Kampionia e valës së parë, Greqia, ngec në procesin e vaksinimit

18 tetor 2021 15:34

Ndoshta për shkak të euforisë që ka sjellë turizmi, si mundësia e vetë grekëve për t’i shijuar pushimet, ashtu edhe ndikimi pozitiv në ekonominë kombëtare, publiku i gjerë ka qenë i gatshëm t’i tolerojë numrat e rasteve ditore, mesatarisht mes 2,000 dhe 3,000 gjatë gjithë verës, dhe viktimat dyshifrore ditore duke u ngjitur në shifrën mbi 40 vdekje në shtator, gjë të cilën ekspertët e kanë përshkruar si "një autobus njerëzish që bien nga një shkëmb çdo ditë".

Pas mposhtjes me sukses të valës së parë të COVID-19, Greqia përmendej rregullisht si një shembull për trajtimin e pandemisë. Tani në valën e saj të katërt, mbulimi i ulët i vaksinimit po dëshmohet të jetë thembra e Akilit e vendit sa i përket mposhtjes përfundimtare të pandemisë.

Pas disa mbylljeve me masa të ndryshme (më e rrepta prej së cilave zgjati mbi pesë muaj deri në mesin e muajit prill 2021), qeveria greke njoftoi se po i heq të gjitha kufizimet, përfshirë orën policore gjatë natës dhe kufizimet sa u përket kapaciteteve në mjediset e brendshme për qytetarët e vaksinuar. Të pavaksinuarit janë ende subjekt i kufizimeve të hyrjes për shumicën e aktiviteteve në mjediset e brendshme, madje duhet të paguajnë vetë për testimin e tyre në vendin e punës.

Përditësimi i situatës

Midis fillimit të pandemisë SARS-CoV-2 në shkurt të vitit 2020 dhe 8 tetor 2021, Greqia ka regjistruar gjithsej 673,317 raste të konfirmuara të COVID-19 dhe 15,069 vdekje nga virusi në një popullsi prej afërsisht 10.5 milionë njerëz. Kjo e vendos vendin në pozicionin e 69-të në botë për rastet e konfirmuara në raport me popullsinë midis 200 njësive të monitoruara nga platforma Our World in Data dhe në pozitën e 49-të për vdekjet, të dyja këto pozita nën mesataren e BE-së. 

 
Image
 

Rastet ditore me COVID-19 (mesatarja 7-ditore).

Greqia aktualisht po lufton me valën e katërt të COVID-19. Shifrat ditore të rasteve në kulmin e kësaj vale janë rritur në krahasim me ato të mëparshmet, në disa periudha duke tejkaluar numrin prej 4,000 rastesh në ditë. Kjo është pjesërisht për shkak të dominimit të variantit më të transmetueshëm Delta gjatë verës dhe pjesërisht për shkak të rritjes së numrit të testimeve sistematike, të cilat kanë mundësuar zbulimin e më shumë rasteve.

Image
 

Rastet ditore të vdekjeve nga COVID-19 (mesatarja 7-ditore)

Në kohën e shkrimit të këtij artikulli, Greqia është një nga vendet me numrin më të madh të testimeve në botë, me 18.4 teste ditore për një mijë banorë, sipas të dhënave nga Our World in Data, duke u renditur e katërta në nivel global pas Qipros, Austrisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, ndërsa në fund të vitit 2020 po administronte vetëm 2 teste për mijë banorë. Numri i testimeve u rrit me futjen e testimit masiv në shkolla dhe në vendet e punës dhe kërkesën e certifikatave të vaksinimit kundër COVID-19 për udhëtime dhe aktivitete të tjera, të cilat u promovuan gjatë verës.

Vdekjet dhe hospitalizimet serioze nuk janë rritur me të njëjtin ritëm, një fakt që dëshmon për efikasitetin e vaksinave të cilat u prezantuan në fillim të vitit. Greqia, megjithatë, nuk ka qenë në gjendje të kontrollojë ndikimin e virusit në të njëjtën masë si vendet e tjera në Evropë. 

Image
 

Raste serioze hospitalizimi nga COVID-19 (pacientë të intubuar, mesatarja 7-ditore).

