Ato që duhet domosdo të dëgjohen

Si mund të kërkohet llogari për krime të luftës nga Serbia, kur vet Kosova nuk i njeh viktimat dhe mbijetueset e dhunës seksuale dhe torturës, si të dëmtuara, invalide dhe viktima të luftës?!

21 qershor 2017 14:02

Teuta, Merita, Lola, Viki dhe gjashtë gra të tjera mbijetuese të dhunës seksuale dhe torturës gjatë luftës së fundit në Kosovë, ndajnë rrëfimet e tyre në librin e kujtimit “Unë dua të dëgjohem”. Profilet e grave në këtë libër janë ato tipike të grave shqiptare: të varfra, të pashkolluara, me martesa të vështira, dhe pa zë. E kësaj liste më vonë i shtohet edhe dhuna e përjetuar gjatë luftës e shoqëruar më pas me neglizhencë institucionale, përjashtim shoqëror dhe me sfida serioze të shëndetit fizik dhe mendor. Përpjekjet për vetëvrasje ishin të shpeshta, dhe për shumë prej tyre, uniforma policore e ushtarake, edhe pas luftës simbolizoi frikë dhe torturë.

Libri duhet të lexohet domosdo nga të gjithë, sidomos nga klasa politike në vend dhe burrat e kësaj shoqërie. Përmes librit do të kuptoni detajet e dhunës seksuale dhe torturës që kanë përjetuar këto gra (përfshi fëmijët dhe burrat) dhe pasojat e përhershme të cilat u janë nënvlerësuar dhe injoruar. Ky libër do të duhej të shërbejë si mjet i rëndësishëm avokimi që këto gra të trajtohen si kategori ligjore dhe të marrin pension dhe përkrahje institucionale, që edhe pas 18 vitesh, po vazhdon t’ju mohohet.

Lola e humbi burrin dhe vajzën e vogël nga të shtënat kur forcat policore, siç e kujton ajo, hynë në shtëpi dhe i sulmuan kur po hanin darkë. Lolën e nxjerrën zvarrë për flokësh dhe e dërguan në stacion të policisë.  

“Katër orë në polici. Njifar karrige, ma lidhën barkun. Thojke, “Gjaje ku asht Adem Demaçi!” “Po cka kom t’boj une me Adem Demacin, cka kam t’baj une me...” Thojke, “A e din që ka UÇK diku?, Thojsha, “Une se di, qet emër prej juve e mësova.” Edhe përnime nuk e kom ditë, seriozisht. ... Po trojke, “Kush o Mziu? Thojsha “Kush o more Mziu (zmija serb)?” edhe mziu serbisht, gjarpri. ... Domethanë krejt për Thaqin, Adem Demaçin mu m’maltretojshin.”- kujton Lola.

Dhuna seksuale dhe tortura ndaj grave është përdorur si armë lufte dhe është krim lufte. Por mospërkrahja institucionale për këto gra do të mbetet pjesë e turpshme e historisë së Kosovës. Këtë e thotë më së miri e mbijetuara H.H., e prezantuar në libër si ‘skllavja e seksit’, e cila u mbajt peng për dy muaj e gjysmë në një shtëpi të braktisur:

“Na kena përjetu një tmerr. ... Qysh mun me nejtë aty në karrikë çka kem përjetu na. ... Unë sot bukë noshta s’kam n’shpi për iftar me hangar. ... e ai rrin n’karrikë e e merr 2000 euro rrogën.

Për misionin kombëtar të burrit që t’i bashkohet UÇK-së, Teuta është detyruar të kthehet nga jeta e sigurt në diasporë me 4 fëmijë dhe me një tjetër në bark. Duke e parashikuar tmerrin që e pret, pasi të njëjtin e kishte parë në Bosnje dhe Hercegovinë përmes televizionit vite më parë, ajo i thotë burrit se do t’i merr fëmijët dhe do të kthehet në Zvicër. Por burri ia kthen: “Jo, për atdhe le t’vdesim te tonë!”

Dhe frika e saj më e madhe iu bë realitet. Bashkë me fëmijët u keqtrajtua fizikisht nga ofensivat e ushtrisë serbe, u sulmua me granatë, bredhi me ditë të tëra gjatë dëbimit ma vajzën e vogël në gji të cilën mendoi se e ka të vdekur,  u përdhunua seksualisht ashtu e plagosur me orë të tëra, dhe vuajti pasoja të mëdha psikike. “Mas lufte shumë kom hekë, tri vjet jom kanë psiqikisht e lujtne. Kurrë s’kom guxu me nejtë pa kokrra, ksi qetësuese.”  

