Dështimi i Bullgarisë në vaksinimin kundër KOVID-19: rreziqe të mëdha, rezultate mediokre

13 prill 2021 13:38

Programi i vaksinimit i Bullgarisë mund të konsiderohet veç si një dështim. Kjo mund të jetë pasojë e një numri faktorësh - organizimit të dobët, paaftësisë dhe konfliktit të mundshëm të interesit. Nga ana tjetër, drama e cila po zbërthehet tani, nuk duhet të na habisë. Bullgaria është e dyta në BE për nga numri i vdekjeve për kokë banori në bazë të statistikës javore dhe e fundit në BE për nga numri i vaksinave të administruara për kokë banori.

Në një artikull publik të kohëve të fundit nga bordi editorial i Wall Street Journal, shpërndarja e vaksinave të BE-së kundër Kovid-19 është quajtur një dështim. Sidoqoftë, nëse vështrojmë Bullgarinë, anëtarin më të varfër dhe më të korruptuar të BE-së, do të shohim një katastrofë. Ndërsa përgjigja e vaksinimit të BE-së ka qenë e vakët, procesi i shpërndarjes së vaksinave u duk se ishte e drejtë për të gjitha vendet anëtare. Dozat e para të vaksinave që i siguroi, BE-ja i shpërndau bazuar në numrin e banorëve të secilit shtet anëtar. Sidoqoftë, Bullgaria nuk i pranoi të gjitha dozat e caktuara. Pse ndodhi kjo? A po i vihej një çmim jetëve të bullgarëve? A qe ky një konflikt interesi apo një rast i pastër paaftësie? Le ta shtjellojmë më hollësisht!

Vaksinat e disponueshme në BE

BE-ja ka siguruar 2.6 miliardë doza vaksinash nga 6 prodhues të ndryshëm që nga 16 marsi i vitit 2021 dhe 4 prej tyre (1.86 miliardë doza) janë aprovuar për përdorim brenda BE-së. Ka edhe të paktën 4 vaksina të tjera që janë aprovuar për përdorim në të paktën një vend në botë. Ekzistojnë 4 lloje kryesore të vaksinave - mRNA, adenovirus (vektor viral)- të bazuara në proteina, dhe vaksina të bazuara në një virus inaktiv. Llojet e vaksinave mRNA janë zhvilluar dhe prodhuar nga Pfizer/BioNTech, Moderna dhe CureVac. Ky lloj i vaksinës është i bazuar në një teknologji të avancuar “[që] nuk ishte aprovuar kurrë ndonjëherë para pandemisë”.

Vaksinat e bazuara në adenovirus/vektor viral, të zhvilluara nga AstraZeneca, Johnson&Johnson/Janssen Pharmaceuticals, Gamaleya’s Sputnik V dhe CanSino Biologics, përdorin një qasje relativisht të re, e cila megjithatë, ka qenë e testuar tashmë në luftën kundër pandemisë  Ebola. Vaksinat e bazuara në proteina të Novavax dhe Sanofi-GSK janë ende në fazat e vona të zhvillimit. Metoda më tradicionale e vaksinës është ajo e virusit inaktiv e përdorur në kompaninë shtetërore kineze Sinopharm, Sinovac Biotech të Kinës dhe Bharat Biotech të Indisë.

Çështja e çmimeve

Ndërsa çmimet e sakta që furnizuesit e ndryshëm të vaksinave i kanë negociuar me BE-në janë ndoshta sekreti më i mirë i ruajtur në BE, burime të ndryshme kanë llogaritur një gamë çmimesh nga të dhënat publike dhe gjysmë-publike. Në tabelën e mëposhtme mund t'i shihni të dhënat e grumbulluara nga The Economist dhe The Financial Times. Një cicërimë e fshirë menjëherë nga sekretarja e buxhetit e shtetit belg, Eva De Bleeker, zbulon edhe më shumë.