Burimi: Të dhëna zyrtare të qeverisë greke për COVID-19, të marra më 8 tetor 2021.

Vendi u citua si një nga historitë e suksesshme të trajtimit të valës së parë falë ekspozimit të ulët dhe zbatimit të shpejtë të masave. Deri në fund të vitit 2020, norma e vdekjeve nga COVID-19 ishte pak mbi gjysmën e mesatares së BE-së. Që nga fillimi i vitit 2021, norma e vdekjeve tejkaloi mesataren e BE-së dhe është 60% më e lartë për të njëjtën periudhë sesa ajo e Suedisë, e cila, siç e dimë, nuk miratoi masa për mbylljen e vendit (Greqia kaloi katër muajt e parë të vitit nën një mbyllje të rreptë).

Image
 

Vdekjet totale për 1 milion banorë, para dhe pas procesit të vaksinimit kundër COVID-19, në Greqi, BE dhe vendet fqinje. Burimi: Our World in Data.

Më shumë se dy të tretat e vdekjeve ndodhën në nëntë muajt pasi vaksinat ishin në dispozicion, krahasuar me njëmbëdhjetë muajt e mëparshëm.

Ndërsa disa faktorë janë qartë në lojë, përfshirë miratimin dhe respektimin e parregullt të masave të shëndetit publik dhe një sistem të dobët të kujdesit shëndetësor, Greqia nuk ka arritur të përdorë plotësisht bollëkun e vaksinave të disponueshme për t’i shtypur efektet më serioze të COVID-19, krahasuar me mënyrat siç e kanë bërë vendet evropiane.

Liria e paarritshme

Greqia nuk e arriti objektivin e BE-së për të vaksinuar 70 për qind të popullsisë së rritur deri në fund të verës (BE-ja në tërësi gjithashtu nuk ia doli ta arrijë objektivin e përgjithshëm pavarësisht disa përjashtimeve të dukshme që provojnë se ishte e mundur). Ajo gjithashtu nuk arriti që deri në verë të bëjë përparim të rëndësishëm në objektivin e saj për të administruar dozën e parë te shumica e njerëzve mbi 60 vjeç.

Deri më 8 tetor, pak më shumë se 60 për qind e popullsisë kishin marrë dozën e parë, kurse 58 për qind ishin plotësisht të vaksinuar, sipas të dhënave të ECDC-së. Në të gjithë BE-në, 68% e popullsisë kanë marrë një dozë dhe 63 % janë plotësisht të vaksinuar. Sipas vlerësimit më të fundit të rrezikut të shpejtë të ECDC-së, rënia nën këto nivele, siç është rasti me Greqinë, do të thotë se vendi është ende në rrezik të përjetojë një rritje të konsiderueshme të rasteve, hospitalizimeve dhe vdekshmërisë gjatë vjeshtës dhe dimrit.

Situata është edhe më shqetësuese për grupmoshat më të vjetra, më të rrezikuara, ku një pjesë e konsiderueshme e popullsisë është e pavaksinuar, dhe Greqia mbetet shumë mbrapa në krahasim me vendet e tjera. Në fund të shtatorit, mbulimi me një dozë të grupmoshës mbi 80 vjeç është 74%, që do të thotë se një në katër në grupmoshën më të vjetër mbetet i pavaksinuar (krahasuar me normën e vaksinimit prej 100% në shtatë nga vendet e tjera evropiane dhe 86.5% në nivel të BE-së). Për grupmoshat 70-79 vjeç, mbulimi i vaksinimit është në 83 për qind (krahasuar me shifrën në nivel të BE-së prej 88 për qind) dhe për grupmoshat 60-69 vjeç, mbulimi është 80 për qind (krahasuar me 85 për qind në nivel të BE-së). Portugalia, me të cilën Greqia krahasohet në mënyrë rutinore për shkak të ngjashmërisë në madhësinë e popullsisë dhe shkallës ekonomike, ka vaksinuar 100% të qytetarëve të saj mbi moshën 60 vjeç.  

