Maliqi: Të rinjtë duhet ta kontestojnë traditën konservatore

Sbunker pyet: Pse është tani koha të flasim për të drejtat e komunitetit LGBT?

10 mars 2016 10:26

Pjesa më e madhe e njerëzve në Kosovë përballen me probleme të rënda, shumë prej tyre madje edhe me probleme ekzistenciale – rrogën që nuk u del për të shtyrë muajin, fëmijët që nuk kanë shkolla të mira, spitalet që nuk ofrojnë shërbime të mira. Janë me të drejtë të indinjuar me këtë elitë politike të papërgjegjshme dhe mospërfillëse ose kanë frikë për të ardhmen e tyre dhe të fëmijëve të tyre.

Prandaj edhe kam deri diku mirëkuptim kur, në mesin e gjithë këtyre problemeve, njerëzit reagojnë me nervozizëm kur në publik diskutohet çështja e të drejtave të komunitetit LGBTI, një temë kjo për të cilën ka shumë keqkuptime dhe paragjykime.

Tematizimi i kësaj çështjeje në rastin më të mirë shihet disi si “temë luksi” në spektrin e gjerë të problemeve, ndërsa në rastin më të keq si njëfarë fenomeni negativ që në fakt duhet kundërshtuar, njëfarë perversioni i lirisë, apo edhe imponim i jashtëm dhe degjenerim i kulturës sonë, që e rrezikon familjen!  

Por të flasësh për të drejta të njeriut kurrë nuk mund të jetë herët apo vonë, për aq kohë sa qoftë edhe  një njeri i vetëm vuan nga shtypja.

Në rastin e komunitetit LGBTI po flasim për një numër të konsiderueshëm njerëzish që ekzistojnë në Kosovë ashtu si edhe në çdo vend të botës, dhe të cilët natyra i ka bërë të ndryshëm prej shumicës në aspektin e orientimit seksual.

Këta njerëz sot jetojnë nën presion të hatashëm, gati edhe terror shoqëror, dhe janë shpesh të detyruar të bëjnë jetë të dyfishtë, përkundër faktit se nuk përbëjnë kurrfarë kërcënimi për askënd. Po të jetonin të lirë ashtu siç janë, vetëm sa do t’i shtonin peizazhit të diversitetit dhe dashurisë!

Mendoj se pikërisht tani është koha të flasim shumë më hapur për këtë temë për shkak se e kemi një popullatë të re e cila është më pak e ngarkuar me paragjykimet dhe stereotipet e brezave të mëparshëm, pra të atyre që janë rritur në rrethana të izolimit dhe të arsimit totalitar.

Po e vërej se me këtë brez të ri sot mund të arsyetohet më lehtë. Përmes mediave ata sot kanë qasje në informata edhe për atë që po ndodh në botën perëndimore, ku vetëdija për homoseksualitetin dhe të drejtat e komunitetit LGBTI po rriten dita ditës.

Brezit të ri të shqiptarëve i duhet dhënë kurajë që të kenë guxim për ta kontestuar traditën. Që të kuptojnë dhe argumentojnë se jo çdo traditë është e dobishme. Që të kuptojnë se edhe Amerikanët dikur e kishin traditë mbajtjen e skllevërve, apo se edhe ne dikur e kishim traditë mbajtjen e grave në shtëpi dhe pa shkollë. Dikur me kalimin e kohës edhe në Amerikë e edhe në Kosovë dikush u ngrit për të thënë se këto tradita ishin shtypëse!

Brezi i pasluftës duhet të jetë flamurtar i lëvizjes për përparimin e shoqërisë dhe të kuptojë se një shoqëri përparimtare vazhdimisht e zgjeron hapësirën e lirisë prej brezave të mëparshëm.  

Në këtë drejtim, është qenësore që të sfidohet ajo akuza e zakonshme të qarqeve konservatore se homoseksualiteti si i tillë është vetëm një trend të cilin perëndimi po na e shet si përparim.

Homoseksualizmi nuk është as përparim e as regres. Ai është veçori gjenetike e një grupi njerëzish që ka ekzistuar qysh prej kohës kur njeriu ka evoluar në gjendjen e tij të tanishme. Ajo që në fakt përbën përparim është pranimi i këtij fakti historik dhe i pjesëtarëve të komunitetit LGBTI si pjesë e barabartë e shoqërisë sonë!  

 

10 mars 2016
10:26

Agon Maliqi

Sbunker pyet: Pse është tani koha të flasim për të drejtat e komunitetit LGBT?