Rrëfimi për ikjen, keqinterpretimi, sulmi dhe shtrembërimi i fakteve

Sbunker pyet për lirinë e medias në Kosovë - ndërmjet ruajtjes së privatësisë dhe interesit publik.

26 mars 2016 13:44

Keqinterpretimi, shtrembërimi i fakteve dhe sulmet nën brez, më kanë mbërthyer pas publikimit të rrëfimit për migrimin ilegal të vëllait të kryeministrit, Isa Mustafa në Gjermani.

Keqinterpretimi, apo interpretimi i fakteve zyrtare për interesa politike është filluar nga kolegë gazetarë të cilët pos tjerash kanë edhe lidhje interesi me pushtetin e Isa Mustafës.

Historia u godit në dy pika: Privatësia dhe etika.

Me anë të këtyre goditjeve, u munduan ta minimizojnë rëndësinë e ikjes së Ragip Mustafës nga vendi që qeveriset prej vëllait të tij, Isa Mustafa.

Për historinë e z. Ragip Mustafa unë nuk kisha vetëm një dokument, por një dosje të tërë.

Por, për shkak të gjendjes shëndetësore, publikova vetëm fletëaplikacionin për azil në Gjermani. Të gjitha të dhënat në të i fshiva – numrin personal dhe datën e lindjes.

Në këtë dokument zyrtar të shtetit gjerman, tregohet edhe nga ka hyrë z. Ragip Mustafa. Nga Serbia në Hungari. Të dhënat në të janë ofruar nga vetë Ragip Mustafa.

Sulmuesit e historisë dhe mbrojtësit e Isa Mustafës filluan të shtrembërojnë faktet bazuar në rrëfimin e dhunshëm të z. Mustafa në Klan Kosova. Thanë se ai kishte hyrë me një dokument bullgar. Thanë se kishte hyrë në vitin 2014, kur Isa Mustafa nuk ishte kryeministër. Thanë se u shkel privatësia duke u zbuluar diagnoza. Në fakt të gjitha këto i tha Halil Matoshi i cili shtrembëroi faktet, duke me sulmuar mua edhe prej studios së Baton Haxhiut, i cili njëherë është shpallur fajtor për shpifje dhe njëherë është dënuar nga Gjykata e Hagës për zbulim të identitetit të dëshmitarit të mbrojtur.

E vërteta e thënë në atë studion është e shtrembëruar.

E para, z. Mustafa kërkoi azil më 24 qershor 2015, e jo siç thanë në vitin 2014. E dyta, nuk u zbulua kurrfarë diagnoze, pos që u tha se i duhej operacion në zemër. Kushdo që dëshiron të dijë se çfarë është e dhënë personale, le ta lexojë Ligjin.

E treta, unë u sulmova dy netë rresht në Klan Kosova dhe nuk m'u dha mundësia të mbrohem në këtë televizion.

Të gjitha këto u bënë për ta mbrojtur Isa Mustafën. Për ta ulur peshën e kërcënimit që më bëri ai dhe për të minimizuar peshën e një lajmi që u botua në të gjitha mediat kryesore botërore për migrimin ilegal të Ragim Mustafës nga veti që qeveriset prej vëllait të tij.

Ditën kur publikova storjen, kryeministri Isa Mustafa jo vetëm që konfirmoi lajmin, por tha se edhe familjarë tjerë i kanë migruar ilegalisht. Doli në anën e të ikurve me të cilët pak kohë më parë tallej.

Në atë sqarim konfirmoi edhe një gjë – se prej vitesh nuk ka komunikim me vëllanë e tij, çka nuk përbën ndonjë fakt relevant për mua. Për këtë storje, ai më quajti “qen bir qeni” dhe më kërcënoi se do ta paguaj shumë shtrenjtë.

Të nesërmen ai e nxori vëllanë në televizionin Klan Kosova me emër e me mbiemër. Me video dhe me dokumente. Nuk vonoi shumë dhe ai lëshoi një fletëfalendërim për profesionalizmin e Klan Kosovës.

Mustafa zgjodhi të flas vetëm kur u publikua rrëfimi, ani se në kabinetin e tij i kishte pyetjet nga 5 marsi.

Isa Mustafa refuzoi t’u përgjigjej këtyre pyetjeve: “Përshëndetje, Jemi duke shkruar për çështjen e migrimit dhe prekjen nga ky fenomen të shumë njerëzve përfshirë vëllanë e kryeministrit Mustafa, z. Ragip Mustafa i lindur më 22.04.1958.

Në të njëjtën kohë kur kryeministri Mustafa ka qenë për vizitë në Berlin, vëllai i tij, Ragip Mustafa ka qenë në një qendër azili në Rheinland Pfalz duke u intervistuar për azil shëndetësor.

A është në dijeni kryeministri që vëllai i tij ka kërkuar azil në Gjermani?

Çfarë do të thotë ky fakt për shtetin e Kosovës nëse vëllai i kryeministrit kërkon azil për t’u operuar në zemër?

Cili është komenti i kryeministrit për këtë çështje”?

Në vende të përgjigjes, zgjodhi sulmin dhe viktimizimin si vetëmbrojtje. Këtë nuk e bëri vetëm për këtë storje. Këtë sulm e bëri për hulumtimin e para disa javëve për keqpërdorimet me fondin 3 % me të cilin dëshmova se të paktën deri në vitin 2012 janë tërhequr para. Këtë e bëri për shkak se nisën hetime penale për keqpërdorime në këtë fond. Këtë e bëri edhe për shkak se kolegu Parim Olluri zbuloi se si zyra e kryeministrit i dha tender djalit të kryeministrit. Këtë e bëri për të na frikësuar për hulumtimet që do të sjellim ditët në vazhdim.

Unë nuk kam asnjë interes prej askujt. As prej pushtetit siç kanë të tjerë që janë nën hetime për rastin “Stenta” apo për privatizimet e paligjshme. Ky interes nuk do të duhej të ndiqej duke me sulmuar mua dhe Insajderin.

Nuk jam i ri në këtë zanat. Më vjen zor ta them, por jam gazetari me më së shumti çmime në Kosovë. Të gjitha ankesat kundër meje janë hedhur poshtë në Këshillin e Mediave të Shkruara dhe të gjitha paditë në Gjykatë i kam fituar (kam edhe disa të hapura).

Hulumtimin për migrimin e vëllait të kryeministrit nuk kam pse ta mbroj. Atë e botuan BBC, The Guardian, Le Monde, AFP, Reuters, AP, e shumë media tjera. Të gjitha thanë se vëllai i kryeministrit ka kërkuar azil për shkaqe shëndetësore, ashtu siç thuhet në hulumtimin e Insajderit.

Vula e profesionalizmit iu dha nga këto media.

Hulumtimin për migrimin e vëllait të kryeministrit, e konsideroj një prej shkrimeve më të mira që mbajnë nënshkrimin tim. 


Autori është kryeredaktor në portalin Insajderi.

26 mars 2016
13:44

Vehbi Kajtazi

Sbunker pyet për lirinë e medias në Kosovë - ndërmjet ruajtjes së privatësisë dhe interesit publik.