Dërguti: Vazhdimi i dialogut është sabotim i procesit të shtetndërtimit

Sa ka kuptim në këto rrethana vazhdimi i procesit të Brukselit, dhe a duhet Kosova të ndryshojë qasjen e saj?

11 nëntor 2015 10:11

Kosova shpejt do të pranohet në UNESCO. Hashim Thaçi është atje dhe pas një pune kolosale, pritet vendimi pozitiv. Edhe pengesa e parë u kalua, kërkesa e Serbisë për shtyrjen e vendimit u refuzua. Hashim Thaç informon në kohë reale, ndërkohë që përgatitet festa.

Kështu protagoniste ishte fushata për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO. Edhe po t’i shkonte mendja ndonjërit nga gazetarët për të na sjellë më shumë informata për këtë Agjenci të OKB-së, rëndësinë e saj për afirmimin e vlerave kulturore, apo bashkëpunimit në fushën e arsimit, kjo gjë s’ishte e mundur. Nuk na duhen tema, kur përballë kemi personalitete si Hashim Thaçi?! Gjithçka vërtitej rreth emrit e figurës së tij. UNESCO-ja ishte organizata ku po anëtarësohemi falë Hashim Thaçit. Ky ishte tregimi.

Kosova nuk u pranua në UNESCO. Sakaq logjika përmbyset. Për këtë punë, që sipas Hashim Thaçit nuk përbën dështim, faji shtrihet nga Serbia raciste (do të kthehemi tek ky cilësim më vonë) në Lindjen e Mesme myslimane, për të vazhduar me Amerikën Latine “diktatoriale” e deri tek opozita në Kosovë. Do t’i kërkojmë rreth e rrotull rruzullit armiqtë e Kosovës, të jashtmit e të brendshmit. Të gjithë e kanë pjesën e vet të përgjegjësisë, veç personit që ndërmori iniciativën dhe e ka përshkrim të parë pune anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, Ministri i Jashtëm, Hashim Thaçi. Ngarend për t’ia përshkruar vetes meritat, dhe fshihet e shpik armiq, kur duhet marrë përgjegjësi. Nga gjeldeti i fryrë, në struc që fsheh kokën në rërë. Kjo është metamorfoza e shpejtë e Hashim Thaçit. Ndërsa Serbia është koherente në shovenizmin e saj brenda dhe jashtë Kosovës, Hashim Thaçi është skizofren. Kur ai dështoi lavdinë personale për anëtarësim në UNESCO, Serbia u bë raciste e fashiste, por ai vazhdon ta mbrojë me ngulm Marrëveshjen për Zajednicën që është poashtu raciste (Neni 9).    

Por, ku është vërtet faji? A shpjegohet ai me protagonizmin e mjerë të Hashim Thaçit dhe dështimin diplomatik për t’i bindur për të votuar të paktën vendet që na kanë njohur?! Këto përbëjnë disa aspekte të problemit, por thënë të drejtën, ky horizont nuk na ndihmon më shumë sesa nivelet e para përceptive të problemit. Tema kyçe që duhet trajtuar edhe në këtë rast është marrëdhënia e Republikës së Kosovës me Serbinë. Nga fillimi deri në fund, procesi i dialogut Prishtinë-Beograd është arsyetuar përmes synimit të normalizimit të marrëdhënieve midis dy vendeve. Bile marrëveshja mbi parimet bazë të Zajednicës e nënshkruar më 19 prill ishte quajtur “Marrëveshja për Normalizimin e Marrëdhënieve Kosovë-Serbi”. Koncesion pas koncesioni na është thënë se kështu do të hiqet pengesa e quajtur Serbi, dhe Kosova do të ecë pandalshëm drejt njohjes ndërkombëtare e konsolidimit të brendshëm. Por, asnjë rezultat i tillë nuk është provuar. Përkundrazi, ka ndodhur pikërisht e kundërta. Le të shohim rrjedhën kronologjike: Koncesionet e Planit të Ahtisaarit i kemi adoptuar në Kushtetutë (si rezultat i tyre sot s’mund ta formojmë ushtrinë). Serbia s’na njohu dhe dialogu vazhdoi, koncesionet poashtu. Erdhën Marrëveshjet për Lëvizjen e Lirë, Menaxhimin e Integruar të Kufijve, dhe më pas fusnota. Serbia vazhdonte integrimin, luftonte Kosovën brenda dhe jashtë, kurse Kosove hiqte dorë nga karakteri shtetësisë së vet. Ja ku jemi tek Zajednica sot. Pushteti në Kosovë është në gjendje të arrestojë e persekutojë qytetarët e Kosovës,  për ta mbrojtur Zajednicën. Por, mu në vlugun e luftës politike rreth Zajednicës, Serbia nuk ka lënë gur pa lëvizur për ta bllokuar anëtarësimin e Kosovës në UNESCO. Ky është pra shpërblimi për gjenerozitetin tonë.

Shtetet që mbajnë koloni jo rastësisht janë krahasuar me grabitqarët. Për ta, preja e kapur përbën ushqimin që rritë oreksin. Serbia është e tillë. Sa më të nënshtruar që do të jemi ndaj saj, aq më egër do të kthehet ajo kundër nesh.

Mospranimi i Kosovës në UNESCO duhet të jetë moment reflektimi mbi dialogun. Kjo ngjarje është edhe një dëshmi se ai nuk i ka sjellë rezultatet e pritura. Të jesh konstruktiv ndaj kësaj Serbie, do të thotë të jesh destruktiv ndaj sovranitetit. Vazhdimi i këtij dialogu është sabotim i shtetndërtimit.

 

 

11 nëntor 2015
10:11

Aida Dërguti

Sa ka kuptim në këto rrethana vazhdimi i procesit të Brukselit, dhe a duhet Kosova të ndryshojë qasjen e saj?