Image
 

Është e kuptueshme që një vend anëtar i ndjeshëm ndaj çmimit të caktojë shumën maksimale të mundshme nga dozat më të lira, por a ka kuptim të ketë furnizim të plotë dhe të mos ketë furnizim të dy vaksinave me çmim të barabartë, të cilat në kohën e shpërndarjes ishin ende duke u rishikuar dhe nuk kishte garanci nëse asnjë, një ose dy prej tyre do të aprovohen?

Ndërsa vaksinat e mRNA duken të “mbivlerësuara” krahasuar me llojet e tjera të mundshme, ato ishin të parat që u aprovuan dhe u shpërndanë në të gjithë kontinentin. E tërë ideja për të pasur një portofol të madh të vaksinave të ndryshme ishte minimizimi i rrezikut që një vaksinë e vetme të ketë "probleme" me logjistikën ose performancën dhe gjithashtu të ekuilibrojë çmimin mesatar të gjithë portofolit. Pse atëherë Bullgaria vendosi të shpërfillë praktikën e miratuar dhe të vendosë të gjitha vezët e saj në një shportë?  

Bazuar në llogaritjet e mia dhe të dhënat në dispozicion në këtë fazë, unë kam krijuar një pasqyrë të përafërt të çmimit të portofoleve të vaksinave të BE-së dhe Bullgarisë. Nëse portofoli i BE-së kushton rreth 11 EUR për dozë, i Bullgarisë do të ishte 9 EUR për dozë. Unë mendoj se "kursimet" prej 2 euro për dozë (18%) janë tregues i çmimit që qeveria bullgare u kishte vënë qytetarëve të saj. Këto janë kursimet nga zgjedhja e një portofoli me vaksina kryesisht më të lira në vend të një portofoli të ekuilibruar nga të gjitha vaksinat e disponueshme.

Image
 

Si u kthye shpërndarja e ekuilibruar e BE-së në një pozicion të përqendruar në Bullgari?

Bullgarisë iu caktuan 1.55% (indeksi i popullsisë së Bullgarisë në raport me popullsinë e BE-së) e të gjitha dozave të vaksinave të negociuara. Së pari, Bullgaria nuk kërkoi të gjitha dozat e caktuara që i takojnë nga Moderna dhe Pfizer/BioNTech, por ajo kërkoi pothuajse maksimumin e vaksinave të AstraZeneca. Bullgaria gjithashtu kërkoi të gjitha sasitë e disponueshme nga Sanofi/GSK, e cila nuk është aprovuar ende. Për më tepër, Bullgaria refuzoi të gjitha vaksinat e caktuara nga Johnson&Johnson/Janssen Pharmaceuticals, vetëm pasi që zyrtarisht iu kërkua të rinegocionte këtë vendim dhe më pas të blinte vaksinat nga qeveria suedeze.

Është vlerësuar se Bullgaria "bleu" paraprakisht rreth 13 milion doza (Tabela e shpërndarjes BE, BG). Blerja sakaq u rrit në 18.6 milion doza. Sidoqoftë, BE-ja i ka caktuar Bullgarisë 42.8 milion doza. Përkundër mungesës së transparencës së plotë, mund të shihet nënvlerësimi i dy vaksinave që ishin më afër aprovimit (në dhjetor të vitit 2020) dhe mbivlerësimi i vaksinave ende të paaprovuara nga Sanofi/GSK. Duke pasur në dispozicion një plan të ekuilibruar të shpërndarjes, Bullgaria zgjodhi të përqendrohej në një vaksinë me afër 40% dhe të zgjidhte vetëm një prej vaksinave të vektorëve viralë që ishin në dispozicion (para marrëveshjes me Suedinë).

