07 prill 2021
09:00

Numri i të infektuarve dhe i rasteve të vdekjes është rritur ndjeshëm kohëve të fundit, dhe situata epidemiologjike në vend është kritike. Megjithatë, Komisioni për Sëmundje Infektive nuk planifikon të rekomandojë masa shtesë parandaluese për momentin, duke ngritur dilemën nëse shëndetësia apo ekonomia kanë përparësi në këtë pandemi.
Marrëveshjet me prodhuesit
Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut ra dakord për 833 mijë doza të vaksinës AstraZeneka përmes sistemit KOVAKS, 800 mijë doza nga Pfizer dhe nga 200 mijë doza Sinofarm dhe Sputnik V. Njoftimi i fundit nga Qeveria është se do të prokurohen edhe 500 mijë doza Sinovak.
Megjithëse OBSH-ja i vlerësoi si vetëshkatërruese, këto marrëveshje ishin një kanal përmes të cilit shtetet siguruan qasje të hershme në vaksinat. Shtetet, ndër të tjera, ranë dakord për çmime më të larta të furnizimit, duke lehtësuar prodhuesit nga përgjegjësia për efektet anësore, dhe pa garantuar një datë të dorëzimit për vaksinat. Në rastin tonë, të dhënat për kushtet e kontratës janë të panjohura. Ajo që është e dukshme është se negociatat me prodhuesit shteti i filloi vonë krahasuar me vendet e tjera. Sipas deklaratave, vendi i hyri negociatave në muajin dhjetor dhe i dërgoi kërkesë për një ofertë Pfizer-it menjëherë pas autorizimit nga Agjencia Evropiane e Barnave (AEB).
Për dallim nga ne, një numër vendesh kanë arritur marrëveshje paraprake me këto kompani, shumë më herët se Qeveria jonë të hyjë në bisedime. Serbia një marrëveshje të tillë e kishte nënshkruar në muajin nëntor dhe pikërisht nga kjo porosi siguroi edhe vaksinat e para për Republikën e Maqedonisë së Veriut. Покрај вакцините од Фајзер, на крајот на март во државава пристигнаа дополнителни дози на Спутник В, повторно донација од Србија. Përveç vaksinave Pfizer, në vendin tonë gjatë muajit mars arritën doza shtesë të Sputnik V, përsëri një donacion nga Serbia. Ndërsa qeveria këmbëngulë vazhdimisht se do të sigurojë vaksinat e rëna dakord direkt me prodhuesit, shumica e vaksinave që ka në dispozicion Maqedonia erdhën si donacion pikërisht nga Serbia. Respektivisht, 10 mijë doza më shumë se ato që mbërrijtën si rezultat i marrëveshjeve të lidhura nga qeveria me mekanizmin KOVAX dhe me prodhuesit.
Furnizim i pasigurt me vaksina, ulje e besimit në institucione
Fakti që Maqedonia si një anëtare e NATO-s dhe një vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian ka mundësi më të mëdha për të negociuar dhe siguruar vaksina, dhe nuk arriti ta bënte këtë me kohë, ka bërë që qytetarët e Maqedonisë të kërkojnë masivisht një zgjidhje në vende si Serbia fqinje. Kjo paraqet një disfatë të madhe për qeverinë maqedonase në luftën e saj kundër pandemisë. Përveç kësaj, thashethemet publike se zyrtarët qeveritarë tashmë janë vaksinuar, të cilat më pas u mohuan nga qeveria, tregojnë se edhe po të ishin lajme të rreme, ato lehtësisht u kalojnë qytetarëve, sepse besimi i qytetarëve në institucione është në "këmbë qelqi".
Problemi i mungesës së besimit në institucione nuk është i ri dhe madje as autoritetet shëndetësore (në veçanti) nuk po ndihmojnë në zgjidhjen e situatës. Nga deklarata e parë që “u arrit një marrëveshje direkte me Pfizer” (30.12.20), deri tek deklarata se “marrëveshja është definuar këtë mëngjes”(04.01.21), dy javë pas deklaratës së parë, për t'u pasuar nga një deklaratë nga Ministri i Shëndetësisë se “kontratën do ta përfundojmë për një kohë të shkurtër“ (16.01.21), ka kaluar kohë e konsiderueshme gjë që nuk mund të mos lë dyshime se diçka nuk është në rregull me të gjithë situatën.
