Keqinformimi mbi historinë çon në keqinformim mbi të tashmen

26 tetor 2020 12:32

Eseja e Putinit e qershorit 2020 përshkruan një histori të shtembëruar qëllimisht të Luftës II Botërore

Është jetike të kuptohet pse rishkrimi i historisë nga Rusia përmban implikime të rrezikshme për botën tonë sot. Artikulli i Vladimir Putin-it i qershorit 2020, “Mësimet e vërteta të 75 vjetorit të Luftës II Botërore,” jep të kuptojë se Rusia ka ngritur në një nivel tjetër stilin mjaft të praktikuar sovjetik të rishkrimit të historisë së Luftës II Botërore. Putin-i miraton pretendimin e rremë se Rusia dhe Ushtria e Kuqe janë të vetmit çlirues të Evropës dhe të vetmim fitimtarë të L II B. Për me tepër, Kremlini përfshiu këtë ide në kushtetutën e Rusisë – një ideologji shtetërore, dhe prandaj kërkesa qe bota të pranojë këtë pikëpamje të rishkruar të historisë së Lutës II Botërore.

Në këtë artikull, të botuar më 18 qershor 2020 në revisten konservatore amerikane The National Interest, Putin-i orvatet të rishkruajë historinë e LIIB sipas traditës së Bashkimit Sovjetik. Ai pretendon se pjesa qendrore e L II B është Lufta e Madhe Patriotike mes Bashkimit Sovjetik dhe Gjermanisë naciste prej 1941-1945. Por, në mënyrë të përshtatshme nuk përmend faktin se prej 1939-1941, Bashkimi Sovjetik ishte aleat i Gjermanisë Naciste.

Në parim, artikulli nuk shpalosë porosi të reja; përkundrazi, ai përsërit temat që janë ngritur rregullisht nga Kremlini në vitet e kaluara. Putin-i lartëson rolin e regjimit sovjetik dhe Ushtrisë së Kuqe sovjetike në çlirimin e Europës nga nacistët dhe përkufizon Rusinë dhe popullin rus si të vetmit fitimtarë të luftës. Ndëkaq, roli i përshkruar i BRSS-së kur shpërtheu lufta – bëhet fjalë për paktin Molotov-Ribbentrop – minimizohet. Në vend të kësaj, Putin-i akuzon Perëndimin dhe Poloninë për shpërthimin e lutës. Për Kremlinin, fitorja sovjetike në Luftën e Madhe Patriotike është narrativi kryesor për shtetësinë e tashme ruse, e cila vuan nga psikologjia e humbjes së perandorisë përmes rënies së BRSS-së, po aq edhe statusin e të qenit fuqi e madhe. Tutje në këtë artikull, Putin ngul këmbë në paraqitjen e Rusisë si ndërtues kyç i rendit botëror duke ftuar vetëm fuqitë e mëdha – anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të KB – në një samit për të diskutuar rreth rendit ndërkombëtar, duke iu mbyllur dyert vendeve të tjera.

Ky artikull u botua para referendumit kushtetues në Rusi (25 qershor – 1 korrik 2020) dhe para paradës së madhe ushtarake më 24 qershor. Fillimisht, parada ishte organizuar në festën e përvitshme të 9 majit, që shënon fitoren e tyre në Luftën e Madhe Patriotike, por ishte shtyrë për shkak të pandemisë.

Faktet alternative të Putinit

Të pavërtetat që përfshihen në këtë artikull:

- Putin-i pretendon se viktima e parë e L II B, Polonia, është pjesërisht përgjegjëse për fillimin e luftës.

- Putin-i krahason paktin e fshehtë Molotov-Ribbentrop (ku Gjermania e Hitlerit dhe Bashkimi Sovjetik i Stalinit ndanë Evropën në sferat e tyre të interesit) si ekuivalente me Marrëveshjen e Mynihut më 1938 (mes Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë, Francës, Italisë) që i dorëzoi Gjermanisë së Hitlerit Sudetet e Çekisë. Ai përdor një teknikë të keqinformimit ku një individ ose institucion akuzohet për diçka që ka bërë vetë agresori.