Programi i vaksinimit "Operacioni Liria" i Greqisë mbajti ritmin me pjesën tjetër të BE-së deri në fillim të verës, por norma ditore e vaksinimit ra në mënyrë të shpejtë nga mesi i qershorit e tutje, prej mbi 100.000 doza në ditë në normën aktuale prej rreth 25.000 sosh. Në anën tjetër, vendet evropiane që udhëheqin sa i përket popullsisë së vaksinuar, si Portugalia dhe Irlanda, përshpejtuan administrimin e vaksinave gjatë muajve të verës. 

Ndërsa zyrtarët qeveritarë shmangin me kujdes përdorimin e fjalës "dështim" dhe vazhdojnë ta mbrojnë vaksinimin, tani po pranohet gjerësisht se Greqia po hyn në vjeshtë me shifra vaksinimi shumë nën nivelet e sigurta.

Për më tepër, sondazhet sugjerojnë se vetëm një pjesë e vogël e popullsisë së pavaksinuar është e gatshme të vaksinohet në të ardhmen e afërt (për shembull, në sondazhin e fundit vetëm 2 për qind e të anketuarve thanë se kishin aplikuar për vaksinim).

Boshllëqe, gryka të ngushta dhe llogaritje të gabuara

Disa faktorë mund të kenë ndikuar në ngecjen e programit të vaksinimit, por autoritetet nënvlerësuan që në fillim shkallën e hezitimit të publikut për t'u vaksinuar dhe, si rezultat, nuk e hartuan fushatën e tyre në mënyrë të përshtatshme. Një studim shkencor i botuar para fillimit të vaksinimit në Greqi zbuloi se pothuajse gjysma e popullsisë së rritur ishte në mëdyshje sa i përket vaksinimit kundër COVID-19, dhe veçanërisht të rinjve, të cilët informacionin e marrin nga mediat sociale dhe burime jozyrtare, dhe njerëzit që mbështesin teorinë se virusi ishte krijuar nga njeriu.

Strategjia e vaksinimit, megjithatë, edhe pse logjistikisht pothuajse pa të meta, nuk përfshinte një element bindës dhe të fortë, ndërsa fushata e informacionit publik ishte shumë e orientuar drejt mediave tradicionale të favorizuara nga grupet që ishin bindur tashmë. Për më tepër, procesi i aplikimit për vaksinë ishte pothuajse tërësisht digjital, një arritje për t'u përshëndetur me të drejtë si pjesë e "transformimit digjital" të Greqisë, por në dukje duke shpërfillur nivelet e ulëta të edukimit digjital të popullatës së përgjithshme.

Sondazhet e kryera kohët e fundit konfirmojnë pikat e dobëta në fushatë dhe tregojnë se autoritetet nuk arritën të përshtatnin qasjen e tyre në mënyrë të mjaftueshme gjatë muajve për të intervenuar. Një sondazh i publikuar në gusht nga Kapa Research krahasoi qëndrimet midis qytetarëve të vaksinuar dhe të pavaksinuar, dhe gjeti dy botëkuptime të ndara skajshmërisht: të pavaksinuarit kishin më shumë gjasa të informoheshin nga mediat sociale dhe treguan besim shumë më të ulët në institucionet publike, me përjashtim të mediave sociale dhe kishës.

Pas përsëritjes së masave të valës së parë të COVID-19 në vitin 2020, autoritetet u predikuan të konvertuarve, por shumë pak përpjekje u bënë për t’i identifikuar dhe bindur personat që kanë dyshim.

Zhgënjimi i qeverisë për normat e ulëta të vaksinimit, që u bë i dukshëm me kalimin e verës, gjeti një zgjidhje në prezantimin e një mandati vaksine për punonjësit në sistemin e shëndetësisë dhe lejet COVID për shumicën e aktiviteteve në mjedise të brendshme. Ndërsa kjo mund të ketë zgjidhur probleme shumë të lokalizuara (p.sh., parandalimin e mbushjeve të spitaleve, duket se ka ngjallur pakënaqësi më të gjerë shoqërore. Në atë kohë u theksua se qeveria zgjodhi t’i injorojë rekomandimet e komitetit të saj për etikën mjekësore, e cila e kishte këshilluar që t’i shteronte të gjitha rrugët e konsultimit dhe edukimit para se të bënte vaksinimin e detyrueshëm në spitale.