Premtime boshe
Më pas pasuan disa "njoftime" të tjera, së pari se qeveria është në fazën përfundimtare të bisedimeve të drejtpërdrejta me Pfizer (27.01.21), pastaj që projekt-marrëveshja duhet të arrijë “javën e ardhshme” (11.02.21), dhe deklarata e dy javëve më vonë se “çështjet e kontratës janë në finalizim e sipër” (26.02.21). Ministri i shtoi kësaj deklarate pohimin se ky informacion duhet të merret me rezervë, por pas disa deklaratave të tilla konfuze në një periudhë kaq të shkurtër, është logjike që qytetarët të dyshojnë se diçka ndoshta nuk është në rregull.
Një situatë tjetër që ngre dyshime në lidhje me procesin e vaksinimit dhe imunizimit, dhe kështu mosbesim shtesë institucional, është furnizimi me vaksinën kineze. Pasi dolën zërat se qeveria kineze kishte kthyer paradhënien sepse qeveria maqedonase kishte përfshirë një kompani fantazmë nga Hong Kong-u, pasuan disa deklarata që hedhën poshtë ose konfirmuan këto zëra, së pari nga Kryeministri i cili tha se u përdor një kompani private si një ndërmjetës në prokurimin e vaksinave. Kjo ishte arsyeja që Kina ktheu paradhënien, por mohoi çdo abuzim të mundshëm me prokurimin.
Më vonë Ministria e Shëndetësisë deklaroi se “këto janë vetëm spekulime” duke shtuar se “vendi ynë ka një kontratë për 200.000 vaksina nga Sinofarm, një prodhues kinez i vaksinave kundër Kovid 19 dhe se vaksinat do të mbërrijnë së shpejti në vendin tonë”. Kështu potencoiu Ministrja e Mbrojtjes, e cila megjithatë i konfirmoi spekulimet e paralajmëruara fillimisht, duke thënë “ne mund edhe të mos tregonim për paradhënien e kthyer, por donim të ishim transparentë”, gjë që në fund nuk ndihmoi për të sqaruar gjërat deri në fund dhe çoi në një konfuzion edhe më të madh në mesin e popullatës. Nuk mund ta dimë pse një qeveri do të furnizohej nëpër kanale të tilla prokurimi, por padyshim që kjo ngre dyshime dhe minon besimin tek institucionet.
Dyshim në qëllimet e Qeverisë
E ngjashme është situata edhe me furnizimin e vaksinës Sputnik V. Ambasada Ruse ka dërguar disa njoftime në lidhje me disponueshmërinë dhe mundësinë e marrjes së vaksinës. Njoftimin e parë Ambasada e ka dërguar më 18 gusht 2020 te Ministri i Shëndetësisë, kurse më 25 shtator të të njëjtit vit ka dërguar edhe një shkresë nga Fondi Rus i Investimeve Direkte. Shkresa i ishte adresuar kryetarit të Komitetit Kombëtar të Imunizimit, por nuk gjeti përgjigje nga autoritetet tona.
Burimi: slobodnaevropa.mk
Kjo tregon edhe më shumë qasjen joserioze të qeverisë ndaj kësaj çështje kryesore për trajtimin e pandemisë. A mos vallë qeveria e "mbivlerësoi" aftësinë e saj për të blerë vaksina ose e ka lënë atë të mbështetet plotësisht te të tjerët pa bërë një plan B? Sido që të jetë, të dy opsionet janë njësoj të këqija. Përgjigja e autoriteteve, përkatësisht e Ministrit, ishte se "ata vepruan në përputhje me procedurat dhe rregullat për aprovim nga organet rregullatore ndërkombëtare dhe mbi këtë bazë janë marrë edhe vendimet." Mirëpo, respektimi i rregullave dhe procedurave nuk zvogëlon perceptimin e qytetarëve se vaksinat nuk prokurohen me ritmin që po shfaqin institucionet.
Edhe pse zyrtarisht interesi për vaksinim nuk duket mjaft i madh, me një numër prej pak më shumë se 100 mijë qytetarë të regjistruar në faqen zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë që kanë shprehur interes për vaksinimin, ky numër mund të jetë shumë më i lartë duke pasur parasysh mungesën e besimit të qytetarëve te institucionet.
Çfarë mund të mësojmë nga përvojat e vendeve të tjera?
