Dugin dhe projekti i “Euroazisë”. Bashkimi Sovjetik i ri?

01 dhjetor 2016 14:04

Çdo rend politik i ka edhe intelektualët e vet që ia trasojnë rrugën liderëve dhe sistemit. Regjimet nacionaliste zakonisht i kanë si shtylla të tyre ata më mediokrit, që vuajnë nga komplekse mesianike. Bëhet fjalë për sojin e atyre që gjatë komunizmit në Jugosllavi gjetën strehë te Akademia e Shkencave të Serbisë, prej ku krijuan klimën e gjakderdhjes dhe e shpallën veten baballarë të kombit. Provincalët e tillë, apo “patriotët profesionistë”, nuk munguan dhe nuk mungojnë as në mesin tonë.

Kalibër i tillë duket të jetë edhe Aleksander Dugin, “filozofi” dhe “strategu gjeopolitik” i cili konsiderohet si figura më e rëndësishme intelektuale e nacionalizmit të ri rus. Është njeriu i cili prej vitesh ka ndikim të madh te figurat më të rëndësishme të regjimit të Putinit, përfshi edhe vetë liderin. Revista prestigjioze Foreign Affairs madje e quajti atë “truri i Putinit”.

Ndërkohë që në këtë bllog tematik merremi me Rusinë nga prizmi i strategjive dhe taktikave të saja për zgjerimin apo mbrojtjen e sferave të interesit, mbase është mirë që të kuptojmë se cilat janë premisat ideologjike të projektit ekspansionist të Rusisë.

Sepse çdo regjim, përfshi edhe regjimet më të errëta si ai nazist, i racionalizon veprimet e veta brenda njëfarë “kornize morale”, duke bërë ndarje në mes së mirës dhe së keqes në botë. Siç argumenton shpesh David Brooks te kolumna e tij në New York Times, përveç psikopatëve që realisht nuk kanë ndjeshmëri (e që janë pakicë fare e vogël e njerëzimit), çdo njeri ka nevojë psikike që ta shohë dhe kuptojë veten si të drejtë dhe të mirë.

Për “filozofin” Dugin, e keqja e madhe e botës së sotme është pa dyshim liberalizmi perëndimor me boshtin e vet anglo-sakson, i cili sipas tij përbën “sulm ndaj organizimit tradicional hierarkik të botës”. Është pra kjo bota e lirive individuale, ku mbizotëron toleranca ndaj së ndryshmes, multikulturaliteti, racionalieti, shkenca, të drejtat e grave dhe homoseksualëve, etj – gjithçka që bie ndesh me mënyrat klasike të të kuptuarit të nderit, kombit, fesë, dhe rendit patriarkal.

Ato që perëndimi anglo-sakson sot i ka mëshiruar në identitetin e vet si krenari dhe si arritje historike – të drejtat e njeriut, demokracinë liberale, sistemin e kontrollit dhe llogaridhënies së pushtetit ndaj qytetarëve, etj – Dugin dhe Putin i shohin si dobësi, si shenja të ligështimit të civilizimit perëndimor. Botëkuptimi i tyre kësisoj është thellësisht maskilist dhe autoritar – një reaksion patriarkal - ndërsa perëndimi shihet si tepër i “feminizuar” dhe rrjedhimisht “i dobët” dhe i “çnderuar”. 

Prandaj Dugin dhe Putin kanë simpati në perëndim vetëm për maskilstët që e kanë të njejtën kritikë për perëndimin – për Trump-in në SHBA, Farage-in në Britani, Le Pen-in në Francë (grua me mendësi patriarkale), dhe një varg autokratësh të tjerë në lindje, përfshi edhe Ergonanin në Turqi, me të cilin Putin ka shumë ngjashmëri në botëkuptime dhe stil të qeverisjes.

Projekti liberal anglo-sakson i cili nisi të ndërtohet qysh pas Luftës së Dytë Botërore, përjetohet preh Dugin si kërcënim jo vetëm në aspektin e sigurisë, por edhe si diçka djallëzore në shpirt dhe kërcënuese ndaj vlerave tradicionale të botës. Perëndimi i degjeneruar shihet si palë që e shfrytëzon hegjemoninë e vet për t’i imponuar botës vlera që vetëm ajo i sheh si superiore.