Përtej profesioneve të shëndetësisë, reagimi ndaj presionit për t'u vaksinuar përmendet ndër tri arsyet kryesore për ta shmangur vaksinën, së bashku me shqetësimet në lidhje me efektivitetin dhe sigurinë e vaksinave. Ndërsa protestat kundër mbylljeve dhe kundër vaksinimit kishin qenë të rralla dhe me pjesëmarrje të dobët në Greqi, mandati i vaksinës nxiti tubimet e para të organizuara, me sa duket të promovuara nga grupe kuazi-fetare dhe ultra-nacionaliste që bënin thirrje për mosbindje të përgjithshme civile.

Gjithashtu ka munguar një konsensus i qartë politik pasi pandemia kishte përparuar dhe opozita kishte identifikuar dobësi në qeverisje. Ndërsa vetëm partia e ekstremit të djathtë, Zgjidhja Greke, një nga më të voglat në parlament, mbajti një qëndrim haptazi skeptik ndaj vaksinës, partia kryesore e opozitës, SYRIZA, e krahut të majtë, lejoi ish-zëvendësministrin e saj të Shëndetësisë për muaj me radhë të shkonte në evente kundër vaksinimit para se të disiplinohej nga udhëheqja e partisë. Në mënyrë të ngjashme, Kisha e fuqishme dhe me ndikim e Greqisë ka toleruar mesazhe të ndryshme nga radhët e saj mbi temën e pandemisë dhe vaksinimit.

Image

Burimi: Bestravelvideo / Shutterstock.com

Diferencat rajonale në normat e vaksinimit, të cilat për fat të keq u bënë të dukshme përmes përhapjes së lokalizuar të rasteve në Kretë gjatë verës dhe në Greqinë Veriore aktualisht, nxjerrin në pah një dobësi tjetër të vaksinimit; faktin se në pjesën më të madhe vaksinimi ishte centralizuar dhe drejtuar nga Athina. Ndërsa përpjekjet më proaktive lokale, që përfshijnë një sërë taktikash bindëse dhe figura vendase të besuara, kanë treguar njëfarë suksesi, në përgjithësi ka pasur mungesë imagjinate dhe angazhim të tepruar në strukturat burokratike më të rënda, të cilat tradicionalisht karakterizojnë shtetin grek.

Rritja e turizmit

Një nga zhvillimet e papritura të vitit të kaluar ka qenë suksesi surprizë e sezonit turistik. Me gjithë shpërthimet e rasteve me COVID-19 në zonat turistike të mbipopulluara, përfshirë një zonë mjaft serioze në Kretë, e cila kërcënoi të gjunjëzonte sistemin shëndetësor rajonal, rreziku i qeverisë për hapjen e kufijve, heqjen e kufizimeve për udhëtimet ndër-rajonale dhe shumicën e aktiviteteve të kohës së lirë duket se ishte më i suksesshëm sesa përpjekja e kufizuar në vitin 2020 – të paktën në aspektin ekonomik.

Në fillim të sezonit veror, qeveria dhe industria e turizmit kishin vënë objektivin për të arkëtuar gjysmën e të ardhurave para pandemisë nga ky sektor, që në atë kohë dukej shumë ambicioz. Shifrat e fundit nga Banka e Greqisë sugjerojnë se objektivi prej 8-9 miliardë eurosh do të arrihet shumë para fundit të vitit, ndërsa rezervimet e fluturimeve dhe akomodimit sugjerojnë që vizitorët do të vazhdojnë të vijnë edhe në vjeshtë, pas përfundimit të sezonit tradicional të turizmit. Këto zhvillime pozitive i kanë lejuar qeverisë të përmirësojë pritshmëritë e saj sa i përket rritjes ekonomike për vitin 2021 nga 3.6% në 6.1% të PBB-së.