Mungesa e vaksinave nuk është problemi i vetëm me të cilin përballet shteti në procesin e vaksinimit të popullatës. Në fakt, vendet që kanë blerë më shumë vaksina përballen me sfidën e përdorimit të tyre të plotë. Kryeministri ynë Zoran Zaev vonesën e blerjes së vaksinave e quajti një "avantazh" të mundshëm. Ne patëm mundësinë të mësojmë nga gabimet dhe sfidat me të cilat përballeshin vendet e tjera, por nga procedurat e deritanishme të institucioneve, nuk jemi të bindur se kemi mësuar sa duhet.
Frikë dhe skepticizëm
Mosbesimi dhe pasiguria e qytetarëve për tu vaksinuar vullnetarisht është një problem me të cilin përballen vendet që tashmë kanë (kushtimisht) një sasi të mjaftueshme të vaksinave. Përveç Francës, e cila ka kohë që përballet me frymën anti-vaksinim, Serbia është shembulli më i afërt për mbështetjen e këtij pretendimi. Ajo bëri thirrje për vaksinimin e qytetarëve të vendeve fqinje, ndërsa shumica e qytetarëve të saj nuk janë vaksinuar.
Një sondazh nga Ministria e Shëndetësisë zbuloi se, ndryshe nga disa vende të zhvilluara, 68% e punëtorëve shëndetësorë kanë shprehur interes për vaksinimin. Sidoqoftë, të dhënat për të gjithë popullsinë tregojnë rezultate të kundërta. Para fillimit të vaksinimit, shumica e qytetarëve nuk kanë qenë të sigurt se do të vaksinoheshin, respektivisht 40.9% thanë që me shumë gjasë nuk do të vaksinoheshin fare, ndërsa 17% thanë se deri diku nuk ka gjasë. Të dhënat e fundit, të grumbulluara pas fillimit të vaksinimit, tregojnë se 50% e popullsisë preferojnë të vaksionohen. Sidoqoftë, një përqindje e konsiderueshme prej 34% nuk do të vaksinohen derisa 16% nuk e dinë ose nuk kanë asnjë përgjigje.
Disa faktorë mund të bëjnë që qytetarët të hezitojnë në vendimin e tyre për t'u vaksinuar. Arsyet e përmendura zakonisht janë siguria e vaksinave, frika nga efektet anësore dhe shqetësimet se provat klinike po ndodhin shumë shpejt. Ishte lajmi i veçuar, por i spikatur i efekteve anësore që i shtyu qeveritë evropiane të bëjnë presion mbi publikun për të ndaluar përdorimin e vaksinave Astrazeneka, pa rekomandim paraprak nga Agjencia Evropiane e Barnave (AEB). Për më tepër, dezinformatat në internet po i shtrembërojnë përceptimet e qytetarëve dhe mund të zvogëlojnë interesin për vaksinimin. Infodemia është një problem paralel që institucionet duhet ta trajtojnë.
Qasje jotransparente në aprovimin e vaksinave
Agjencia e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore MALMED, institucioni përgjegjës për aprovimin e vaksinave në vendin tonë, përveç zbatimit dhe mbikëqyrjes efektive të legjislacionit, dhe përafrimit të tyre me standardet e BE-së, ka për detyrë të "informojë profesionistët e fushës dhe publikun në përgjithësi". Agjencia asnjëherë nuk ka informuar drejtpërdrejt për punën e saj në lidhje me procesin dhe kriteret sipas të cilave aprovon vaksinat për përdorim. MALMED, sipas strategjisë së vaksinimit, duhet të pranojë denoncimet e qytetarëve për efektet anësore përmes faqes së saj të internetit, kurse ajo është në dispozicion vetëm në gjuhën maqedonase, gjë që tregon se agjencia nuk është e gatshme t'u përgjigjet detyrave për të cilat është njësoj përgjegjëse për të gjithë qytetarët e shtetit.
Gjatë prokurimit të vaksinave Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe tregoi që në fillim se, si për preparatet e tjera mjekësore, ashtu edhe për vaksinat kundër Kovid-19 do të ndjeken vendimet e FDA dhe AEB. Vetëm 10 ditë më vonë, gjatë aprovimit të vaksinës Sinofarm, e cila është ende në proces shqyrtimi në AEB, dokumentet nga agjencitë e tyre kombëtare ishin një kusht i mjaftueshëm për aprovimin e saj. Në rastin e Sputnik V, nuk u shpjegua fare se çfarë e bën të sigurt këtë vaksinë. Për krahasim, AEB publikoi në faqen e saj të internetit të dhëna për autorizim dhe informacion në lidhje me të gjitha vaksinat e aprovuara dhe vaksinat që janë në fazën e aprovimit, por edhe një shpjegim mbi kontrollet e AstraZeneka-s sa i përket efekteve anësore. Në Maqedoninë e Veriut, Ministria e Shëndetësisë krijoi një faqe të veçantë interneti ku informon për sigurinë, efikasitetin dhe efektet anësore të secilës prej vaksinave. Të dhënat e disponueshme në këtë faqe interneti janë të pakta dhe shteruese dhe nuk janë të mjaftueshme për të dhënë një përgjigje të qartë për dilemat që qytetarët mund të kenë për secilën prej vaksinave.
