Baliqi: Ndërprerja e negociatave e dëmshme, por me këtë sjellje të Serbisë ato do ta humbin kuptimin

Sbunker pyet: Sa ka kuptim në këto rrethana vazhdimi i procesit të Brukselit, dhe a duhet Kosova të ndryshojë qasjen e saj?

11 nëntor 2015 10:08

Pikësëpari, shtrohet pyetja se a ishte shkaku i mospranimit tonë vetëm fushata e Serbisë, apo edhe paaftësia jonë diplomatike që t’i sigurojmë votat e duhura, madje edhe të shteteve që kanë njohur tashme Kosovën dhe të atyre që nuk kanë ndonjë qëndrim aq kundërshtues ndaj pavarësisë tonë. Konsideroj se do të ishte jo parimore e jo korrekte që t’i ikim përgjegjësisë dhe të mos nxjerrim mësim nga ky pësim diplomatik e politik. Ajo çka duhet bërë tani, është që të evaluojmë strategjinë e deritashme të politikes së jashtme, përfshire këtu punën e misioneve diplomatike, bashkërendimin me institucionet tjera relevante, mirëpo edhe qasjen tonë në negociata, pra raportin tonë me Serbinë. Kjo nuk do të thotë se negociatat duhet të ndërpriten, pasi kjo do të ishte tejet e dëmshme për interesat nacionale në plan afatgjatë. Por që parimi i fqinjësisë së mire duhet të jete sine qua non i dialogut, dhe rrjedhimisht bllokimi i proceseve integruese në mekanizmat evropian dhe ndërkombëtar nuk do të pranohet. Nëse Kosova është palë e barabartë në negociata, atëherë edhe kështu duhet të trajtohet nga të gjithë. Respektivisht që çdo marrëveshje e arritur, do të zbatohet në mënyrë reciproke dhe pa sabotime e provokime nga asnjëra palë. Duhet kërkuar nga Serbia përgjegjësi për moszbatim të marrëveshjeve dhe llogari për vazhdim të  politikës së strukturave paralele. Nuk duhet të na çudit propaganda e saj për rrezikim të kishave e manastireve, kur ne asnjëherë nuk i kërkuam përgjegjësi për shkatërrim të shumë monumenteve fetare e kulturore, për kthim të artefakteve të plaçkitura dhe për shumë çështje tjera të cilat ajo pandërprere kërkon të respektohen nga ne. Prandaj nëse vazhdon sjellja e tillë, që vazhdimisht akuzojnë dhe në të njëjtën kohë pretendojnë te negociojnë për normalizim të marrëdhënieve, atëherë mendoj se edhe nga Brukseli duhet të kërkohet që kjo qasje është tërësisht e papranueshme dhe se kjo mund të rrezikoj seriozisht vazhdimin e negociatave. Dhe vetëm atëherë kur as këto premisa nuk plotësohen procesi i Brukselit e humb plotësisht kuptimin, pra nuk do të qon në normalizim të marrëdhënieve.       

11 nëntor 2015
10:08

Bekim Baliqi

Sbunker pyet: Sa ka kuptim në këto rrethana vazhdimi i procesit të Brukselit, dhe a duhet Kosova të ndryshojë qasjen e saj?