- Putin-i deklaron se përfshirja e Letonisë, Lituanisë, dhe Estonisë në BRSS u zbatua “në baza kontraktuale, me pëlqimin e autoriteteve të zgjedhura,” në kundërshtim me realitetin e aneksimit ilegal të Shteteve Baltike nga Bashkimi Sovjetik, si pasojë e drejtpërdrejtë e paktit Molotov-Ribbentrop.

Narrativat historike janë themeltare për formimin e shumë identiteve kolektive. Mënyra se çfarë marrëdhënie ka një grup me historinë ka ndikim të madh në politikat sociale dhe në sjelljet e një kombi.

Bota nuk duhet të harrojë kurrë të vërtetën se Marrëveshja e Mynihut ishte pajtim i turpshëm i Perëndimit me aneksimin e territoreve çeke në emër të paqës së përgjithshme. Megjithatë, shkruan profesori Mark N. Katz, “ të pretendosh se ata ranë në ujdi për të inkurajuar konfliktin mes Gjermanisë dhe BRSS-së është e tepërt.” Marrëveshja pushoi së ekszistuari menjëherë pasi Hitleri e shkeli duke pushtuar pjesën tjetër të territorit çek.

Zakonisht, marrëveshjet ndërkombëtare arrihen në mënyrë që të vendoset paqja. Megjithatë, pakti Molotov-Ribbentrop që u nënshkrua më 23 gusht 1939 nga ministrat e jashtëm të Gjermanisë naciste dhe Rusisë sovjetike ishte pakt i luftës mes dy regjimeve totalitare. Ky pakt siguronte se asnjëra anë nuk do ta sulmonte tjetrën pa u provokuar, dhe në Protokollin e saj Sekret vendoste sferat e ndikimit përgjatë Polonisë, Lituanisë, Letonisë, Estonisë dhe Finlandës. Gjermania filloi L II B vetëm pas nënshkrimit të këtij pakti, me pushtimin e Polonisë nga perëndimi më 1 shtator 1939, që shtyu Francën e Britaninë t’i shpallnin luftë Gjermanisë.

Fill më pas, Bashkimi Sovjetik pushtoi Poloninë nga lindja. Në vazhdim u pushtuan shtetet baltike nga Bashkimi Sovjetik në qershor 1940 dhe aneksimi i dhunshëm u arrit më 1944. Grupet e rezistencës antisovjetike, të njohur si Luftëtarët e Lirisë apo Vëllezërit e Pyllit, luftuan kundër pushtimit sovjetik prej 1944 deri më 1953, dukë shënuar një ndër përpjekjet më të gjata për rezistencë në Evropë, me disa luftëtarë që bënë qendresë deri në vitet 1960.

Hilet e Zanatit – si të përdorësh retorikën për të manipuluar në favorin tënd

Përveç narrativave mashtruese, retorika e këtij artikulli nuk lë hapësirë për dialog për rolin historik të shumë kombeve të tjera që morën pjesë në L II B. Mund të vërehen sheshit figurat retorike që përdoren për të mbështetur narrativën e Putin-it:

- Putin-i përdor shkallën sipërore për të nënvizuar ndarjen ne kundër atyre, duke detyruar publikun të bëjë zgjedhjen e detyruar binare se ata që nuk pajtohen me pikëpamjet e tij janë kundër tij dhe Rusisë, dhe heshtazi pro-nacistë. Përveç kësaj, sipëroret e hiperbolat krijojnë diskursin ku veprat sovjetike gjatë L II B zmadhohen ndërkaq rolet e kombeve të tjera minimizohen.

- Putin-i përdor krahasimin artificial të individit kundër grupit – në këtë rast, kombit rus. Pra, interesi i kombit paraqitet si më i lartë se interesi dhe nevojat e individit, që është një taktikë tipike e regjimeve nacionaliste. Gjithashtu, ky ofron paraqitjen e rreme të “unitetit” përbrenda shoqërisë ruse ndërkohë që nuk merr parasysh kujtesat e tjera kolektive të regjimit sovjetik – shtypjet, gulagët sovjetikë, masakrën e Katinit dhe sigurisht Paktin sekret Molotov-Ribbentrop.

- Prezentim selektiv i ngjarjeve historike dhe identifikimi i kujtesës personale me kujtesën kolektive. Përemri “unë” shpesh zëvendësohet me shumësin “ne”, duke turbulluar lexuesin se a është kjo “ne” Putin-i, Kremlini, apo populli rus, populli sovjetik, etj.