AstraZeneka: e sigurt apo jo?
Mantra se "të gjitha vaksinat që kemi blerë janë të sigurta" është përmbysur nga vendimi për të pezulluar vaksinimin e qytetarëve nën moshën 60 vjeç me AstraZeneka, duke ndjekur shembullin e Gjermanisë dhe Kanadasë. Në fakt, vendimet e qeverive të vendeve anëtare të BE-së për të pezulluar vaksinën AstraZeneka dhjetë ditë më parë ishin arsyeja për një ulje drastike të besimit në këtë vaksinë në Evropë. Vendimet e institucioneve në situata të tilla janë me të vërtetë të vështira, kështu që vendimi për të thirrur në parimin e kujdesit duhet të bazohet në prova dhe është po aq e rëndësishme që ato të jenë transparente. Vendimet e nxituara dhe të pabazuara për të pezulluar një vaksinë mund të ndikojnë në aktivizimin e lëvizjeve anti-vaksinim dhe të rrisin skepticizmin në lidhje me vaksinat e tjera kundër Kovid-19.
Në rastin tonë, ky vendim erdhi vetëm dy ditë pasi Ministri i Shëndetësisë mbështeti vendimin e qytetarëve për t'u vaksinuar në Serbi, pikërisht me këtë vaksinë. Deri më tani, as në faqet e internetit të informacionit të ministrisë dhe as në faqen e internetit të MALMED nuk mund të gjenden informacione për arsyet e këtij vendimi, por as edhe udhëzime se si duhet të veprojnë personat që janë vaksinuar tashmë. Heshtja dhe informimi i vonuar i qytetarëve krijon panikë dhe mundësinë që burimet e parëndësishme të jenë shkalla e parë e informimit të qytetarëve të brengosur.
Betejë pa masa kufizuese
Vaksinimi është mënyra më e mirë për të luftuar pandeminë Kovid-19. Sidoqoftë, fillimi i procesit të vaksinimit nuk do të thotë përfundim i pandemisë. Në fakt, në krahasim me Maqedoninë e Veriut, në vendet evropiane ku është vaksinuar një përqindje më e madhe e popullsisë, ka akoma edhe më shumë masa kufizuese për të parandaluar përhapjen e virusit.
Numri i të infektuarve dhe rasteve të vdekjes është rritur ndjeshëm kohën e fundit , dhe situata epidemiologjike në vend është kritike. Sidoqoftë, Komisioni për Sëmundjet Infektive nuk ka rekomanduar kufizimin e mëtejshëm ose mbylljen e objekteve hotelierike, një masë që respektohet në vendet evropiane, duke ngritur dilemën nëse shëndetësia apo ekonomia kanë një përparësi kryesore në këtë pandemi.
Mungesa e vaksinave me të cilat përballet shteti dhe skepticizmi i qytetarëve nuk ngjallin besim se në të ardhmen e afërt do të jemi në gjendje të përdorim "armën më të fuqishme" kundër Kovid-19. Ajo çfarë është e rëndësishme është që me fillimin e vaksinimit të mos ketë optimizëm të rremë se virusi do të zhduket menjëherë pasi të vaksinohen shumica e qytetarëve. Procesi i vaksinimit deri më tani ndoshta mund të jetë konfuz dhe jo-transparent, por kjo nuk do të thotë që duhet të vazhdojë me të njejtin trend.
Edicioni i katërt i projektit “Histori nga rajoni” zbatohet nga Res Publica dhe Instituti për Studime të Komunikimit (ISK), në bashkëpunim me partnerët tanë nga Kroacia (Lupiga), Kosova (Sbunker), Serbia (Ne davimo Beograd), Bosnja dhe Hercegovina (analiziraj.ba), Mali i Zi (PCNEN), Bullgaria (Sega.bg) dhe Greqia (Macropolis).
07 prill 2021
09:00