Image
 

[Tabela e shpërndarjes/furnizimit EU, BG, BG]

Dështimi i Bullgarisë

Mungesa e informacionit publik në lidhje me çmimet është disi e kuptueshme në nivelin e BE-së, njëherësh edhe në nivelin kombëtar. Sidoqoftë, Komisioni Evropian ka qenë i drejtpërdrejtë pasi vazhdon të zbuloj informacione në lidhje me procesin e shpërndarjes. Në Bullgari, përkundrazi, i gjithë procesi i shpërndarjes është i shoqëruar me mistere. Publikimet e herëpashershme të informacionit për publikun zakonisht shoqërohen me një katastrofë të madhe ose shfaqjen e konfliktit të perceptuar të interesit, si me rastin e vaksinës AstraZeneca Bullgari.

Image
 

Burimi: balkaninsight.com

Në një intervistë për Televizionin Kombëtar Bullgar më 14 janar 2021, drejtori i Qendrës Kombëtare të Sëmundjeve Infektive dhe Parazitare deklaroi se Bullgaria kishte porositur kryesisht vaksinën AstraZeneca (01:43:30). Drejtoresha ekzekutive e AstraZeneca në Bullgari është Zoya Paunova, njëra nga themelueset e partisë GERB të Borisov e cila është gjithashtu nëna e eurodeputetes Eva Maydell (Paunova), e cila poashtu është nga radhët e partisë GERB. Shoqata “Free Europe Bulgaria” dhe aktivistët e shoqërisë civile kanë bërë pyetjen nëse vendimi për të favorizuar furnizimin me AstraZeneca është i bazuar në këto relacione. Mund të jetë vetëm një paraqitje e konfliktit të perceptuar të interesit, por kjo është e mjaftueshme për të vënë në dyshim të gjithë procesin e furnizimit me vaksina në Bullgari. Vijimi i shqetësimeve në lidhje me sigurinë e vaksinës AstraZeneca e cila u shfaq në mediat  ndërkombëtare, vetëm ndezi zemërimin e mëtejshëm ndër qytetarët e Bullgarisë, dhe kontribuoi në një krizë besimi në programin e qeverisë.

Nga llogaritjet e mia (Tabela e furnizimeve), duket se "plani" origjinal i qeverisë bullgare ishte të porosiste pjesë të barabarta të vaksinave të bazura në proteina dhe me vektorë virale, gjegjësisht 40% nga secila, dhe 20% nga vaksinat mRNA. Mu desh ta përjashtoja Novavax nga llogaritjet sepse ende nuk është arritur ndonjë kontratë me ta. Është interesante të përmendet se plani origjinal ishte që të gjitha vaksinat me vektor viral të ishin vetëm nga një ofrues - AstraZeneca. Pas kërkesës së BE-së dhe marrëveshjes me Suedinë, furnizimi i ri "duket" më i ekuilibruar me 33% të shpërndarjes nga secili lloj i vaksinave. Sidoqoftë, në një nivel më të gjerë të BE-së, furnizimi është dukshëm i ndryshëm me 50% të shprëndarjes së vaksinave mRNA, 30% të vaksinave me vektor viral dhe 20% të atyre me bazë proteine. Ky plan furnizimi është aktual që nga marsi i vitit 2021 dhe pritet të ndryshojë me zbulimin e informacioneve të reja. Plani i furnizimit mund të jetë bazuar në faktin se vaksinat mRNA ishin të parat që u aprovuan për përdorim në të gjithë BE-në, ndërsa vaksinat e bazuara në proteina janë ende në fazat e vona të zhvillimit.

Image
 
[Tabela e furnizimit sipas llojeve]
 

Strategjia bullgare e vaksinimit u shpall më 7 dhjetor 2020 përmes Vendimit 896 nga Këshilli i Ministrave. Duket se mungesa e planifikimit dhe organizimit ishte normë që nga fillimi. Shpjegimi që Ministri i Shëndetësisë i dha parlamentit për kërkesën për shpërndarje jo optimale të vaksinave  mRNA ishte se ato vaksina kërkonin kushte specifike që ishin të paarritshme pa një organizim të mirëfilltë. A po e pranonin se vendi nuk ishte i përgatitur? Në të njëjtën kohë, kur BE-ja rriti furnizimin me vaksinat mRNA, qeveria bullgare zgjodhi të prokurojë më shumë vaksina mRNA. Kjo mund të vëzhgohet si një përzgjedhje kaotike që mund të shpjegohet me frikën e njohjes së një konflikti interesi, për të cilin shumë dyshojnë, ose si një paaftësi e pastër.

