Selimi: Procesi i Brukselit duhet të vazhdojë, por ka nevojë të flitet me Brukselin për themelet e dialogut

Sbunker pyet: Sa ka kuptim në këto rrethana vazhdimi i procesit të Brukselit, dhe a duhet Kosova të ndryshojë qasjen e saj?

11 nëntor 2015 10:10

Kosova aplikoi në UNESCO gjatë verës së 2015. Që në fillim, arritëm pajtueshmëri në Qeveri por edhe me aleatët kryesorë të Kosovës që mesazhi i Kosovës duhet të jetë pozitiv, i fokusuar në benefitet konkrete për kosovarët që të kenë qasje më të mirë në programet zhvillimore për arsim, shkencë dhe kulturë. Fushata e bazuar në promovim të xhamive të djegura apo armiqësitë e vjetra thjesht nuk do të sillte dobi afatgjate për Kosovën, normalizimin e marrëdhënieve dhe paqen në Ballkan. Vetë fushata ishte “low-key” deri në momentin kur Serbia filloi një fushatë agresive dhe tejet antagoniste kundër anëtarësisë së Kosovës në UNESCO. Deklaratat serbe ishin të tmerrshme, nga Ambasadori Tanaskovic i cili në Radio ruse kërkoi që “krishterët e botës të bashkohen kundër Kosovës” e deri tek Presidenti Nikoliq që deklaroi se shqiptarët kanë vetëm “pompat e benzinës dhe hotelet” si trashëgimi kulturore. Fushata raciste realisht e ka dëmtuar Serbinë ngase shumë shtete në Paris u nevrikosën me nivelin e agresionit verbal kundër Kosovës, e cila ishte kryekëput pozitive. Kjo shkaktoi edhe një ndryshim të taktikës serbe në dy javët e fundit në Paris, ku gjithnjë e më shumë potencohej “nevoja për dialog” dhe nevoja që anëtarësia e Kosovës në UNESCO të konsiderohej si pjesë e “dialogut të Brukselit”. Kështu u arrit një perversion i interpretimit të dialogut. 

Duhet të kujtojmë pikënisjën e dialogut në Bruksel: vendimin e GJND dhe rezolutën e UNGA për dialog për normalizim. Kjo rezolutë u draftua nga BE si përgjigje direkte e përpjekjeve të Jeremiq-it të fusë statusin në rend të ditës. Dialogu është koncipuar si mjet fundamental që Prishtina dhe Beogradi të vazhdojnë normalizimin pavarësisht prej dallimeve në njohje të pavarësisë. Beogradi në Paris argumentoi se dialogu në Bruksel nuk lejon Kosovën të bëhet anëtare e bashkësisë ndërkombëtare. 

Duhet thënë qartë se qëndrimi i Beogradit nuk u përkrah publikisht gjatë fjalimeve të veta nga shumica e shteteve të BE-së. Gjermania, SHBA-të, Austria, e shumë tjerë e thanë qartë që dialogu në Bruksel nuk është pengesë, por përkrahës i anëtarësimit të Kosovës.

Procesi i Brukselit duhet të vazhdojë, sepse dialogu me fqinj është kusht esencial apo “sine qua non” i integrimeve në NATO dhe BE. Është kriter esencial i Kopenhagës si mjet i “fqinjësisë së mirë”. Kosova ka arritur që me dialog dhe fqinjësi të mirë të ketë tërë ish-Jugosllavinë dhe Ballkanin si përkrahës së anëtarësisë në UNESCO. As një i vetëm fqinj i Serbisë nuk e ka përkrahur Beogradin në UNESCO. 

Megjithatë është e qartë se Prishtina ka nevojë për një diskutim shtesë në javët që vijnë me Brukselin dhe shtetet anëtare për themelet e dialogut. Nga Beogradi u dëshmua se nuk ka as interes më të vogël për të normalizuar gjendjen me Kosovën. Është Brukseli ai që duhet rivendosur rregullat e lojës duke garantuar mosbllokimin e Kosovës.

11 nëntor 2015
10:10

Petrit Selimi

Sbunker pyet: Sa ka kuptim në këto rrethana vazhdimi i procesit të Brukselit, dhe a duhet Kosova të ndryshojë qasjen e saj?