Insajder e shkeli etikën e gazetarit!

Sbunker pyet për lirinë e medias në Kosovë, ndërmjet privatësisë dhe interesit publik.

26 mars 2016 13:35

…sepse mjeku nën betimin e Hipokratit, mund ta ketë “në dorë” jetën e një individi (e pacientit) kurse gazetari hipokrit mund të ketë në dorë jetën e dhjetëra, qindra apo mijëra njerëzve.  Gazetari apo secili njeri pa edukim qytetar mund të çojë një shoqëri në përplasje…

Kur gazetari nis të shkruajë, së pari duhet t’i shkojë në mendje se liria e tij kufizohet me lirinë e tjetrit dhe se liria e shprehjes nuk shkon e ndarë nga përgjegjësia.

Ato shkojnë gjithherë bashkë dhe të integruara.

Çfarë duhet të bëjë një zyrtar politik nëse media shpif kundrejt tij, shantazhon apo trillon? – është pyetje njëmilionëshe. E përgjigjja është: Asgjë! Kjo është punë gjykatash, jo punë politikanësh.

Në anën tjetër, ekziston edhe e drejta e mospublikimit të një informate, përkatësisht liria negative. Pse Insajder-i botoi së fundi një tregim në kundërshtim me etikën profesionale?

Sepse raporti nuk sillte as edhe një argument të vetëm pse ky sistem shëndetësor është në gjendje të mjerë dhe nuk argumentohej me asgjë përfshirja e Kryeministrit në këtë stërkeqje.

Ashiqare që u zemërova me kolegët e mi.

Dhe, iu rreka aspektit legal-juridik sepse ky marifet m’u duk tregim pa etikë profesionale, jo për faktin se zbulohej fakti se i vëllai i Kryeministrit Mustafa, qytetari Ragip Mustafa, kishte bërë një kërkesë për azil në Gjermani në 2015, me synim që të shërohej nga kanceri, por sipas vetë atij, nuk kishte pritë përgjigje sepse ishte kthyer në Kosovë pas katër ditësh, – sepse ky ishte lajm ekzotik – porse etika cenohej përmes zbulimit të sëmundjes së këtij qytetari, si dhe – sipas modelit një udhë e dy punë – të folurit për diagnozën e Kryeministrit, i cili në një klinikë në Bruksel – thuhet t’i ketë vënë “disa bypassa.”

Sefte, pse lyp azil vëllai i Kryeministrit është lajm, porse e dyta, është cenim i privatësisë.

Media nuk ka të drejtë t’i zbulojë sëmundjen një qytetari të rëndomtë, por as një zyrtari politik pa lejen dhe dijeninë e tij!

Dhe jo e jo, nëse kjo nuk është interes madhor i publikut. Porse, ç’faj ka Kryeministri nëse qytetari R. Mustafa (ka udhëtuar në Perëndim në 2014 me dokumentacion të rregullt pasi që ka shtetësi bullgare) ka bërë një kërkesë për azil dhe shërim jashtë Kosovës?

Kjo është zgjedhje e tij personale dhe nuk e përfshin zyrën e Kryeministrit, gjë që për mua është veprim krejtësisht në rregull. Kryeministri nuk e ka të drejtën që t’i përziejë raportet familjare e private me postin dhe zyrën e tij publike.

Me siguri që R. Mustafa nuk jeton në bashkësi me Isa Mustafën. Dhe me siguri që ky i fundit, duke mos u implikuar në çështjet private të të vëllait, ka bërë mirë! Mendoj se nëse Isa Mustafa do të kishte shkrirë para pa e specifikuar origjinën e tyre për ta shëruar të vëllain, sërish Insajder-i apo një medium tjetër i ngjashëm do t’i hidhej në qafë Kryeministrit me dyshime për shpenzimin e parasë publike; nëse do të jepte para Ministria e Shëndetësisë për shërimin e tij jashtë Kosove, sërish këto media do t’i suleshin, për favorizimin e vëllait derisa në Kosovë shumë njerëz vdesin të lënë pas dore. Ose edhe po të dihej se ai ka shpenzuar para të xhepit, do të spekulohej se nga mund të vinin ato para, ndoshta nga 3 përqindëshi!