Një seri vendimesh konfliktuoze dhe informacione kontradiktore që erdhën nga qeveria nuk ndihmuan të bindnin qytetarët për të kundërtën. Për shembull, një "Korridor i Gjelbër" u prezantua pa një analizë të thukët dhe më pas u mbyll me ngut. Ideja pas "Korridorit të Gjelbër" ishte që të lejojë çdo qytetar, madje pa një rezervim, të vaksinohet në disa prej qendrave të vaksinimit.  Në të njëjtën kohë, qytetarëve "u është ofruar" zgjedhja e vaksinës së preferuar. Pak prej atyre që u përpoqën  të përfitonin nga ky opsion, u njoftuan se kishte vetëm një zgjedhje -  vaksina AstraZeneca.

Ku jemi tani? Të fundit për nga vaksinimi në BE!

Duke marrë parasysh këtë kontekst, rezultatet janë të qarta - që nga 9 prilli i vitit 2021, Bullgaria është vendi i 3-të sipas numrit të përgjithshëm të vdekjeve nga KOVID-19 në BE, në raport me popullsinë e saj. Po nga e njëjta datë, Bullgaria është në vendin e 2-të në BE për nga vdekjet e reja të konfirmuara për milion njerëz, sipas statistikave javore. Në të njëjtën kohë, Bullgaria ishte e fundit në BE për nga numri i dozave të vaksinave të administruara në 100 njerëz. Edhe pse kemi arritur në fund të humnerës, kjo si duket nuk po e "lëkund" anijen qeveritare të Borisov-it.

 
Image

 

Kush do të marrë përgjegjësinë për këtë dështim?

Është tipike për qeverinë bullgare që kurrë të mos marrë përsipër përgjegjësi për veprimet dhe mosveprimet e saj dhe të gjejë një dele kurban nga diku tjetër. A do të jetë ky kurban Komisioni Evropian? Borisov ka provuar t’ia veshë fajin dikujt tjetër edhe në të kaluarën. Për mua, është e qartë se mungesa e organizimit, e cila duket se është në kufijtë e paaftësisë së pastër, dhe dështimi i plotë në komunikimin e duhur me qytetarët bullgarë dhe partnerët e Bullgarisë në BE, janë shkaqet kryesore të fushatës katastrofike të vaksinimit në Bullgari.

Image
 

Sigurisht, Borisov pretendon se ai po e menaxhon pandeminë "në mënyrën më të mirë të mundshme" dhe Ministrja e Jashtme Zaharieva pohon se "bota po flet për modelin bullgar të menaxhimit të krizës", por mesazhe të tilla të konceptuara për konsum të brendshëm mund të dekonspirohen lehtë nga të dhënat. Ajo që i duhet Bullgarisë tani është një task forcë më e mirë dhe më e kualifikuar, e cila mund të ngrihet deri në sfidën e adresimit të mangësive të programit aktual.

Edicioni i katërt i projektit “Histori nga rajoni” zbatohet nga Res Publica dhe Instituti për Studime të Komunikimit (ISK), në bashkëpunim me partnerët tanë nga Kroacia (Lupiga), Kosova (Sbunker), Serbia (Ne davimo Beograd), Bosnja dhe Hercegovina (analiziraj.ba), Mali i Zi (PCNEN), Bullgaria (Sega.bg) dhe Greqia (Macropolis).

13 prill 2021
13:38

Vladimir Atanasov