Largimi i Turqisë nga krahët e Rusisë: Një interes transatlantik

24 dhjetor 2020 10:29

Nga pikëvështrimi europian dhe transatlantik, ky fakt është sa shqetësues aq edhe kundërintuitiv: mes Rusisë dhe Turqisë është zhvilluar një de facto partneritet, rreth Europës. Sado paradoksal, trendi tashmë është i qartë dhe përfaqëson halë në sy për interesat europiane dhe transatlantike.

Paradoksi qendron te fakti se Turqia dhe Rusia janë rivalë historikë. Që prej luftërave osmano-ruse e deri te anëtarësia e Turqisë në NATO si mburojë për ekspansionizmin sovjetik, marrëdhëniet turko-ruse nuk kanë qenë kurrë të mira. Periudha pas Luftës së Ftohtë nuk bën përjashtim, dhe gati sa çoi në ballafaqim të hapur ushtarak vetëm para pesë vitesh, kur aeoroplani ushtarak turk F-16 rrëzoi një avion rus afër kufirit turko-sirian.

Në përgjithësi, nuk ka rajon në Europë e përreth saj ku Turqia dhe Rusia shihen sy më sy. Si në Azinë Qendrore ku Moska ka ngulfatur ëndrrat pan-turke të Ankarasë; në Ballkan ku të dy palët kanë mbajtur anë të ndryshme si gjatë luftës ashtu edhe gjatë paqes; si në Afrikën Veriore dhe në Lindjen e Mesme ku janë grindur në pëplasjet rreth islamit politik; apo në Kaukaz ku përkrahja e Turqisë për Azerbajxhanin ka pasqyruar afërsinë fetare dhe lidhjet e sigurisë së Rusisë me Armeninë, Ankaraja dhe Moska rrallë, për të mos thënë asnjëherë, kanë qenë në të njejtën linjë.

Prapëseprapë, modeli është i qartë: në çdo konflikt të hapur, Turqia dhe Rusia kanë arritur të gjejnën mirëkuptim sa të vështirë aq edhe real. Në Siri, përplasja mund të kishte shpërthyer në konfrontim të hapur, por pas një dështimi gati të plotë më 2015, Moska dhe Ankaraja u rikthyen në skenë me nisjen e procesit të Astanës në të cilin të kanë qenë të përfshira thellësisht. Tensionet janë ngritur prapë kohë pas kohe. Pas sulmit të Bashar al-Assadit në Idlib më 2019, Turqia e ka dënuar Rusinë, por me kohë mirëkuptimi turko-rus u rivendos. Gjithashtu në Sirinë verilindore, ku Turqia ka ndërhyrë ushtarakisht kundër kurdëve sirianë më 2016 dhe përsëri më 2019, Moska mund ta kishte parandaluar ofensiven e Turqisë duke pasur mundësinë e ndalimit të qasjes në hapësirën ajrore siriane (A2/AD), por zgjodhi mos ta bënte një gjë të tillë.

Në Libi, Turqia dhe Rusia kanë mbështetur palët e kundërta të luftës civile. Vlen të përmendet se Rusia, me mercenarët e tyre Wagner, ofroi mbështetje të fuqishme ofensives ushtarake të Khalifa Haftar-it ndaj Qeverisë së Ujdisë Kombëtare (GNA) në Tripoli. Duke marrë pjesë përkrah Emirateve të Bashkuara Arabe, Egjiptit dhe Francës, futja e grupit të Wagner-it në moçalin libian gati sa përmbysi pushtetin, ku përparimi i Haftar-it drejt Tripolit u bë gjithnjë më i afërt më 2020.

Kur GNA-ja gati sa dështoi, Ankaraja ndërhyri duke i ofruar mbështetje ushtarake nje qeverie për të cilën komuniteti ndërkombëtar nuk kurseu fjalë përkahjeje, por për të cilën bërë fare pak në praktikë. Ndërhyrja ushtarake e Turqisë përmbysi fatet ushtarake dhe krijoi ngërçin e dhimbshem për të dyja palët që solli armëpushimin e vështirë në verën e vitit 2020. Turqia mbetet mjaft e përfshirë ushtarakisht në Libi, dhe prania ushtarake e Rusisë në lindje, nga të qenit vegël “e mirë por jo e domosdoshme” për t’u shfrytëzuar, tash është fortifikuar. Pa marrë parasysh procesin e vazhdueshëm të dialogut poltik, Libia rrezikon të ndahet ushtarakisht përgjatë vijës Sirte-Jufra, ku si prania ushtarake turke ashtu edhe ajo ruse po konsolidohen brenda vendit.

