29 gusht 2015
15:03

Sbunker pyet: Marr?veshja p?r asociacionin u arrit. A ?sht? ky nj? trup brenda rendit kushtetues, apo do t? ?oj? drejt bosnj?zimit t? vendit?
Asociacioni është një trup i cili do të implantohet në Kushtetutën e Kosovës dhe aktualisht, në disa pika, nuk është në përputhje me këtë të fundit. Statuti i Asociacionit do të jetë ligji për të cilin autoritetet kosovare nuk duhet të lejojnë që t'i bëjë konkurrencë Kushtetutës apo ligjeve të Kosovës. Asociacioni mundet në plan afatmesëm dhe afatgjatë të rezultojë në bosnjëzimin dhe ndarjen faktike dhe legale të Kosovës. Për momentin dhe nëse autoritetet kosovare janë të kujdesshme me rastin e draftimit të Statutit dhe pasi që Asociacioni të jetë themeluar dhe të bëhet operativ, nuk do të ketë arsye për brengosje aq më shumë për dhunë dhe kaos.
Në shikim të parë Asociacioni është thjeshtë një trup bashkëpunues ndërmjet komunave serbe, koordinues, mbikëqyrës, promovues; mirëpo, ka disa pika që e bëjnë atë shqetësues dhe një rrezik potencial për integritetin dhe sovranitetin territorial të Kosovës. Fillimisht ai nuk është në përputhshmëri dhe brenda kornizës aktuale kushtetuese dhe ligjore në Kosovë.
Pra, Asociacioni nuk është komunë, apo njësi e vetëqeverisjes lokale; nuk është as organ qeveritar, siç janë ministritë. Asociacioni është diçka mbi komunat -- komunat serbe -- dhe diçka nën qeverinë. Asociacioni do të mund të merr rolin e ambasadorit të komunave serbe në raport me organet qendrore në bazë të parimit të bashkëpunimit të ndërsjellë dhe ndarjes së informatave të parapara me marrëveshjen dhe do të mund të minoj apo zëvendësojë komunat në ofrimin e shërbimeve lokale dhe marrëdhënien me organet qendrore.
Pika 11 e Marrëveshjes është shumë shqetësuese dhe bie ndesh me nenin 113 të Kushtetutës së Kosovës mbi juridiksionin dhe palët e autorizuara pranë Gjykatës Kushtetuese. Sa herë që organet qendrore do të bllokonin, anulonin, apo kontestonin një vendim apo veprim të Asociacionit, të njëjtit nën këtë pikë dhe autorizim do të mund t'i kontestonin vendimet e autoriteteve qendrore në Gjykatën Kushtetuese. Në këtë mënyrë, qeverisja lokale në komunat anëtare të Asociacionit do të mund të bëhej jo-funksionale. Për më shumë, neni 113 i Kushtetutës do të duhet të amandamentohet, plotësohet edhe me një palë të autorizuar -- Asociacionin.
Pikë tjetër shqetësuese është edhe mënyra se si Asociacioni do të financohet nga Serbia. Institucionet kosovare duhet të insistojnë që financimet nga Serbia të kalojnë përmes buxhetit të Kosovës, si mënyrë e kontrollimit të parave që do të derdhen në buxhetin e Asociacionit. Refuzimi i komunitetit serb për t'u integruar me pjesën tjetër të Kosovës nuk ka qenë vetëm çështje e mendjes dhe zemrave të tyre, por para së gjithash çështje ekonomike -- Beogradi ka mbajtur të financuara strukturat dhe shtresat shoqërore në këmbim të refuzimit të Prishtinës. Prandaj, me një buxhet dhe burime të mëdha të financimit, Asociacioni shumë lehtë mund të hyjë në mendjet dhe zemrat e qytetarëve serb të cilët do të mund ta shohin këtë krijesë si përfaqësuesen e tyre të vërtetë dhe të vetme.
Asociacioni do të jetë përballë dy mundësive; ose të bëhet një OJQ faktike, sikurse Asociacioni i Komunave të Kosovës; ose të marrë një rol më të madh qeverisës dhe të kontrollit të jetës, rendit dhe ligjit në komunat serbe. Qeveria qendrore nuk duhet të lejojë këtë të dytën, përmes mekanizmave ligjor që i ka në duar për kontrollimin e financimit dhe anulimin e vendimeve dhe veprimeve që cenojnë pavarësinë e vendit
29 gusht 2015
15:03