Në këtë dritë, sulmi ishte i paramenduar e me prapavijë politike si presion publik ndaj Kryeministrit. Vlen të përmendet në këtë rast Joe Biden, njeriu i dytë i superfuqisë së vetme në rruzullim, SHBA-së. Ky burrë e pati nxjerrë shtëpinë tij familjare (private) në shitje për t’i ndihmuar të birit që të shërohej nga kanceri – për të mos e shqetësuar publikun – se ai mund të përdorte fonde publike për këtë destinim, pra për të shmangur çdo keqkuptim për ndonjë favor etj. – ndonëse djali i Joe vdiq ndërkohë,  babai u dëshmua burrështetas i madh, me etikë të lartë pushteti.

 

Ashiqare që sjellja e Kryeministrit në këtë rast ishte në suaza të etikës së pushtetit.

Krejt, derisa nuk i telefonoi kolegut Vehbi Kajtazi në telefon përmes linjës Viber!

Këtë herë nuk ka dashur ta përziejë familjen me zyrën e tij publike, qysh pati bërë në rastin e të birit, që i doli keq!

Mustafa është në pushtet tash e një vit dhe konsideroj që ka më së paku faj për gjendjen në shëndetësinë "klinikisht të vdekur" kosovare, por ai poashtu nuk mund të akuzohet direkt pse shumë qytetarë në këtë vend, pra edhe vëllai i tij, ndihen të pashpresë. Dhe vala e ikjeve nga atdheu ka ndodhur para se Mustafa të ngjitej në  pushtet, si shef Qeverie.

Kryeministri rreth rastit “Qytetari Ragip Mustafa” nuk bëri asnjë krim!

Porse ai, i çekuilibruar dhe në afeksion e sipër, në mungesë të ekipit dhe PR-t, ra sërish viktimë e nefcit të tij, duke u shfaqur i paqëndrueshëm dhe në gjendje debalansi sa i përket harmonisë mes njeriut të rëndomtë (të zakonshëm) me plot halle dhe burrit të shtetit. Mustafa po sillet si njeri i atakuar nga të gjitha anët dhe kjo po e bën të pasigurt në drejtimin e Qeverisë.

Gabim fatal i tij – pra krim – ishte thirrja e gazetarit Kajtazi, akt ky shumë i shëmtuar dhe i dënueshëm, që e bën Isa Mustafën të njëjtë me krejt elitën aktuale politike të vendit!

Prandaj, publikisht kam kërkuar që Kryeministri të bënte një akt qytetar – t’i kërkonte falje publike Vehbi Kajtazit dhe Insajderit – si dhe publikut kosovar dhe të kthehej në punët e tij për t’u mos u marrë kurrë më me punët e shtypit të lirë!

Diskursi agresiv mes politikanëve dhe liderëve të çekuilibruar dhe pa integritet (zyrtarëve partiakë ose institucionalë) ka afektuar shumë media dhe gazetarë e veçmas shumë portale, e që prapa tyre në mënyrë klandestine qëndrojnë kryesisht grupet e interesit, partitë politike ose “milicitë” sekrete, por që nuk shfaqin në publik as impresum (kush e redakton lajmin) as adresë…

Agresioni nis në gjuhë. Kontaminimi i gjuhës shpie në terror verbal që është uverturë për terrorizmin klasik.

E gazetarët duhet ta kultivojnë me nge etikën profesionale sikur të mjekut, sepse kanë në dorë jo jetën e një njeriu por të miliona njerëzve… Dhe kolegët më të rinj duhet ta mësojnë leksionin e parë: Lufta e Kosovës ka nisë sefte në Radio Televizionin Serb (RTS).

Dhe sa i përket privatësisë dhe mbrojtjes së të dhënave personale, Kosova e paskësh një rast të ngjashëm të hapur tashmë. Qe çfarë përgjigje i kishte kthyer Avokatit të Popullit, Sami Kurteshit, Agjencia për Mbrojtjen e të Dhënave në pyetjen se a mund të ketë qasje në faturat e drekave e darkave të zyrtarëve qeveritarë, duke e pasur parasysh interesin publik, dhe nuk i është lejuar vetëm pse hamendësohej se faturat mund të zbulojnë gjendjen shëndetësore të akëcilit zyrtar. Ndonëse me kërkesën e BIRN-it gjykata themelore e paskësh rrëzuar opinionin e Agjencisë, lufta po vazhduaka! Rasti i zbardhjes se faturave të drekave e darkave nuk është ende precedent sepse lënda me ankimim të Agjencisë për mbrojtjen e të dhënave personale është e pambaruar, në Gjykatën e apelit, pra ende nuk ka marrë formën e prerë (shih: http://www.amdp-rks.org/…/repo…/docs/Opinion_per_faturat.pdf).

