Politikanët janë më të kufizuar në fshehjen e çështjeve familjare që ndërlidhen me funksionin që ushtrojnë.

Sbunker pyet për lirinë e medias në Kosovë, ndërmjet privatësisë dhe interesit publik.

26 mars 2016 13:36

E drejta e privatësisë është e drejta e një personi që të jetojë pa u frikësuar se të dhënat nga jeta familjare, martesore, seksuale, integriteti moral, gjendja shëndetësore, korrespondenca, do të publikohen pa miratim paraprak. Respektimi i jetës private është i garantuar ligjërisht.

Njëkohësisht, ka precedentë gjyqësorë, sidomos të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut (GjEDNj) në Strasburg që arsyetojnë ‘shkeljen’ e privatësisë.

Ky blog shpjegon testin prej gjashtë hapash që Strasburgu e ka zhvilluar dhe e  përdor gjatë vlerësimit të shkeljes së privatësisë nga mediat. Vendimet e GjEDNj-së kanë rëndësi sepse nëse një gazetar paditet në Kosovë për shkelje të privatësisë, gjykatësit janë të obliguar t’i zbatojnë ato.

Gjashtë elementet e testit të Strasburgut janë të elaboruara më poshtë.

Kontributi në debat me interes të përgjithshëm: sipas gjykatës, ruajtja e privatësisë është e kufizuar kur raportimi medial kontribuon në debat me interes të përgjithshëm. Çështjet politike, kriminale, sportive, duke përfshirë edhe shfaqjet artistike të cilat mund të ndikojnë në jetën e qytetarëve, konsiderohet që kontribuojnë në debat me interes të përgjithshëm. Edhe të dhëna nga jeta seksuale dhe lidhjet intime të një personi mund të publikohen pa lejen paraprake, ndonëse në raste më të veçanta. E dhëna personale e publikuar nuk duhet të analizohet si e izoluar, por duhet shikuar në kontekst të publikimit si tërësi. Publikimi i informacioneve vetëm për të kënaqur kurreshtjen e një audience specifike, apo për të shuar etjen e publikut për informata për jetën private të njerëzve të tjerë nuk e arsyeton shkeljen e privatësisë para GjEDNj-së. Për shembull një medium lokal në Lituani e kishte humbur rastin në Strasburg, pasi kishte dështuar të arsyetonte interesin publik në botimin e informatës se një qytetar i rëndomtë ishte HIV pozitiv.

Sa është i njohur personi i apostrofuar dhe cila është tema e raportimit?Publiku ka të drejtë të informohet për aspekte personale të figurave publike. Gjykata ka gjetur që figurat publike që mbajnë pozita zyrtare janë më të kufizuar që të mbajnë jetën e tyre personale të fshehtë. Ushtrimi apo dëshira e shprehur për të ushtruar funksion politik domsodshmërisht i ekspozon ata te vëmendja e publikut. Për më tepër, politikanët pashmangshëm dhe me dashje e vënë veten e tyre për çdo fjalë që thonë para mbikëqyrjes së gazetarëve dhe publikut. Sidoqoftë, gjatë raportimit, sipas gjykatës, duhet të bëhet dalllimi i fakteve që kontribuojnë në debat publik në një temë që ndërlidhet me ushtrimin e funksionit të politikanit dhe raportimi i detajeve për një person që nuk ushtron funksion të tillë.

Sjellja e mëhershme e personit të apostrofuar: sjellja e mëhershme e personit për të cilin raportohet para publikimit, ose fakti që një foto ose informata të ndërlidhura me të janë raportuar më herët, janë faktorë që merren parasysh nga gjykata. Por, vetëm pse një person ka bashkëpunuar më herët me media (është botuar rreth atij individi), nuk e privon atë nga e drejta e respektimit të jetës private.

Mënyra e marrjes së informacioneve dhe vërtetësia e tyre: gjatë vlerësimit të pretendimeve për shkelje të privatësisë, gjykata merr parasysh edhe mënyrën e marrjes së informacioneve dhe vërtetësinë e fakteve të raportuara. Ajo ka vendosur që  gazetarët janë të mbrojtur vetëm nëse punojnë në mirëbesim, me fakte të vërteta dhe duke respektuar etikën e gazetarisë.

Përmbajtja, forma dhe pasojat e publikimit: sa i përket përmbajtjes, gjykata ka vendosur në disa raste që është e drejtë e mediumit të vendosë se si të publikojë një lajm. Gjatë vlerësimit nëse një gazetar apo medium ka bërë shkelje të privatësisë, merret parasysh edhe mënyra se si fotografia apo shkrimi është prezantuar. Për shembull në Salumäki vs. Finlanda, gjykata nuk e arsyetoi gazetaren që përmes titullit senzacional, kishte lënë të kuptohej që një biznesmen kishte qenë i përfshirë në një vrasje, edhe pse në shkrim sqarohej që ai nuk kishte lidhje me vrasjen. Në vlerësimin e shkeljes së privatësisë gjykata merr parasysh edhe nëse informacioni është shpërndarë përmes një gazete që ka qarkullim më të madh apo më të vogël.

Sanksioni ndaj mediumit – në fund gjykata vlerëson proporcionalitetin e dënimit (nëse mediumi është dënuar për shkelje të privatësisë). Sipas gjykatës, më me rëndësi është fakti nëse një dënim është shqiptuar, apo jo, qoftë edhe simbolik apo i natyrës civile, sesa lartësia e dënimit. Çdo kufizim i panevojshëm i lirisë së shprehjes rrezikon pengimin ose paralizimin e mbulimit medial të çështjeve me interes publik.

Testi është zbatuar në disa raste. Në Von Hannover vs. Gjermania (Nr. 2), një gazetë kishte publikuar fotografi të princeshës Caroline të Hanoverit gjersa pushonte me familjen e saj dhe një tjetër ku shihej duke shëtitur me burrin. Në shkrimin ku ishte botuar kjo e fundit, përmendej sëmundja e babait të princeshës, princit Ranieri. GjEDNj-ja ka vendosur që shëndeti i princit ishte çështje me interes publik, andaj edhe ka arsyetuar publikimin e kësaj fotoje. Në rastin Axel Springer AG vs. Gjermania, një aktor i famshëm ishte ankuar për shkelje të privatësisë pasi gazeta “Bild“ kishte botuar dy shkrime për arrestimin dhe dënimin e tij për posedim të narkotikëve. Gjykata ka vendosur në favor të mediumit. Në Couderc and Hachette Filipacchi Associés vs. Franca një medium kishte botuar një intervistë me ish të dashurën e princit Alberti i II-të i Monakos që zbulonte se ai kishte fëmijë jashtëmartesorë. Dhoma e Madhe e GjEDNj-së ka vendosur në favor të mediumit.

Publikimi i informatave personale të cilat janë të verifikuara dhe të siguruara në mënyrë të drejtë dhe në pajtim më kodin gazetaresk, me qëllim të kontribuimit në debat me interes shoqëror për një temë që ndërlidhet me një person që mban post zyrtar, arsyeton shkeljen e privatësisë. Zyrtarët që ushtrojnë funksione publike duhet të pajtohen që e drejta e tyre e privatësisë është me e kufizuar dhe familja e tyre mund të bëhet subjekt i raportimeve mediale.

 


Autorja është juriste e së drejtës së mediave. Punon në fushën e lirisë së shprehjes dhe sundimit të ligjit. 

26 mars 2016
13:36

Flutura Kusari

Sbunker pyet për lirinë e medias në Kosovë, ndërmjet privatësisë dhe interesit publik.