Rifillimi i luftës mes Armenisë dhe Azerbajxhanit pas njëzetë e gjashtë viteve të armëpushimit të paqëndrueshëm përreth Nagorno-Karabakut dhe territoreve përreth, u bë pikëndezja e tretë potenciale turko-ruse, por që nuk shpërtheu. Kur Azerbajxhani nisi luftën për të rimarrë territoret që i kishte humbur në luftën 1992-94, shumë prej vëmendjes mediale ndërkombëtare u kthye kah Ankaraja.

Në fakt, Turqia qe e vetmja fuqi e jashtme që nuk bëri thirrje për armëpushim, por nxiti Bakun drejt fushatës ushtarake. U fol mjaft për dronët turq dhe xhihadistët sirianë, roli i të cilëve qe i rëndësishëm, por gjasmë i ekzagjeruar. Nga ana saj, Rusia u aktivizua në ndërmjetësimin e armëpushimit. Ndërkohë që ndërhynte për të ndërmjetësuar armëpushimin humanitar, ajo lejoi që lufta të bënte kërdinë për gjashtë javë, me ç’rast Azerbajxhani rimorri shumicën prej shtatë rajoneve përreth Nagorno Karabakut. Vetëm kur forcat azere u nisën drejt Karabakut, Moska vendosi t’i bjerë bilbilit.

 Marrëveshja e paqës e ndërmjetësuar nga Moska ishte fitore e madhe për Rusinë, gjithashtu edhe për Azerbajxhanin. Përgjatë vijës së kontaktit në Nagorno Karabak dhe korridorit të Lachin-it, një kontingjent prej gati 2000 trupash rusë po dergohen për herë të parë që prej përfundimit të Luftës së Ftohtë. Kjo i jep Rusisë jo vetëm pushtet të paprecedentë mbi fatin kushtetues të Nagorno Karabakut, por gjithashtu mbi politikën vendore në Azerbajxhan dhe mbi të gjitha Armeni. Sidoqoftë, në një masë më të vogël Turqia përfitoi gjithashtu. Ankara fitoi për herë të parë mundësinë që të dërgojë vëzhgues në rajon, dhe, ç’është me e rëndësishmja, me rihapjen e lidhjes direkte mes Azerbajxhanit dhe eksklavës Niakhichevan, Turqia përfitoi qasje të drejtpërdrejtë në Azerbajxhan dhe Detin Kaspik.

Në secilin prej këtyre konflikteve, Turqia, aleate e NATO-s, dhe të paktën teorikisht, vend kandidat i BE-së, ka ndjekur pa diskutim interesat e saj kombëtare dhe shpesh nacionaliste. Këtë e ka bërë në mënyra që me plot siguri nuk përkojnë me ato të Bashkimit Europian ose të Shteteve të Bashkuara. Megjithatë, do të ishte gabim të thuhet se interesat e Turqisë kanë qenë diametralisht të kundërta me ato të Perëndimit.

Në Siri, sulmet e Turqisë ndaj kurdëve sirianë shkaktuan reagime në Perëndim – me fjalë më shumë se me vepra – përderisa dyanshmëria përsa I takon përkrahjes së trupëzimeve të ndryshme të opozitës islamike ndaj regjimit sirian mbolli mosbesim, posaçërisht gjatë kohës kur kërcënimit më të madh që shfaqte ISIS në Lindjen e Mesme, Europë dhe në botë. Megjithatë, Turqia, ndryshe nga Rusia dhe Irani, dhe përkrah Perëndimit, ka qenë armike e përbetuar e regjimit sirian, qëkur protestat degjeruan në luftë civile në fund të vitit 2011. Në fazën e rindërtimit dhe kthimit të refugjatëve të konfliktit sirian, BE-ja dhe Turqia do të përleshen për sfida të ngjashme përsa i përket politikave.

Në Libi poashtu, Turqia ka ndjekur interesat e saj dhe tash po konsolidon praninë e saj ushtarake, politike dhe ekonomike në vend. Turqia nuk e ka mendjen të largohet nga Libia. Prapëseprapë, edhe aty, interesat perëndimore dhe turke nuk janë tërësisht të papërputhshme. Ankaraja ndërhyri në luftë për të parandaluar rënien e GNA-së së Sarraj-it të cilën Europa dhe SHBA-ja e mbështetën në teori. Edhe Turqia edhe BE-ja kanë interes në stabilizimin e Libisë dhe parandalimin e ndarjes de facto të saj në dy blloqe.

