Bullgaria: Rast tipik i depërtimit rus

21 shtator 2020 10:14

Rekrutimi i liderëve të vendeve tjera përderisa BE-ja bën sehir, ka qenë mbase zbulimi më i madh i Putinit.

Në bregun e Detit të Zi, porti Rosenec në pronësi të Lukoil është zonë e ndaluar për zyrtarët bullgarë. Rusët mund të sjellin çfarë të duan në tokën e BE-së pa e marrë vesh njeri. Me t’u ngritur kjo bazë ruse në territorin europian, gangsterë të përkrahur nga Moska vërshuan bregdetin edhe më në jug.

Institucionet shtetërore bullgare shpërfillën haptas legjislaturën vendore dhe të BE-së dhe lejuan kriminelët famëkeq rusë të ndërtojnë “fshatra pushimesh” në zona të mbrojtura natyrore. Qysh atëherë, së paku një prej këtyre gangsterëve është vrarë nga të tjerët. “Fshati” i tij është ende aty, i shkërmoqur, meqë autoritaritetet bullgare vazhdojnë të refuzojnë që të zbatojnë ligjin dhe të spastrojnë rrënojat.           

Tash po shohim njerëzit të cilët, duke u fshehur pas politikanëve të zgjedhur me votë, përfitojnë njëmend prej regjimeve të tilla. Dhe mes brigadës së larmishme të gangsterëve, mashtruesve dhe shpërdoruesve të fondeve publike, shohim një fugurë shumë më të madhe: Vladimir Putinin. Kjo do të thotë se regjimet oligarkike nuk janë vetëm të pashije e shkapërdare, por gjithashtu rrezik i madh për sigurinë.

Të gjitha përnjëherë

Me t’u mënjanuar ligjet vendore për rusët, pasuan të gjitha përnjëherë. Aktualisht, qeveria e Borisovit është përfshirë zyrtarisht në ndërtimin në kurriz të Bullgarisë të gazsjellësit që lidh Turqinë me Serbinë përmes Bullgarisë. Gazi do të jetë rus, sikurse edhe profiti; por do të jetë taksapaguesi bullgari ai që do të paguajë faturën e gazsjellësit. Siç ka thënë së fundmi ish ambasadori bullgar në Moskë Ilyan Vasilev, regjimi i Borisovit ka lejuar posaçërisht kompanitë dhe institucionet shtetërore ruse të kenë qasje në infrastrukturë strategjike, duke mënjanuar të gjitha procedurat dhe ligjet në fuqi.

Mënjanimi i të gjitha procedurave në fuqi është pa dyshim recetë për pafuqinë përball qëllimeve armiqësore, përfshi edhe marrjen e jetëve.

Hetimi Navalny

Teksa bota demokratike po përpiqet të kërkojë përgjegjësi nga Moska për helmimin e liderit të opozitës Alexei Navalny, autoritetet bullgare kanë suspenduar zyrtarisht hetimin e një sulmi të ngjashëm ndaj jetës së qytetarëve bullgarë.

Në vitin 2015, Emelyan Gebrev u helmua së bashku me të birin dhe drejtorin e një prej kompanive të tij. Në fund, ata u shpëtuan nga mjekët më të mirë ushtarakë dhe u mor vesh se ishin sulmuar me një substancë të tipit Novichok. Autoritetet bullgare nuk ka pranuan të hetonin, meqë Grebrev kishte qenë për një kohë të gjatë halë në sy për ta, ngase nuk kishte pranuar t’i dorëzonte biznesin e tij profitabil të armëve ortakëve të Borisovit.

Pastaj ngjau helmimi i Skripalit në Britani dhe bashkë me të erdhi presioni ndërkombëtar mbi Bullgarinë për të hetuar sulmin ndaj Gebrevit. Kryeprokurori i atëhershëm refuzoi haptas, duke deklaruar me përçmim se Z. Gebrev duhet të jetë sëmurë pasi të ketë “ngrënë sallatë rukole të pashpëlarë”.