- Përsëritja e frazave dhe pyetjet retorike të përsëritura i ndihmojnë Putin-it që të zgjojë emocionet e lexuesve dhe ta bëjë pikëpamjen e tij mbi këtë temë më të dallueshme, të pakundërshtueshme, dhe për t’u mbajtur mend.

Në Evropë, përfundimi i L II B u festua si kohë pajtimi, paqeje dhe uniteti. Evropa përpiqet të falë dhe vërtet të rindërtojë e ribashkojë për hir të prosperitetit të përbashkët, përderisa Putin-i drejton gishtin dhe akuzon. Evropa dialogon hapur për krimet e luftës, Putin-i përjashton dialogun, mohon krimet sovjetike dhe shtyn përpara “të vetmin version korrekt” të historisë. Interpretimi i kujtesë historike është çështje e ndërlikuar dhe nuk mund të jetë bardhë e zi. Zakonisht në shoqëritë demokratike, narrativat ndërtohen përreth dialogut të hapur që përmban disa perspektiva të ndryshme dhe fare në fund zhvillohet një marrëveshje bashkëpunuese mes kombesh të ndryshme.

Narrativa e “fitimtarëve” formon bazën e ideologjisë shtetërore.

Interpretimi i L II B i Putin-it pasqyrohet pastër në Kushtetutën e re të Federatës Ruse. Amandamenti i nenit 67 të Kushtetutës ka për qëllim të kthejë narrativën e fitimtarëve të L II B (“Miti i Luftës) në hyrje të idelogjisë së obligueshme shtetërore. E konsolidon statusin e Rusisë si fitimtarja e vetme e luftës, duke vendosur themelet për një identitet të ri rus. Diplomatët rusë tashmë kanë filluar të zbatojnë këtë narrativë. Për shembull, Ambasada Ruse në Gjermani kërkoi nga mësuesit e historisë në Gjermani që të përdorin artikullin e Putin-it në mëisimet e tyre të historisë. Zyrtarë rusë dhe mediat e afërta me pushtetin përdorin si pikë referimi interpretimin e L II B e Putin-it. Edhe mes brezave të rinj të rusëve, kjo mund të shihet përbrenda kulturës pop, ku Rusia shihet si fitimarja e vetme e L II B dhe çlirimtarja e Evropës nga nacistët.

Pse kjo është e vështirë të kuptohet

Putini e shkruajti këtë artikull për të arstyetuar poltikën e jashtme ruse – para luftës, gjatë luftës, pas luftës dhe sot. Artikulli gjithashtu rreket të zbehë krimet e Stalinit ndaj vetë popullatës së tij. Caqet e këtyre narrativave janë të rinjtë – brezi pa kujtesë të L II B – e moshës kur formësohet interesi i tyre për historinë dhe kur është më e lehtë që të manipulohet kuptimi i tyre i historisë. Poashtu, Putin-i përmend se si erdhi Hitler-i në pushtet, duke deklaruar se kjo kishte të bënte më së shumti me pakënaqësinë me rendin global pas Luftës së Parë Botërore dhe me Traktatin e Versajës. Ai i lë lexuesit që të hamendin se çfarë mund të ndodhë nëse Rusia është e pakënaqur me rendin e sotëm global. A e shfrytëzon Putin-i këtë argument për të miratuar interesat e veta për zgjerimin e një perandorie?

Narrativa historike e Rusisë si çlirimtare e Evropës nga nacizmi, siç përshkruhet nga Putin-i, paraqet mobilizimin ideologjik të shoqërisë ruse, duke formuar mentalitetin e superfuqisë në mendjent e qytetarëve të saj dhe duke i marrë me vete ata që janë më pak të informuar për historinë në Perëndim.

***
Artikulli origjinal në DFR Lab.

***

Image

 

Ky artikull mbështetet nga "Sbunker" përmes projektit të financuar nga Ambasada Amerikane. Mendimet e shprehura këtu janë të autores dhe jo medoemos pasqyrojnë qëndrimet e Departamentit të Shtetit.

 

26 tetor 2020
12:32

Dalia Bankauskaite