Pos Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, edhe Kushtetuta e Kosovës flet pak për privatësinë: Neni 36 [E Drejta e Privatësisë]

“4. Secili person gëzon të drejtën e mbrojtjes së të dhënave personale. Mbledhja, ruajtja, qasja, korrigjimi dhe shfrytëzimi i tyre rregullohet me ligj.”

Poashtu i kësaj fryme është Neni 7 i Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Kapitulli 10 i Ligjit britanik, e kufizon lirinë e shprehjes nëse përhapen të dhëna konfidenciale: Neni 2. Ushtrimi i këtyre lirive, që përmban detyrime dhe përgjegjësi, mund t’u nënshtrohet formaliteteve, kushteve, kufizimeve ose sanksioneve të parashikuara me ligj dhe që janë të nevojshme në një shoqëri demokratike, në interes të sigurisë kombëtare, integritetit territorial ose sigurisë publike, për parandalimin e trazirave apo krimit, për mbrojtjen e shëndetit ose të moralit, për mbrojtjen e dinjitetit ose të drejtave të të tjerëve, për të ndaluar përhapjen e të dhënave konfidenciale ose për të garantuar autoritetin dhe paanshmërinë e të gjyqësori.

Nëse gazetarët duan ta hulumtojnë gjendjen shëndetësore të Kryeministrit, atëherë OK, po kjo kërkon procedura. Duhet bërë presion publik që të ngrihet në nivel shteti a Parlamenti një komision (konsilium mjekësh) për ta shqyrtuar nëse është interes madhor i publikut publikimi i të dhënave për shëndetin e Kryeministrit ose jo.

Dhe doktorët japin diagnoza dhe nuk vendos Insajder-i prej se vuan Kryeministri (jam i sigurt se kolegu Kajtazi nuk është mjek!) as prejse mund të vuajë ndonjë qytetar tjetër... Jam i bindur se kjo fushë e re dhe e panjohur për kosovarët –  Web 2.0 – duhet të rregullohet ose vetërregullohet, pra duhet  legjislacion përcjellës që krijon rend në media online e jo kaos, legalitet e jo ilegalitet.

Duhet vënë rregull për sa i përket regjistrimit të një mediumi online (sepse prodhimi i lajmit tashmë është biznes si çdo tjetër dhe askush nuk duhet të sillet si Nëna Terezë që kinse nuk krijon një media të re për të fituar para e prestigj shoqëror) dhe ta bëjë të njohur një ose disa pronarë, një shef-redaktor ose më shumë (impresum), si dhe adresën e saktë të selisë, numra telefonash apo edhe e-mail zyrtar. Qytetari ka të drejtë ta dijë se me kë ka punë nëse potencialisht është ose ndjehet i atakuar nga një media online për ta adresuar çështjen në gjykatë.

Nëse mediumi “im” shpif ndaj “teje”,  ti duhet ta dish emrin dhe mbiemrin “tim”, adresën time, për ta bërë një ankesë, e ndoshta edhe një padi! Nga media e re, kërkohet pra transparencë, mbrojtje e privatësisë dhe mbrojtja nga vjedhja e pronës intelektuale.

Sepse në portalet kosovare mund ta lexosh të njëjtin raport të pandryshuar në shumë sosh, porse askush s’e merr përgjegjësinë eventuale, nëse me atë material është bërë ndonjë shkelje.

Natyrisht se qarkullimi i lirë i informacioneve garantohet me Kushtetutë kurse censura është e ndaluar, por kjo nuk do të thotë se secili në këtë vend ka të drejtën ta kërkojë vrasjen e tjetrit!

Pra duhet rregullim legjislativ, që të mos lejohet shpërthimi i gjuhës së urrejtjes dhe linçit, sepse me vite në Kosovë është etabluar një patologji shoqërore ku flitet publikisht – me lehtësi të padurueshme – për vrasjen.

Sesi është rregulluar kjo fushë në SHBA, lexo në këtë vegëz: https://www.doi.gov/notices/Social-Media-Policy.

Ata që në emër të medias së re (gazetave online) avokojnë  për kinse lirinë e shprehjes dhe që pretendojnë se për atë që paska interes publik nuk vlen privatësia dhe prestigji shoqëror janë idiotët – sipas Umberto Eco-s – që u është dhënë e drejta (CyberSpace) të përlahen me ta madje edhe të fyejnë gjenitë…

 

Autori është gazetar, analist politik dhe publicist.

26 mars 2016
13:35

Halil Matoshi

Sbunker pyet për lirinë e medias në Kosovë, ndërmjet privatësisë dhe interesit publik.