Presioni u rrit kur hetuesit ndërkombëtarë zbuluan se helmuesit e Skripalit, të gjithë agjentë të agjencisë ruse të inteligjencës GRU, kishin qenë të vendosur në Bullgari dhe kishin qenë aty gjatë helmimit të Gebrevit. Ndërsa hetimi ndërkombëtar po merrte vrull, u mor vesh që GRU kishte ndërtuar që një kohë bazën e tyre për Evropë në Bullgari, prej ku kishte nisur operacionet për grusht shteti në Maqedoni (2015) dhe Mal të Zi (2016).

Duke u dorëzuar më në fund para presionit ndërkombëtar, autoritetet bullgare filluan të hetojnë helmimin e Gebrevit, duke i dhënë rastin dy detektivëve të mbingarkuar të policisë qendrore të Sofies (në Europë pati me qindra zyrtarë policorë të përfshirë në hetimin e helmimit të Skripalit). Edhe pse rastit iu dha prioriteti më i ulët i mundshëm, dy detektivët arritën të zbulojnë emrat e tre të dyshuarve rusë. Në atë moment, sipas burimeve të brendshme, ata u hoqën nga rasti dhe hetimi u ndërpre heshtazi.

Pastaj ngjau helmimi i Navalnyt më 20 gusht 2020. Më 22 gusht, ai u dërgua në Gjermani. Më 2 shtator, mjekët gjerman deklaruan zyrtarisht se qe helmuar me substancë të tipit Novichok ngjashëm me atë që ishte përdorur në rastin e Gebrevit. Më 3 shtator, Bellingcat dhe The Insider njoftuan se mostrat e marra nga Z. Gebrev dhe që u mbjatën në një laborator në Finlandë, ishin zhdukur në mënyrë të pashpjegueshme, me gjasë të vjedhura nga rusët. Teksa Gjermania, BE-ja dhe NATO-ja filluan të flasin për sanksione, u kërkua informacion nga autoritetet bullgare për rastin e Gebrevit. Kryeprokurori bullgar deklaroi se kishte pushuar hetimet ndaj helmimit të Gebrevit më 25 gusht. Bullgaria nuk do të merrte pjesë në presionin ndërkombëtar ndaj Moskës.

“Ofrimi i ndihmës dhe mbështetjes armikut” është zakonisht përkufizimi i tradhëtisë në ligjet e shumë vendeve. Regjimi i Borisovit ka bërë pikërisht këtë, duke i ofruar ndihmë dhe mbështetje GRUsë dhe duke rrezikuar jetët e qytetarëve të tij. Duke qenë se sipas traktateve të BE-së të gjithë personat e Bashkimit janë qytetarë edhe të vendeve anëtare edhe të BE-së, iplikimet janë të qarta: tradhtia nuk është më vetëm çështje kombëtare.

Në mënyrë të pashpjegueshme, Borisovi vazhdon të ketë përkrahje nga Komisioni Evropian dhe nga Parlamenti Evropian, ku vetëm Socialistët dhe të Gjelbrit mbajnë anën e protestave kundër korrupsionit në Bullgari. Më është thënë prej disa zyrtarëve të BE-së se Borisovi “siguron stabilitet” dhe ndryshe prej Victor Orbanit të Hungarisë, nuk bën çmos për ta provokuar Brukselin me retorikë neofashiste.

Megjithatë, nuk ekziston diçka e tillë si stabiliteti i bazuar në korrupsion. Një regjim i korruptuar paraqet një prej strukturave më jostabile në gjithësinë tonë. Gjithashtu, për nga përkufizimi, është i pasigurt. Ai mund të jetë në gjendje të demonostrojë një lustër të “stabilitetit” për partnerët e jashtëm, por që përmban rreziqe akute të sigurisë.

