Shahini: Bashkësia e legalizon kontrollin e Serbisë në Kosovë, nuk i integron serbët dhe e vështirëson qeverisjen

Sbunker pyet: Marrëveshja për asociacionin u arrit. A është ky një trup brenda rendit kushtetues, apo do të çojë drejt bosnjëzimit të vendit?

29 gusht 2015 14:58

 

Nuk ka asnjë pikë në Kushtetutën e Kosovës që përkrahë krijimin e një Bashkësie Komunash, e cila ka të drejtën të iniciojë ndryshime ligjore. Apo të drejtën të kontestojë ligje në Gjykatën Kushtetuese. Apo të drejtën në bashkë-pronësi të ndërmarrjeve publike. Rrjedhimisht, Bashkësia nuk është në përputhje me Kushtetutën aktuale. Mirëpo kjo nuk do të thotë se ajo nuk do të mund të realizohet, por thjeshtë që Kushtetuta do të ndryshohet që ta akomodojë atë.

Janë tri probleme tjera me marrëveshjen:

E para, legalizimi i kontrollit që Serbia ka ushtruar në Kosovë gjatë krejt kohës së pasluftës. Komunat paralele serbe që i ka financuar Serbia, kanë qeverisur dhe ofruar shërbime publike për serbet, jashtëligjshëm dhe të financuara nga Beogradi. Tash këto komuna do të bëhen të ligjshme dhe do të marrin më shumë kompetenca përmes Bashkësisë, ku do të transferohet edhe kontrolli dhe financimi nga Beogradit. Nëse Beogradi mendon që një ligj i iniciuar nga Qeveria e Kosovës nuk është në përputhje me interesat e veta në Kosovë, përmes Bashkësisë së Komunave do të nisë procedurat për stopimin e tij.

E dyta, mos-integrimi i serbëve në Kosovë. Komunat me shumicë serbe nuk kanë nevojë të kontaktojnë më direkt me Prishtinën, për shumicën absolute të punëve komunale. Ato do të përfaqësohen nga Bashkësia. Po krijohet pra edhe një element distancues në mes të kryeqytetit dhe komunave me shumicë shqiptare, në njërën anë, dhe komunave me shumicë serbe, në anën tjetër.

E treta, mos përfshirja e çfarëdo elementi sigurues që Kosovës do t’i hapet rruga drejt BE-së pas nënshkrimit të marrëveshjes. Kosova mund të “shpërblehet” me MSA-në, e cila është një marrëveshje tregtare. Ajo nuk siguron që Kosova do të mund të aplikojë për anëtarësim në BE, ngaqë kjo varet nga shtetësia e Kosovës. Traktati i Evropës qartë thotë që secili shtet evropian ka të drejtën të aplikojë për anëtarësim. Ndërsa Kosova pa pesë njohjet e BE-së nuk e plotëson kriterin bazë: atë të të qenit shtet.

Nuk e di nëse marrëveshja çon në bosnjëzim, ngaqë situata në Bosnje është më komplekse se veç ndarje etnike e pushtetit dhe sabotim i qeverisjes së Sarajevës nga Beogradi. Por e di që nëse marrëveshja implementohet, do ta vështirësoj tutje qeverisjen në Kosovë dhe do ta pamundësojë krijimin e në shoqërie të hapur e demokratike.

 

29 gusht 2015
14:58

Besa Shahini