Këtë gjë perëndimi anglo-sakson po e bën jo vetëm përmes asaj që njihet si “fuqi e butë” (për shembull prodhimeve të kulturës), por edhe përmes zgjerimit të institucioneve dhe rregullave të rendit politik liberal, shëmbëlltyrë e të cilave janë entitetet si Bashkimi Europian, NATO, apo edhe OJQ-të për të drejtat e njeriut, të shihen si zgjatime të interesave perendimore dhe përpjekjes për përmbysje të vlerave.

Në këtë drejtim botëkuptimi Duginian e sheh Rusinë si vend me detyrim hyjnor për të shpëtuar botën prej këtij kërcënimi. Ky detyrim ushqehet nga perceptimi i Rusisë për veteveten si qendër e zhvillimeve botërore për shkak të trashëgimisë perandorake në periudhën komuniste. Por edhe për shkak të perceptimit tradicional të nacionalizmit rus se duke qenë qendër e ortodoksisë, Rusia përbën një qendër të pavarur dhe konkurusese të civilizimit njerëzor, e ndodhur disi në mes të perëndimit me bosht judeo-krishterë, lindjes islame dhe kulturave të lindjes së largët.

Dugin e sheh botën nga prizmi i ndeshjes së civilizimeve dhe rikthimit në çdo epokë – prej betejës mes Romës dhe Kartagjenës, e deri te beteja e sotme mes Rusisë dhe anglo-saksonëve – të ndeshjes mes fuqive detare/kozmopolite që ai i quan “Atlantis” dhe shoqërive konservatore pa qasje në det. Ai ka shkruar libra të tërë mbi këtë dikotomi historike, duke përseritur idetë e teoristëve politik të regjimit nazist – si Karl Haushofer, Rudolf Hess dhe Carl Shmitt – ku argumenton se ky kërcënim liberal i “Atlantis” nuk është i ri por një kërcënim i cili njerëzimit i ka ardhur në vazhdimës.

Siç thotë një studiues i veprës së tij: “Dugin beson se këto forca (vj. të perëndimit) janë vërtetë forcat e anti-Krishtit dhe për t’i luftuar ato ai u bën ftesë për mobilizim të gjithë popujve të Euroazisë, përfshi ish-repubilkat sovjetike, madje edhe Gjermaninë, Europën lindore dhe qëndrore, Turqinë dhe Iranin, duke e themeluar kështu një aleancë ‘të natyrshme’ me islamin, që ndërkohë i siguron Rusisë qasje në porte me ujë të ngrohtë.”

Lufta e Duginit, e për rrjedhojë edhe e Putinit, nuk është pra vetëm luftë për kontroll dhe interes. Ajo është një luftë thellësisht personale dhe mesianike për shkatërrimin e perëndimit liberal ashtu siç sot e njohim, si dhe i vlerave që ai i mishëron dhe promovon nëpër botë. Është luftë kundër demokracisë liberale, të drejtave dhe lirive individuale, feminizmit, etj. Luftë në të cilën ata gjejnë mbështetje edhe në perëndim prej bashkëmendimtareve konservatorë.

Projekti politik i Euroazisë nuk është vetëm projekt realpolitik i shtyrë nga dëshira e Rusisë për kontroll dhe fuqi, por një projekt po aq ideologjik sa ç’ishte Bashkimi Sovjetik, dhe me gjasë me synime po aq hegjemonike. Dëshmi për këtë është ndërhyrja aktive e Rusisë në zgjedhjet e SHBA-ve përmes sulmeve kibernetike dhe financimi prej saj i partive ekstremiste në vendet e BE-së. Për këtë arsye është shumë naive bindja e disave se Rusia sot vetëm po kërkon që ta mbrojë sferen e vet të interesit dhe se qasja e butë ndaj saj do të mund të prodhojë paqe të qëndrueshme në botë. Është po aq naive sa bindja e brezave të mëparshëm se Hitleri dhe Stalini ishin palë me të cilat mund të bashkëpunohej.

01 dhjetor 2016
14:04

Kremlin Shah