t’u bërë në këtë fushë, neve na duhet të flasim mbi këtë temë. Është një çështje e cila nuk zgjidhet përmes kalimit të ligjeve apo proceseve tjera administrative. Është një çështje e cila kërkon ndryshime në shoqëri, dhe ky është një proces i gjatë, e ndoshta edhe i rëndë.

“Bashkim në diversitet” është motoja zyrtare e Bashkimit Evropian (BE). Së pari u përdor në vitin 2000, krahas flamurit dhe himnit të Evropës. Kjo moto ka të bëjë me pluralizmin, tolerancën, respektin e përbashkët dhe i sheh dallimet si një përparësi në vend se t’i shohë si sfida. Pas urrejtes dhe krimeve të tmerrshme gjatë Luftës së Dytë Botërore, që çuan në vrasjen e miliona njerëzve në Evropë, ideali për t’u bashkuar dhe për ta festuar bukurinë e diversitetit tonë është mbi të gjitha obligim moral.

Diskutimi mbi çështjet që kanë të bëjnë me komunitetin LGBTi në BE po ashtu nuk ka qenë gjithnjë i lehtë. Në dekadat e fundit sidoqoftë kemi parë progres të rëndësishëm. Një tregues i kësaj është mbrojtja ligjore. Ashtu si në Kosovë, ku adoptimi i paketës së legjislacionit kundër diskriminimit në vitin 2015 ka qenë një hap i madh përpara, edhe ne në BE mund t’i renditim disa suksese:

Ligjet dhe politikat e BE-së mundësojnë barazinë dhe mosdiskriminim në baza të orientimit seksual, janë të mbrojtura në Traktatin mbi Funksionimin e Bashkimit Evropian dhe Kartës së të Drejtave Themelore të Bashkimit Evropian (CFREU). Parimi themelor i EU-së për trajtim të barabartë gjithashtu mbron personat trasngjinor kundër diskriminimit. Kjo figuron në Direktivën Gender ReCast të BE-së, në Direktivën Gender Goods & Services, si dhe ka referenca eksplicite mbi identitetin gjinor dhe shprehjen në Direktivën e Kualifikimit për Azil në BE dhe Paketën e BE-së për të Drejtat e Viktimave.

Institucionet evropiane kanë ndërmarrë një rol më proaktiv në promovimin e të drejtave LGBTI – ku theksohet roli i Parlamentit Evropian. I ashtuquajturi Raporti Lunacek i Komitetit mbi Liritë Civile, Drejtësinë dhe Çështjet Vendëse ka iniciuar një qasje më të strukturuar dhe strategjike në luftën për barazi të anëtarëve të komunitetit LGBTI në nivel evropian. Udhëzimet për të promovuar dhe mbrojtur të drejtat njerëzore të personave lezbike, gej, biseksual, transgjinor dhe interseks (LGBTI) në lidhje me vendet e botës së tretë, janë pranuar formalisht nga mbledhja e Këshillit të Punëve të Jashtme në Luksemburg në qershor 2013.

Një ndër fushat ku qasja e BE-së rreth të drejtave të personave LGBTI është më e qartë dhe e drejtpërdrejtë, është brenda Strategjisë së Zgjerimit, e cila thekson se krahas lidershipit të fuqishëm nga autoritetet, nevojitet “zero tolerancë ndaj gjuhës së urrejtjes, dhunës dhe frikësimit për të ndryshuar qëndrimet armiqësore të shoqërisë drejt personave LGBTI. Shtetet duhet të marrin masa për të kundërshtuar stereotipet dhe keqinformimin, përfshirë këtu në sistemin e edukimit. Vlerat fetare dhe kulturore nuk mund të përdoren për të justifikuar çfarëdo forme të diskriminimit. Liria e mbledhjes dhe shprehjes duhet të mbrohet, përfshirë këtu trajtimin e përshtatshëm për paradat e krenarisë”.

Duke e pasur këtë parasysh, nuk ka asnjë dyshim që edhe në Evropë çdo ditë duhet të sigurohet barazia e plotë për personat e komunitetit LGBT. Një anketë nga Agjencia për të Drejtat Themelore (FRA) në vitin 2013 tregon që 47% të anëtarëve të komunitet- pra, gati gjysma – janë ndjerë të diskriminuar ose të ngacmuar vitin e kaluar.

Këto shifra janë edhe më alarmuese në Kosovë: një anketë e fundit rajonale në Ballkanin Perëndimor ka gjetur se në Kosovë 81% të anëtarëve të komunitetit LGBTI kanë deklaruar se janë ekspozuar ndaj abuzimit psikologjik, siç janë shakatë mizore, komentet nënçmuese, ofendimet dhe kërcënimet e dhunës fizike.

Sidoqoftë, ka shenja të shpresës. Komuniteti LGBTI në Kosovë ka qenë më aktiv dhe i shprehur si kurrë më parë, duke organizuar konferenca, duke folur në radio, me një përpjekje të vazhdueshme dhe këmbëngulëse të promovojë tolerancën, pranimin dhe respektin, ta bëjë këtë shoqëri një shoqëri më të mirë. Megjithatë, ka ende punë për t’u bërë, sidomos nga politikanët, opinionbërësit dhe liderët e shoqërisë kosovare.

Bërja e shoqërisë më tolerante dhe më të drejtë ndaj grupeve më të rrezikuara duhet të jetë prioritet po aq sa është promovimi i reformave ekonomike, sundimit të ligjit, apo administratës publike. Përpjekjet për të promovuar tolerancën, pranimin dhe respektin nuk mund dhe nuk duhet të jenë vetëm përgjegjësi e aktivistëve të shoqërisë civile, ata kanë nevojë për përkrahjen e vendimmarrësve dhe opinonbërësve të Kosovës.

E fundit por jo për nga rëndësia, ka edhe një tjetër arsye për angazhimin dhe përkushtimin tonë: Shumë gra dhe burra duhet të fshihen, janë të rrezikuar nga ngacmimet dhe dhuna vetëm për shkak të orientimit të tyre seksual. Kjo është një shkelje e qartë e të drejtave të njeriut dhe ne nuk duhet t’ia lejojmë vetes të jemi kalimtarë të heshtur. Dhe është problem i madh nëse çështjet LGBTI nuk kanë ekpozim dhe nuk janë të kuptuara. Për ta mposhtur këtë situatë ne duhet të flasim për këtë çështje. Tani!

 

 

10 mars 2016
10:28

Christof Stock

Sbunker pyet: Pse është tani koha të flasim për të drejtat e komunitetit LGBT?