Për dhunën ndaj burrave

09 tetor 2017 11:06

“Shifra të larta: Ja sa burra u rrahën vjet nga gratë” është artikulli i ndarë ditë më parë nga shumë mediume digjitale në Kosovë. “Rastet më të mëdha të dhunës në familje, ushtrohen nga burrat. Por në vitin e kaluar edhe gratë nuk është se e kanë lënë keq.” – thotë artikulli i Gazetës Blic, i ndarë po ashtu në Periskopi, Gazeta Tribuna dhe portale të tjera. “Gjatë vitit 2016 janë raportuar 1226 raste të dhunës në familje, ku viktima femra kanë qenë 988, e viktima  meshkuj kanë qenë 259”. – raportohet tutje. ‘E pabesueshme, por ndodh’ thoshte mbishkrimi i një portali tjetër mu për këtë lajm.

Po ashtu, artikulli përmban një imazh ku gruaja me një këpucë me takë të lartë sulmon një burrë, i cili me pamje të mjegullt, shihet i strukur tutje në një kënd me sy të mavijosur.

Dhuna ndaj burrave ekziston. Ajo është e dukshme, e shohim çdo ditë, dhe të gjithë gra e burra, i vuajmë pasojat e saj. Dhuna ndaj burrave është fenomen në nivel vendi, rajoni, dhe bote. Dhuna ndaj burrave ka bazë gjinore dhe ajo duhet të luftohet e dënohet me mjetet ligjore në dispozicion.

Por dhuna ndaj burrave ushtrohet nga vetë ata ndaj njëri tjetrit. Krimi i organizuar, vrasjet politike, përleshjet dhe vrasjet për çështje pronësore, hakmarrjet, kidnapimet dhe shantazhet, të gjitha janë forma të dhunës që ushtrohen nga burrat ndaj burrave. Ata e rrezikojnë dhe sulmojnë njëri tjetrin për ‘parime burrërie’, për pronë, para dhe interesa biznesore. Kjo formë e dhunës ndodh haptas e madje edhe mbrohet me krenari.

Kur burrat janë viktima të dhunës në familje, ata janë kryesisht viktima të dhunës ndaj familjarëve të tjerë burra; babai ndaj djalit, axha ndaj nipit, dhe anasjelltas. Këtë mund ta konfirmojnë edhe vetë zyrtarët policorë dhe hetuesit/et e rasteve të dhunës në familje, dhe mediet shumë lehtë mund të sigurojnë këtë informacion dhe të raportojnë me saktësi në tituj dhe përmbajtje artikujsh.

Mllefin, agresionin dhe vulgaritetin mashkullor i kemi pjesë të përditshmërisë sonë. Ata na ngulfatin përmes medieve të shkruara dhe atyre transmetuese. Përplasjet në mes të rivalëve politikë nuk kanë sens e kufij duke u nisur prej sharjeve qesharake e dramatike në Kuvendin e Kosovës e asamble komunale e deri tek kërcënimet e dhunshme dhe përleshjet fizike që i pamë kohët e fundit edhe në një debat televiziv. Por asnjëherë deri më tani këta burra nuk janë portretizuar në media për atë çka janë: agresivë, vulgarë dhe melodramatikë.

Dhuna ndaj burrave nga gratë nuk është fenomen. Si praktikë nuk kanë rrënjë në asnjë shoqëri, dhe as nuk është në hov e sipër. Rastet kur gratë ushtrojnë dhunë ndaj burrave janë sporadike. Ato sigurisht që duhet trajtuar ligjërisht ashtu sikurse secili rast tjetër i çfarëdo forme të dhunës. Por është qesharake (dhe e rrezikshme njëkohësisht) paranoja e medieve për burrat si viktima të dhunës ndaj grave.

Burrat mbrohen nga parimet zakonore ku fjala e burrit është e fundit, ata gëzojnë pronë e pasuri, dhe edukohen t’i mbrojnë këto privilegje me egërsi. Dhe jo vetëm të vetat. Ata mbrojnë privilegjet e njëri tjetrit edhe atëherë kur u takojnë partive, religjioneve, apo etnive të ndryshme.

Dhuna ndaj grave nga burrat (e shpesh edhe nga gratë) ushtrohet për t’i mbajtur ato në pozitë inferiore dhe nën kontroll. Sharjet për ‘kurvëri’, shfuqizimi ekonomik duke u marrë pronën dhe trashëgiminë, mohimi i autonomisë truprore (seksuale dhe riprodhuese), janë disa nga format që përdoren për t’i mbajtur gratë në role dytësore.

Dhuna ndaj grave është çështje e shfrytëzimit të plotë të autoritet pseudo-burrëror dhe e manipulimit me pushtetin të cilin e gëzojnë burrat në shoqëri patriarkale. Shkrimtarja Rosalind Miles e ka shpjeguar këtë hierarki dhe dhunë sistematike ndaj grave duke thënë që përgjatë historisë, fshatari apo skllavi, sado të nënshtruar të kenë qenë nga pronarët e tyre, prapë se prapë kanë pasur të drejtë t’i rrahin gratë e tyre kur janë kthyer në shtëpi. E ngjashme është dhuna ndaj fëmijëve, çështje pushteti dhe abuzimi me hierarki.

Mediet duhet ta kuptojnë njëherë e përgjithmonë që me raportime të papërgjegjshme janë duke i kontribuar në masë të madhe përforcimit të besimit se dhuna ndaj grave është mit dhe jo realitet dominues. Se dhuna që përjetojnë gratë e burrat është e njëjtë, se veç imazhi i një gruaje që merr vendin e burrit dhe luan të njëjtin rol dominues, është tallës dhe se ai burrë që toleron një grua të tillë nuk e meriton epitetin ‘burrë’.

Dhuna mashkullore vret. Ajo është dëshmuar deri më tani dhe lista e burrave dhe grave që e kanë pësuar vetëm po shkon duke u rritur. Prandaj është e domosdoshme që mediet të investojnë në politika të mirëfillta gjinore, dhe ato të obligohen përmes ligjeve të vendit. Kapacitet në këtë aspekt mund t’i ngrisin duke kërkuar bashkëpunim nga organizata vendore dhe ndërkombëtare që ofrojnë programe trajnime për integrimin e perspektivës gjinore në punën e tyre.

Nuk mjaftojnë termet e përgjithshme sikurse “gjuhë e urrejtjes”, “diskriminim direkt apo i tërthortë” në rregullore dhe kode etike të medieve. Politikat gjinore duhet të jenë më të detajuara, të kuptueshme dhe të realizueshme duke filluar prej saktësisë së lajmit, analizës së duhur të të dhënave, gjuhës dhe shprehjeve, si dhe imazheve që përzgjidhen për lajmin. Të gjitha japin porosi. Prandaj mediet kanë mundësinë dhe hapësirën që t’i kontribuojnë përpjekjeve kundër dhunës, apo të vazhdojnë ta normalizojnë dhunën ndaj grave duke e interpretuar atë si shaka.  

09 tetor 2017
11:06

Shqipe Gjocaj