Në fund, në Nagorno Karabak, Turqia ka kënduar një këngë tjetër nga thirrja e Perëndimit për armëpushim të mënjehershëm. Sidoqoftë, asnjë vënd europian as SHBA-ja nuk ka kundërshtuar ndonjëherë integritetin territorial të Azerbajxhanit. Për më tepër, përfshirja e Turqisë mes vëzhguesve në Nagorno Karabak duhet të shihet me sy të mirë nga europianët në kontekstin ku Grupi i Minskut i OSBE-së është anashkaluar në mënyrë të dhimbshme dhe ku Rusia do të monopolizonte situatën.

Pavarësisht faktit se ndarjet mes Turqisë dhe Rusisë janë pafundësisht më të prekshme dhe akute se sa ato mes Turqisë dhe Perëndimit, marrëdhëniet mes Turqisë dhe Rusisë po konsolidohen në një partneritet de facto, ndërsa ato mes Turqisë dhe Perëndimit po shkojnë drejt sanksioneve. Pse?

Pjesa e lehtë e përgjigjes ka të bëjë me politikat e brendshme në Rusi dhe Turqi. Rusia e Vladimir Putinit ka kohë që ka braktisur narrativën e demokracisë, duke u vetëshpallur si një prej lidereve të botës post-liberale. Presidenti rus ka përdorur politikën e jashtme për të marrë përparësi strategjike ndaj Perëndimit, dhe për të nxitur nacionalizmin në vend, duke shpërqendruar vëmendjen publike nga dështimet e brendshme. Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan ka marrë shembull nga Putini, dhe gjatë vitit të kaluar ka rifituar mbështetje të brendshme politike pas vitit të tmerrshem zgjedhor të Partisë Drejtësi dhe Zhvillim më 2019.

Me ndërhyrjen ushtarake në Libi, eskalimin e tensioneve në Mesdheun Lindor dhe rifutjen në Kaukaz, Erdogani ka bërë atë që shumë turq, për të mos thënë shumica prej tyre, do ta perceptojnë si ripohim të interesave kombëtare me korrigjimin e gabimeve të së kaluarës. Në këtë mënyrë, Erdogani ka shpërqendruar opinionin publik nga dështimet e brendshme në ekonomi. Me fjalë të tjera, liderët rusë dhe turq ndjekin taktika të ngjashme: ata “e kuptojnë njëri tjetrin” dhe ky mirëkuptim mbrun një nivel të respektit të ndërsjellë dhe atëherë kur ka interesa të kundërta.

Sigurisht se ka të vërtetë në këtë shpjegim, që dëgjohet vazhdimisht në Perëndim. Megjithkëtë, është një e vërtetë e përshtatshme për Perëndimin, duke lënë në hije një realitet tjetër komplementar, por shumë më të parehatshëm.

Një tjetër shpjegim është se Rusia dhe Turqia kanë gjetur mirëkuptim pragmatik meqë kanë qenë ashtu të detyruar. Të dyja janë të përfshira në secilin prej këtyre konflikteve, ku europianët dhe amerikanët nuk shihen gjëkundi. Turqia dhe Rusia janë shumë më të prirura që të ndërhyjnë ushtarakisht në konflikte se sa ka qenë ndonjëherë europianët dhe se sa po bëhen amerikanët.

Më gjërë, qoftë në Siri, Libi a Kaukaz, SHBA-ja dhe BE-ja kanë hequr dorë prej përgjegjësive dhe i janë shmangur rreziqeve. Në këtë vakum, ka ndërhyrë Rusia, Turqia dhe të tjerë aktorë rajonalë, duke u mësuar të punojnë me njëri tjetrin. Nga ana e saj, SHBA-ja ka arsye të distancohet duke thënë se kjo nuk është pjesa e botës ku ajo duhet t’i marrë përgjegjësitë më të mëdha. Duhet të presim se në forma dhe mënyra të ndryshme, kjo do të vazhdojë të jetë qasja e administratës së Biden-it.

Ndërsa europianëve nuk iu ka kush faj. Edhe mund të jetë shumë vonë për Sirinë dhe mbase edhe për Kaukazin. Megjithatë, kur është puna te Libia, europianët duhet të bëjnë më shumë. Gjermania ka investuar mjaft në procesin e Berlinit, dhe sigurisht se diplomacia luan rol të rëndësishëm në procesin e ndërtimit të paqes. Por, për sa kohë që europianët nuk ndërmarrin risqe për të konsoliduar paqen në terren në Libi – dhe jo thjesht vetëm në det – ata do të vazhdojnë të jenë kalimtarë rasti të kontrollit de facto të jashtëm të vendit nga Turqia dhe Rusia. Me shpalosjen e dialogut politik në Libi, europianët duhet të angazhohen shumë më aktivisht në ndërtimin e paqes, duke shfaqur më shumë gatishmëri për të qënë të pranishëm në terren.