Ndoshta për shkak të euforisë që ka sjellë turizmi, si mundësia e vetë grekëve për t’i shijuar pushimet, ashtu edhe ndikimi pozitiv në ekonominë kombëtare, publiku i gjerë ka qenë i gatshëm t’i tolerojë numrat e rasteve ditore, mesatarisht mes 2,000 dhe 3,000 gjatë gjithë verës, dhe viktimat dyshifrore ditore duke u ngjitur në shifrën mbi 40 vdekje në shtator, gjë të cilën ekspertët e kanë përshkruar si "një autobus njerëzish që bien nga një shkëmb çdo ditë”. Euforia shkon deri këtu. Megjithatë, kombinimi i zvogëlimit të programeve të mbështetjes pandemike, rritja e inflacionit dhe frika nga një rritje e rasteve me COVID-19 në dimër po çojnë në pakënaqësi dhe pesimizëm.

Drejt një dimri pakënaqësie

Sondazhet tani zbulojnë rregullisht se më shumë se gjysma e grekëve janë të pakënaqur me mënyrën se si qeveria ka trajtuar pandeminë – për shembull, sondazhi i fundit nga Metron Analysis për Mega TV tregon pakënaqësinë në këtë fushë me një normë rekorde prej 53 për qind. Dhe ndërsa qeveria konservatore e Demokracisë së Re mbetet e pasfiduar dhe thuhet se po konsideron zgjedhje të parakohshme për të fituar një mandat tjetër, vlerësimet e përgjithshme për kompetencën e saj po bien (51 për qind prej tyre besojnë se vendi po shkon në drejtimin e gabuar, krahasuar me 38% që kanë një opinion pozitiv). Paketa e shpallur kohët e fundit prej 3.5 milionë euro për shkurtimet e taksave dhe masat mbështetëse u pritën sheshtë nga votuesit.

Qeveria me kokëfortësi refuzon ta pranojë përgjegjësinë për çdo hap të gabuar. Ky është rasti si për pandeminë, ashtu edhe për zjarret katastrofike të pyjeve që shkatërruan vendin në muajin gusht. Sidoqoftë, përmes një seri lëvizjesh javët e fundit, të gjitha fytyrat e fushatës pandemike janë hequr nga skena qendrore. Këto përfshijnë ministrin e Shëndetësisë, Vassilis Kikilias, zëvendësministrin e Mbrojtjes Civile, Nikos Hardalias, i cili ishte përgjegjës për zbatimin e masave të mbylljes pandemike, dhe së fundmi kreun e Organizatës Kombëtare të Shëndetit Publik EODY, autoriteti përgjegjës për mbikëqyrjen dhe testimin epidemiologjik. Gjithashtu thuhet se edhe Komiteti këshillues i Qeverisë për pandeminë do të përjetojë një tronditje.

Ndërsa narracioni zyrtar sugjeron se këto ndryshime sinjalizojnë fillimin e një "kthimi në normalitet" pas pandemisë, provat epidemiologjike sugjerojnë se një interpretim i tillë është i parakohshëm dhe publiku duket gjithashtu i pa bindur. Ndërsa zëdhënësi i qeverisë kohët e fundit përsëriti pohimin se nuk do të ketë më mbyllje siç kemi pasur më parë, katër në dhjetë grekë si duket mendojnë se me shumë gjasë do të ndodhë një mbyllje e re e përgjithshme. 

Nëse historia është një udhërrëfyes, dyshimet e tyre mund të mos jenë të pabaza.

Teksti është pjesë e iniciative “Histori nga rajoni” që zbatohet nga Res Publica dhe Instituti për Studime të Komunikimit nga Maqedonia, në bashkëpunim me partnerët nga Mali i Zi (PCNEN), Kroacia (Lupiga), Kosova (Sbunker), Serbia (Autonomija), Slloveni (DKIS), Bosnja dhe Hercegovina (Analiziraj.ba) dhe Greqia (Macropolis), në kuadër të projektit "Bashko pikat: politika të përmirësuara përmes pjesëmarrjes qytetare " me mbështetjen e Ambasadës Britanike në Shkup.

18 tetor 2021
15:34

Georgia Nakou