Arifaj: Marrëveshja nuk bie ndesh me interesat e Kosovës, detajet sqarohen më vonë në Statut

Sbunker pyet: Marrëveshja për asociacionin u arrit. A është ky një trup brenda rendit kushtetues, apo do të çojë drejt bosnjëzimit të vendit?

29 gusht 2015 13:56

Vlerësimi i menjëhershëm për atë që tashmë po njihet si Marrëveshja për Asociacionin është se kjo marrëveshje është e mirë dhe e favorshme për Kosovën. 

E para, është një marrëveshje që e konfirmon rolin konstruktiv të Kosovës në marrëdhëniet ndërkombëtare; e dyta, dëshmon se Kosova ka pjekurinë politike që të kthehet kah e ardhmja me bashkëpunim rajonal dhe në interes të Kosovës dhe qytetarëve të saj; e treta, e mbyllë temën e asociacionit pa zotime tjera përveç zotimit që të themelohet Asociacioni, një zotim që është bërë qysh para dy viteve me Marrëveshjen e Brukselit të prillit 2013. 

Vlerësimet për Marrëveshjen për Asociacionin nuk duhet të bëhet duke u nisur nga motivet politike. Marrëveshjet ndërkombëtare që arrin Kosova nuk janë në interes të një partie politike apo të një tjetre, të një qeverie apo të një tjetre, por janë në interes të vet shtetit të Kosovës. Vlerësimin për këtë marrëveshje duhet bërë nga ky prizëm.

Derisa vlerësimet dhe opinionet që ftojnë për kujdes dhe vëmendje janë të mirëpritura, konkludimet se kjo Marrëveshje është në kundërshtim me interesat e Kosovës dhe e dëmshme për Kosovën janë negative dhe të paqëndrueshme.

Me një shikim objektiv të Marrëveshjes shihet se ajo as nuk bën bosnjëzimi e Kosovës, as nuk krijon një Republika Srpska dhe as nuk e ndanë Kosovën. Krejt çfarë bën ajo, zoton Qeverinë e Kosovës që të dekretojë themelimin e Asociacionit. Se si do të duhet ky Asociacion, farë statuti do të ketë mbetet të diskutohet ende, në të ardhmen. Këtu hapet fusha për mundësi, qoftë që asociacioni të degjenerojë në diçka jo të mirë për Kosovën, qoftë të shndërrohet në një mekanizëm që do të inkurajojë edhe komunitetin serb në veri të Kosovës, që për një dekadë e gjysmë është bindur nga Beogradi se Kosovën nuk e ka shtëpi. Kjo mund të ndodhë vetëm nëse autoritetet në Kosovë, por edhe partnerët në Bruksel e Washington, mbyllin sytë fare dhe nuk kujdesen më për tërë projektin e shtetit të Kosovës. Gjasat që kjo të ndodhë janë praktikisht zero. 

Politika është art i së mundshmes. Asgjë në politikë nuk është definitive por gjithmonë mbetet elusive dhe kërkon vëmendje dhe përkushtim të përhershëm. E njëjta ndodh me çdo marrëveshje politike dhe kompromis politik. Këto krijojnë mundësi për zhvillime të reja, qoftë pozitive, qoftë negative. Kjo vlen edhe për Asociacionin. Qeveria e Kosovës ka dëshmuar se di të manovrojë në ujërat e rrëmbyeshme të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe të ruajë interesin e Kosovës. Nuk kemi arsye të besojmë që nuk do të jetë kështu edhe në të ardhmen.

Ardian Arifaj është këshilltar i Ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës.

29 gusht 2015
13:56

Ardian Arifaj