Ndërsa marrin më shumë risqe dhe përgjegjësi, europianët duhet të përpilojnë një strategji që bën dallimin e duhur mes Turqisë dhe Rusisë, duke shmangur thellimin e mëtejmë të partneritetit të panatyrshëm mes të dyjave, prej të cilit partneritet europianët dhe amerikanët kanë vetëm humbje. Në veçanti, nuk duhet të mbyllim sytë para të përbashkëtave që shohim mes Rusisë së Putin-it dhe Turqisë së Erdoganit në planin e brendshëm, dhe të bëhemi më të aftë për të dalluar mes sjelljeve të tyre në politikën e jashtme.

Në politikën e jashtme, pozicionet dhe ambicet ruse dhe turke dallojnë në disa pika të rëndësishme. Përtej aneksimit të Krimesë dhe përmbysjes së arkitekturës së sigurisë europiane, Rusia e Putinit promovon lidershipin e një bote sovraniste. Në asnjë mëyre nuk e sheh veten si pjesë të Perëndimit, dhe shpesh jashtëzakonisht e ashpër ndaj joefektivitetit, qyqarllëkut, arrogancës dhe bankrotimit moral të demokracive liberale perëndimore. Rusia ka vepruar drejpërdrejt në dëm të demokracive perëndimore duke ndërhyrë në proceset zgjedhore, duke shpërndarë keqinformata dhe duku u përfshirë në sulme kibernetike. Patjetër që duhet të “angazhohemi” me Rusinë, por me sytë hapur ndaj kontekstit ku ndodh angazhimi ynë.

Turqia, me gjithë të metat e saj, jo vetëm se është dhe mbetet aleat i NATO-s, por vazhdon të shprehë interesin e saj për marrëdhënie më të afërta me Bashkimin Europian, duke filluar me bashkimin e modernizuar doganor. Sinqeriteti i Ankarasë duhet të vërtetohet, por për ta arritur këtë është BE-ja që duhet të bëjë hapin e parë. Poashtu, BE-ja dhe SHBA-ja duhet që aktivisht të kërkojnë mundësi për të punuar me Turqinë në çështje të politikës së jashtme aty ku nuk ka dallime të mëdha interesash. Me Sirinë dhe Nagorno Karabakun larg ndikimit Perëndimor, Libia do të ishte vend i duhur për të filluar. Edhe këtu, hapësira për të manovruar po zvogëlohet shpejt. Me nisjen e dialogut politik në Libi, koha është më rëndësi të madhe.

E gjithë kjo nuk nënkupton se BE-ja dhe SHBA-ja duhet të rrinë cuc dhe të mos e përdorin shkopin ndaj Turqisë kur është nevoja. Qoftë lidhur me debaklin S400 me NATO-n apo veprimet e Turqisë në Mesdheun Lindor, kërcënimi i masave restrictive mbetet në tavolinë. Aq më pak nënkupton se BE-ja dhe SHBA-ja duhet të rrinë të heshtur përball korozionit demokratik në Turqi. Me një administratë në Uashington që do të shfaqë interes të ripërtërirë në demokraci, të drejta të njeriut, sundim të ligjit, fokusi transatlantic ndaj dinamikës së brendshme në Turqi do të jetë i domosdoshëm.

Sido që të jetë, për të kuptuar se kur dhe si të reagohet ndaj lëvizjeve të Turqisë në politikën e jashtme, Europa dhe SHBA-ja duhet të marrin parasysh kontekstin më të gjërë strategjik në të cilin operojmë. Qëllimi i veprimeve tona duhet të jetë largimi i Ankarasë nga Moska, e jo shtyrja e Turqisë në krahët e Rusisë.

***

Artikulli origjinal në Instituto Affari Internazionali

***

Image

 

Ky artikull mbështetet nga "Sbunker" përmes projektit të financuar nga Ambasada Amerikane. Mendimet e shprehura këtu janë të autores dhe jo medoemos pasqyrojnë qëndrimet e Departamentit të Shtetit.

24 dhjetor 2020
10:29

Nathalie Tocci