11 nëntor 2015
10:09

Sbunker pyet: Sa ka kuptim në këto rrethana vazhdimi i procesit të Brukselit, dhe a duhet Kosova të ndryshojë qasjen e saj?
Dialogu me Serbinë duhet të riformatohet. Abuzimi me procesin e dialogut ka arritur në shkallë dëmtuese për Kosovën dhe stabilitetin e brendshëm. Sjellja e vazhdueshme e Serbisë në këtë format të dialogut është kthyer në një avantazh, realisht të padinjitetshëm, në raport me shtetësinë dhe subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës.
Në të vërtetë, që nga marrëveshja e 19 prillit 2013, mbi Normalizimin e Marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, formati i dialogut do të duhej të ndryshonte. Sidoqoftë, “çështja UNESCO” është kulmi i qartësisë edhe publike të keqpërdorimit të thellë që Serbia po vazhdon të manovrojë në raport me shtetësinë e Kosovës.
Qasja e Kosovës në ditët dhe javët e ardhshme duhet të bazohet në domosdoshmërinë e riformatimit të procesit të dialogut. Dhe, riformatimi nënkupton kthimin e piramidës së procesit. Procesi vazhdon, por prioritetizimi të riformatohet.
Çështja e parë në dialog duhet të jetë njohja e shtetit të Kosovës. Me të gjitha elementët që mund të duken si të vështira, njohja e shtetit të Kosovës është mënyra e vetme për të arritur ndërtimin e normalizimit të vërtetë të raporteve midis dy shteteve.
“Marrëveshja e Madhe” midis Kosovës dhe Serbisë do të mund të përfshinte të paktën tri elementë: 1) Njohjen reciproke; 2) Traktatin e Paqes dhe Fqinjësinë e Mirë; dhe 3) Iniciativën Rajonale për Ballkanin Evropian.
Kjo “Marrëveshje e Madhe” do të mund të ishte marrëveshje historike për dy popujt, për dy shtetet dhe për rajonin në tërësi. Do të përmbyllte përfundimisht tensionet e vazhdueshme dhe do të hapte fazën e re të evropianizimit dhe demokratizimit të Ballkanit Perëndimor.
Periudha e mëpastajshme do të përcillej me marrëveshjet teknike veç e veç, për secilën çështje të hapur, duke pëfshirë demarkimin e kufirit midis dy shteteve. Shënijimi i kufirit me Serbinë do të jetë një sfidë e jashtëzakonshme profesionale dhe shtetërore për Kosovën, kryesisht bazuar në të metat kadastrale dhe të natyrave tjera, të trashëguara për dekada të tëra.
Ndërkohë, shteti i Kosovës nuk mund ta bëjë këtë riformatim të dialogut nëse nuk arrin, së pari, të ndërtojë konsensusin e brendshëm. Thjesht, duhet të krijohet një mekanizëm gjithëpërfshirës politik dhe shoqëror për të ndërtuar qasjen e Kosovës.
Riformatimi i dialogut duhet të marrë mbështetjen e Uashingtonit dhe të Brukselit. Kjo, normalisht, është e domosdoshme. Dhe, për këtë, Kosova ka mjaftueshëm argumente politike.
11 nëntor 2015
10:09
Sbunker pyet: Sa ka kuptim në këto rrethana vazhdimi i procesit të Brukselit, dhe a duhet Kosova të ndryshojë qasjen e saj?