Curri: Hapi i parë formal drejt anëtarësimit, por nuk e zgjidh çështjen e statusit në raport me BE

Sbunker pyet: Kosova ka nënshkruar MSA-në me BE-në. A nënkupton kjo zyrtarizim të marrëdhënieve tona kontraktuale me BE-në si shtet, apo asgjë nuk ndryshon në raportet Kosovë - BE?

28 tetor 2015 10:08

Nënshkrimi i Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asociim (MSA) për Kosovën paraqet një moment me rëndësi të dyfishtë: 1) është hapi i parë formal në rrugën e gjatë të anëtarësimit në BE; 2) është hera e parë që Kosova vendos marrëdhënie kontraktuale me BE-në. Përderisa ka mjaft të përbashkëta me MSA-të në mes të BE-së dhe vendeve tjera në Ballkan, në rastin e Kosovës kjo marrëveshje ka edhe disa dallime të rëndësishme.

Fillimisht, MSA nuk e zgjidh problemin e njohjes së shtetit të Kosovës. BE nuk ka kompetenca për të njohur shtete, kjo është kompetencë e shteteve anëtare. MSA është nënshkruar me fusnotën si shoqëruese të emërtimit Kosovë dhe pa e paragjykuar statusin e Kosovës (Neni 2), ndërsa as formalisht e as praktikisht nuk ndryshon aspak qasjen e 5 vendeve mosnjohëse ndaj shtetësisë së Kosovës.

Për nga forma, dallimi kryesor është që kjo MSA është e para që nënshkruhet nga Komisioni Europian, e jo nga ministrat e jashtëm të vendeve anëtare të BE-së, siç ka ndodhur me të gjitha shtetet tjera në të kaluarën. Në këtë aspekt, MSA e Kosovës është e ngjashme me marrëveshjet që BE tashmë i ka nënshkruar me disa “entitete” të cilat nuk i njeh si shtete, siç janë Hong Kongu, Makau, Palestina, etj.

Për nga përmbajtja, dallimi kryesor është që përgjatë 597 faqeve të tekstit të marrëveshjes, nuk përmendet integrimi ose perspektiva e anëtarësimit të Kosovës në BE, por thuhet që Kosova ka një perspektivë europiane dhe kjo marrëveshje ndihmon në përafrimin e vendit me BE-në. Për vendet tjera të rajonit, MSA-të qartë kanë përmendur perspektivën e anëtarësimit të tyre në BE. E ndërlidhur me problemin e njohjes është edhe “siguresa” që BE e ka vendosur për të qenë e lirë të veprojë varësisht nga zhvillimet në të ardhmen, e që është klauzola “nëse rrethanat objektive e lejojnë këtë gjë”1 për shumë nga hapat që parashihen në kuadër të MSA-së. Për më tepër, kushtëzimi i vlefshmërisë së MSA-së – ndër të tjera – edhe me vazhdimin e dialogut dhe marrëdhëniet e mira me Serbinë paraqet një rast të parë kur elemente të tilla të bashkëpunimit rajonal bëhen pjesë zyrtare e MSA-së (Neni 5).

Megjithatë, përfitimet e Kosovës nga kjo marrëveshje mund të jenë të shumëfishta, sidomos në rrafshin ekonomik. Duke e zbatuar si duhet këtë marrëveshje, Kosova gradualisht do të krijojë me BE-në një hapësirë të tregut të lirë, ku lëvizja e lirë e mallrave (industriale dhe bujqësore), shërbimeve dhe kapitalit garantohen në mënyrë të dyanshme. Përafrimi dhe zbatimi i legjislacionit që ndërlidhet me konkurrencën, prokurimin publik, të drejtat e pronës intelektuale, mbrojtjen e konsumatorit, metrologjinë, kushtet e punës, cilësinë e produkteve etj., do të mbikëqyret në mënyrë rigoroze. Praktikisht, MSA mund t’i ndihmojë atyre bizneseve që kanë kapacitete për të eksportuar në tregun e BE-së pa doganë dhe gradualisht pa kufizime sasiore. Edhe pse një regjim doganor asimetrik është në fuqi edhe sot, MSA e siguron këtë trajtim për 10 vitet e ardhshme, duke dhënë një arsye shtesë për investitorët e huaj të interesuar për të investuar në Kosovë. Në anën tjetër, qytetari i Kosovës nuk është që do të vërejë ndonjë efekt pozitiv të kësaj marrëveshje, sidomos gjatë viteve të para të zbatimit të saj.

Për fund, MSA-ja është më shumë se një marrëveshje e tregtisë së lirë. Ajo ofron një hartë të qartë për reforma politike dhe institucionale, si dhe rrugën e duhur për përafrimin e legjislacionit kosovar me atë të BE-së. Nëse do të shfrytëzohet si duhet nga Kosova, kjo marrëveshje mund të shërbejë si nxitës i zhvillimit ekonomik dhe reforma sistemike në vend.


Fatmir Curri – Drejtor i Programit, Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF)
_____
1 "should objective circumstances so permit" 

28 tetor 2015
10:08

Fatmir Curri

Sbunker pyet: Kosova ka nënshkruar MSA-në me BE-në. A nënkupton kjo zyrtarizim të marrëdhënieve tona kontraktuale me BE-në si shtet, apo asgjë nuk ndryshon në raportet Kosovë - BE?