Zeqiri: Marrëveshja nuk është fjala e fundit për Asociacionin, i shtyn vendimet e vështira për kohën kur do të shkruhet statuti, i cili duhet t’i qartësojë paqartësitë

Sbunker pyet: Marrëveshja për asociacionin u arrit. A është ky një trup brenda rendit kushtetues, apo do të çojë drejt bosnjëzimit të vendit?

29 gusht 2015 15:01

 

Marrëveshja mbi Asociacionin/Bashkësinë (Asociacioni) e komunave me shumicë serbe në Kosovë përcakton parimet e përgjithshme dhe elementet kryesore të kornizës ligjore,  objektivave, strukturës organizative, marrëdhënieve me autoritetet qendrore, buxhetit si dhe deri diku te kapacitetin ligjor. Marrëveshja, për më tepër, sqaron disa nga paqartësitë e Marrëveshjes së parë të muajit prill 2013, por që padyshim nuk është fjala e fundit se si do të duket Asociacioni i komunave me shumicë serbe. Marrëveshja bën disa sqarime në krahasim me Marrëveshjen e Parë, sidomos për sa i përket objektivave, organizimit të brendshëm dhe buxhetit, por megjithatë, shtyn disa nga vendimet më të vështira për fazën tjetër të hartimit të Statutit. Prandaj, në këtë fazë, është herët për të arritur në përfundimet mbi ndikimiet që Asociacioni mund të ketë në funksionimin e Kosovës dhe institucioneve të saj. Megjithatë, mund të ngrihen disa mendime në formë të përgjithshme.

Marrëveshja përcakton procedurat për themelimin e Asociacionit, duke siguruar që palët përkatëse të jenë të përfshira në procesin e finalizimit të statutit të tij. Kjo në mënyrë specifike nënkupton kuvendet e komunave pjesëmarrëse, dialogun e mëtutjeshëm në  Bruksel mes Prishtinës e Beogradit, si dhe shqyrtimin e statutit nga ana e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Përfshirja e të gjitha palëve është e domosdoshme për të siguruar se Asociacioni do të jetë funksional. Megjithatë përvojat e deritanishme tregojnë se vendimmarrja është ngadalësuar si pasojë e interpretimeve krejtësisht të kundërta nga palët në dialog. Një gjë e tillë sigurisht që do të ndikojë në zgjatjen e afateve për finalizimin e statutit.  

Parimet e përcaktuara në marrëveshjen e fundit kombinojnë elemente nga të dy llojet e bashkëpunimit ndër-komunal të parashikuara në ligjin e Kosovës, nëpërmjet asociacioneve të komunave dhe partneriteteve ndër-komunale. Struktura e saj organizative është e bazuar në mënyrë të qartë në atë të një asociacioni të komunave dhe përkon me atë të Asociacionit të Komunave të Kosovës. Megjithatë, objektivat e Asociacionit, shkojnë përtej atyre të Asociacionit të Komunave të Kosovës dhe përfshijnë ofrimin e shërbimeve publike të përbashkëta, që aktualisht është në kompetencë dhe në ushtrim të komunave. Ky nivel i bashkëpunimit është paraparë tek format e partneriteteve ndër-komunale.  Asociacioni do të ketë administratën dhe buxhetin e tij, duke përfshirë mbështetjen nga Republika e Serbisë. Të gjitha këto elemente janë në përputhje të plotë me legjislacionin e Kosovës dhe nuk shkelin rendin kushtetues të Kosovës.

Gjithashtu, në përputhje me legjislacionin e Kosovës, autoritetet e nivelit qendror do të ushtrojnë një autoritet shqyrtues karshi Asociacionit, mbi bazën e bashkëpunimit të ndërsjelltë dhe shkëmbimit të informatave. Reciprokisht, Asociacioni nuk ka kompetenca në nivelin qendror përveç përfaqësimit të interesave te komunitetit serb të Kosovës, por ky lloj përfaqësimi nuk merr trajten e përfaqësimit në vendimmarrje, por atë të konsultimit. Kjo është edhe e logjikshme, sepse në rast të kundërt, nuk do të kishin kuptim një mori masash afirmative të përfaqësimit të komunitetit Serb në nivelin qendror. Kompetencat e Asociacionit janë të drejtpërdrejta në drejtim të organeve vetëqeverisëse lokale, që do të thotë që nuk do të ketë kompetenca të nivelit qëndror nëpërmjet të cilave do të mund të ndodhte bosnjëzimi i Kosovës.

Megjithatë, bashkëpunimi i ndërsjelltë dhe një qëndrim kompromisi do të jetë vendimtar për funksionimin e Asociacionit brenda kuadrit ligjor të Kosovës. Për këtë arsye Statuti duhet të paraqesë qartë në preambulen e tij qëllimin e Asociacionit dhe përkatësinë kushtetuese në kuader të së cilit funksionon si të parashihen mekanizmat e zgjidhjes së konfliketeve të mundshme ndërinstitucionale.

Një ndër çështjet kyçe është paqartësia që buron nga provizionet e ndryshme  të marrëveshjes lidhur me kapacitetin ligjor të Asociacionit dhe marrëdhënia me komunat pjesëmarrëse. Sipas legjislacionit të Kosovës, komunat janë njësi themelore të vetëqeverisjes lokale dhe kanë përgjegjësi ligjore për kompetencat komunale, edhe nëse këto kompetenca ushtrohen në bashkëpunim me komuna të tjera.

Marrëveshja duket që nuk e merr parasysh rolin e komunave pjesëmarrëse. Se a do të mbesin komunat njësi themelore vendimmarrëse për sa i përket kompetencave të tyre vetiake dhe të deleguara – siç janë të parashikuara në legjislacionin e Kosovës – apo nëse ato do të bartin kompetencat vendimmarrëse dhe përgjegjësitë ligjore tek niveli i Asociacionit –  mbetet e paqartë në këtë fazë. Një bartje e tillë e kompetencave komunale do të ishte në kundërshtim me shpirtin kushtetues të Kosovës dhe në atë rast do të mund të flsinim per një ndërrim të rendit kushtetues të Kosovës. Kjo do të kerkonte një rishkrim të Kushtetutes dhe shumë ligjeve tjera, duke përfshirë edhe krejt regjimin e mbrojtjes së të drejtave të komuniteteve në Kosovë.

Mbeten pyetje të hapura ende për sa i përkët Asociacionit në këtë fazë dhe për këtë është e nevojshme një proces përfshirës dhe konstruktiv që do të përfshinte  edhe Kuvendin e Kosovës.

 

Adrian Zeqiri

Drejtor Ekzekutiv i Qendrës Evropiane për Çështje të Minoriteteve në Kosovë.

 

 

29 gusht 2015
15:01

Adrian Zeqiri