Protestat kundër korrupsionit

Për dy muaj të tërë, qeveria e krymenistrit bullgar që prej 2009 Boyko Borisov, po ballafaqohet me protesta masive kundër korrupsionit. Furia e qytetarëve ka qenë këmbëngulëse dhe ndonëse Borisovi vazhdon të bëhet sikur asgjë e pazakontë po ndodh, modeli i tij oligarkik i pushtetit po shpërbëhet gradualisht. Teksa fasada po bie pak e nga pak, kemi filluar të shohim gjëra që dikur ishin të fshehta.

Diku mes pushtimit sovjetik të Çekosllovakisë (1968) dhe Afganistanit (1979), Kremlini vendosi të braktiste ushtrimin e “fuqisë së butë”[soft power] në politikën e jashtme. Ata nuk kishin më një model shoqërie si alternativë ndaj demokracisë perëndimore. Kështu që rusët u përqendruan në aspekte të ndryshme të “fuqisë së fortë” [hard power]: që prej nisjes së luftërave “të ndërmjetme” [proxy wars] kundër Perëndimit në Amerikën Latine dhe Afrikë deri te financimi i grupeve të ndryshme opozitare dhe lëvizjeve kundër establishmentit në Evropën Perëndimore. Sot, Rusia e Putinit nuk ka as shtrirjen, as paratë e tilla. Prandaj është përqendruar në ndërhyrje të shkallës së ulët, siç është nisja e luftërave të përkohshme në vendet fqinje dhe blerja e liderëve dhe politikanëve të huaj.

Rekrutimi i liderëve të vendeve tjera ka qenë mbase zbulimi më i madh i Putinit. Përkrahja e partive dhe lëvizjeve opozitare kushton me miliarda; ndërsa blerja e individëve të caktuar, të cilët mund të përdorin pushtetin e tyre në shërbim të interesave ruse, kushton vetëm miliona. Kjo natyrisht se është më së lehti ta bësh në vende elitat e të cilave janë tashmë të dhëna pas korrupsionit dhe hajnisë.

Bullgaria është rast tipik. Qëkur nisi mandatin e tretë, në pranverën e vitit 2017, Borisovi nuk shtihet më sikur është aty për t’i shërbyer të mirës publike. Parlamenti filloi të kalonte ligje me qëllim të përfitimit të individëve të caktuar, apo të diskriminimit ndaj individëve dhe industrive të tëra. Gati të gjitha fondet publike dhe grantet evropiane u devijuan në drejtim të një grushti personash të afërt me kryeministrin. Së fundmi mësuam se truproja i tij i preferuar ka marrë 500 milionë euro të fondeve të BE-së, duke u bërë papritmas specialist në ndërtimin e hekurudhave. Një numër gazetarësh kritikë u larguan nga puna, ndërsa për herë të parë që prej 1989, të burgosurit politikë u rishfaqën si një klasë e përbërë kryesisht prej kritikëve të zëshem të qeverisë, ose prej ndërmarrësve që nuk kanë pranuar t’iu dorëzojnë kompanitë e tyre shpurës së Borisovit.

Ky është habitati në të cilin lulëzon Putini. Politikanët e korruptuar korruptohen lehtë. Ryshfetet filluan të rridhnin nga Moska në Sofie, duke siguruar një shputëmbajtëse përbrenda perimetrit të BE-së dhe, ç’është me rëndësishmja, NATO-s. Përkrahni regjimet e korruptuara oligarkike dhe keni mirëpritur rusët në Evropë. Kjo s’do mend.

Politikanët e korruptuar korruptohen lehtë. Kremlini përdor korrupsionin si instrument për të depërtuar në BE dhe NATO, me qëllim të dobësimit, destablizimit dhe mposhtjes së Perëndimit. Nëse Perëndimi e sheh këtë si “stabilitet”, atëherë elitave të tyre qeverisëse iu ka ardhur koha për riparim radikal.

***

Artikulli origjinal në Open Democracy.

21 shtator 2020
10:14

Evgenii Dainov