Ndërsa Lolës, lisat nga larg i dukeshin ushtarë:  

“A e dini që unë kur jom ardhë këtu, m’u dukshin qata lisa qatje që janë ushtarë. I thojsha kunatës: “O Zot hjekem prej ktushit dej t’hiqen ushtarët!” “Jo mori ushtarë, çka je t’u thanë? ... A besoni që t’u i kqyrë ia ngjitsha edhe kapelën, ashtu i fokusojsha. ... Lisat mu dokshin që janë ata. Kemi dal, i kemi prekë, “Qe kurgjo, lis është ky”. Përnjiherë tani m’ka rokë ajo kriza, ajo mërzija, ajo nervoza. Çohna natën e veç sillna nëpër sobë. Më së shumti m’rrokë ditëlindjen kur e ka çika ... (qan). E lypi nëpër sobë...

Për gratë në këtë libër, përfundimi i luftës dhe ribashkimi me më të dashurit fatlum që i shpëtuan luftës ka qenë proces shumë i vështirë. Moment kritik, kujtojnë gratë, ka qenë përballja me burrat dhe të pranuarit e faktit se edhe ato janë të përdhunuara, ashtu siç përflitej për të tjerat. E në rastin e E.T., kjo sfidë vazhdon edhe sot, pasi djali i saj i vogël, ushtar i UÇK –së, vazhdon ta gjykojë dhe fajësojë për çka i ka ndodhur asaj:

“Ish gëzim, gëzim e idhnim për mu ish boll. Për shembull, djali i vogël na kish pa që na kanë shti n’atë shpi e po thotë, “Pse pranojshe me hi qaty? Pse hishit?” Djali ushtar. Ushtarë me ushtarë na kanë pa. Na kanë përcjellë nëpër male. ... Janë met qaty n’mal tu kqyr.”- tregon ajo.

Thuajse hyrja në atë objekt tmerri ka qenë opsion për këto gra që janë lënë të vetme dhe pa asnjë mbrojtje nga po këta burra që vëzhgonin nga malet. E për raste edhe më të rënda që dëshmojnë jonjerëzinë e burrave ndaj grave, lexojeni rrëfimin e Vikit, e cila u përdhunua nga vet burri i saj si ndëshkim që ishte përdhunuar nga paramilitarët serbë.

Shumë prej këtyre grave tregojnë se si ato, motrat e kunatat e tyre janë sharë nga burrat, familjet dhe rrethi i gjerë. Rrethi në veçanti pohohet të ketë qenë aq i vrazhdë sa ndikonte në egërsimin e mëtejmë të raporteve dhe ua bënte jetën edhe më të vështirë këtyre grave. Ndërsa rastet kur burrat i kanë përkrahur gratë e tyre mbesin përjashtime. Dy prej tyre ndajnë rrëfimet mbështetëse në këtë libër.   

Kur flitet për përkrahjen, gratë në libër falënderojnë një person të vetëm politik, - ish Presidenten Jahjaga. Lola thotë se mjaftonte takimi me të që ajo të ndjehej në paqe për vete dhe për burrin e vajzën e vrarë. Pas përfundimit të mandatit së Presidentes, Hëna frikësohej se askush nuk do të merrej më me to dhe ato do të vazhdojnë të vuajnë nga përbuzja institucionale dhe stigma shoqërore. Përkrahja e këtyre grave nga Presidentja Jahjaga ka qenë kauzë institucionale e cila rezultoi me formimin e Komisionit për verifikimin e viktimave të dhunës seksuale. Po ky Komision ende nuk është funksionalizuar plotësisht për shkak të buxhetit të kufizuar dhe arsyetimeve të tjera që dëshmojnë që kjo çështje ende nuk po trajtohet me seriozitet njerëzor dhe ligjor.

Ka vite që invalidët, veteranët e UÇK –së, dhe familjarët e tyre përfitojnë pensione të rregullta mujore nga ligji, gëzojnë shërbime shëndetësore falas, kanë përparësi në punësim dhe riaftësim profesional, u garantohet strehimi, u mundësohet udhëtimi falas në komunikacionin urban, e privilegje të tjera. Ndërsa shumë gra të përdhunuara, të rrahura, të prera e të gjymtuara jetojnë me sëmundje të rënda dhe në varfëri të skajshme, kurse familjaret ende vuajnë vdekjet dhe vetëvrasjet e të tjerave, atyre që s’ua dimë as emrat dhe s’ua dëgjuam kurrë rrëfimet.

Si mund të kërkohet llogari për krime të luftës nga Serbia, kur vet Kosova nuk i njeh viktimat dhe mbijetueset e dhunës seksuale dhe torturës, si të dëmtuara, invalide dhe viktima të luftës?!

21 qershor 2017
14:02

Shqipe Gjocaj